Albspirit

Media/News/Publishing

Ndoka “ju rrëmben” partinë vëllezërve Frroku

Partia Demokristiane ka njoftuar sot arritjen e një marrëveshje me kristiandemokratët për t’u bashkuar në një forcë të vetme politike.
Nga ky moment partia e vëllezërve Mark e Arben Frroku, e cila tani përfaqësohet në Kuvend me Mirela Ferracakun do të jetë brenda siglës së PDK-së.
Në këtë mënyrë, sipas Ndokës, me lëvizjen e bërë PDK-ja do të ketë 3 deputetë në Kuvend, duke përfshirë këtu vetë Ndokën, Ferracakun dhe Eduard Ndocajn.
“Partia Demokristiane e Shqipërisë dhe Partia Kristiandemokrate kanë rënë dakord në parim për bashkimin e dy partive parlamentare në një forcë të vetme politike nën siglën e PDK-së. Grupet e punës tashmë kanë përfunduar negociatat dhe pritet vendimmarrja e përbashkët e dy forcave politike për legjitimimin e procesit të bashkimit. Tashmë alternativa demokristiane në Kuvendin e Shqipërisë do të përfaqësohet me tre deputete”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Dy grupet e punës kanë hartuar modalitetet e bashkimit të dy partive si dhe kanë ngarkuar përfaqësuesit e dy partive për të vazhduar negociatat edhe me partitë e tjera të spektrit demokristian, Partinë Aleanca Demokristiane të drejtuar nga Zef Bushati dhe Partinë Lidhja Demokristiane të drejtuar nga Mëhill Geci.
“Partia Demokristiane e Shqipërisë dhe Partia Kristiandemokarte, që kanë marrëveshje politike për bashkëqeverisje me maxhorancën aktuale, konfirmojnë vazhdimin e këtij bashkëpunimi në respekt të marrëveshjeve të nënshkruara. Deputetet Demokristianë do të unifikojnë qendrimet e tyre politike në mbështetje të reformave dhe mirëqeverisjes se vendit. Partia Demokristiane e Shqipërisë, do të informojë për procesin e bashkimit dhe unifikimit të faktorit demokristian, Aleatët tanë politike në Shqipëri dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Presidentin e Unionit Kristiandemokrat Europian, Pier Ferdinando Casini dhe CDU-në gjermane të Kancelares Merkel, si dhe zotin Fleckenstein, raportuesin në Parlamentin Europian, si një mik të Shqipërisë dhe të Demokristianëve”, vijon më tej njoftimi i demokristianëve.
Please follow and like us: