Kriteret e reja të ministrisë së Mbrojtjes për ata që duan të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura
Ministria e Mbrojtjes rishikon kriteret që duhet të plotësojë çdo i ri që aspiron për tu bërë pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Nëse nuk i ke kaluar 22 vjeç, je i gjatë 165 cm, ke një fizik të rregullt e gjendje të mirë shëndetësore, ke mbaruar shkollën e mesme, nuk je martuar dhe nuk je dënuar nga gjykata për vepra penale mund të jesh kandidati i duhur për t’u bere pjesë e Forcave të Armatosura. Qendra e Personel Rekrutimeve ka publikuar rregulloren e re për shtetasit shqiptar të cilët do të përzgjidhen si oficerë dhe nënoficerë.
Ministria e Mbrojtjes ka ulur moshën e kandidateve dhe gjatësinë. Më parë ajo kufizohej mes 18 dhe 27 vjeç ndërsa tashmë ata nuk duhet ti kalojnë të 22 vitet. Meshkujt mjafton të kenë lartësi trupore 165 cm për tu pranuar nga 170 cm që ishte deri para një viti, ndërsa femrat 160 cm nga 165. Kandidatët me arsim parauniversitar do të rekrutohen kryesisht për ndjekjen e studimeve në Akademitë Ushtarake të vendeve të NATO. Por për këtë ata nuk duhet të jenë apo të kenë qenë përdorues të lëndëve narkotike ndërsa në kartelën e tyre shëndetësore nuk duhet të rezultojnë bartës të virusit HIV apo sëmundjeve të tjera.
Ata që synojnë të ushtrojnë profesionin e oficerit jashtë vendit, duhet që të kenë një mesatare notash mbi tetë. Ndërsa ata që synojnë veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të zotërojnë gjuhën angleze. Sa i përket kandidatëve që kanë diplomë universitare, përpos rregullave të përbashkëta që kanë me ata me arsim të mesme, duhet që në çastin e aplikimit të mos jenë më shumë se 25 vjeç e 6 muaj. Përjashtim bëjnë kandidatët për oficerë, të cilët do të jenë personel mjekësor i Forcave të Armatosura, të cilët në momentin e aplikimit duhet të mos jenë më shumë se 30 vjeç e 6 muaj.
Qendra e Personel Rekrutimeve ka vendosur si kusht edhe qe kandidatët të mos jenë larguar nga puna në administratën qendrore ose lokale për shkelje të legjislacionit në fuqi. Për t’u bërë pjesë e konkurrimit, kandidatët duhet të njoftojnë Qendrën e Personel Rekrutimit, përmes faqes së internetit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe duhet të plotësojnë dosjen me 15 dokumente që detajohen online. Para se të marrin gradën e oficerit apo nënoficerit kandidatët do të zhvillojnë disa konkurse, që nisin me testimin fizik atë intelektual të gjuhës angleze, testimin psikologjik dhe ekzaminimin mjekësor.