Miho Gjini: ‘Poeti i penelit’, Anastas Kostandini
- Kritiku i artit kësaj here ndalet në studion e piktorit pogradecar. Në arsenalin e krijimtarisë së tij hasen piktura monumentale dhe tablo të panumërta të të gjitha dimensioneve, portrete njerëzish të vdekur e të gjallë, por edhe peizazhe të natyrës
Nga Miho Gjini
Pasi ndahesh nga bregu i liqenit, ku qëndrojnë madhërisht të dy monumentet e personaliteteve të Pogradecit; të Lasgushit dhe të Kutelit, pak më tej, në një rrugicë të heshtur, gjendet edhe shtëpia-studio e një personaliteti të gjallë, e piktorit Anastas Kostandini. Që të tre poetë: Lasgushi i poezisë lirike brilante, i dyti i prozës poetike rrëfimtare magjepsëse dhe i treti, piktori, një poet i ngjyrës.
Në studion e tij, njeriu do të humbasë nëpër “Labirintet” rrezëllitëse që krijon magjia e ngjyrave dhe që duket sikur vjen po nga ai refleksion i liqenit përbri, gjatë gjithë ditë-natës dhe i jetës së tij. Qindra-mijëra tablo të piktorit qëndrojnë aty, njëra pas tjetrës, nëpër mure, korridore e anekse, në të dyja katet e kësaj shtëpie të kthyer në muze së gjalli artistit, për të vazhduar në një tjetër studio më të gjerë në mjediset e Pallatit të Kulturës me emrin e Kutelit. Dhe është ky Kostandin, njeriu më i varfër në dukje e më i pasuri në shpirt, sikundër ishin dikur Lasgushi i shenjtëruar, me pallton e tij të vjetër e me shkopin e pleqërisë dhe Kuteli i gjorë “me dy emra”, që s’ju nda “biografia e keqe” pas vetes dhe hija e tmerrshme e burgut…
E kushdo do të pikëllohej, po të merrte vesh se këta kolosë të kulturës kombëtare, nuk kanë ende një shtëpi-muze, ku do të gjunjëzoheshin me nderim poetët e sotshëm dhe të brezave që vijnë, si edhe do të brengoseshin që shëtitorja ku ecte Lasgushi brigjeve të “liqerit pakufi”, karshi Malit të Thatë, nuk e ka ende emrin e tij të ndritshëm.
Anastas Kostandini është mjeshtër i penelit, nga më të mirët që kemi sot, piktori i të gjitha rrymave, të së djeshmes dhe të së sotmes. Në arsenalin e krijimtarisë së tij do të hasësh pikturën monumentale dhe tablo të panumërta të të gjitha dimensioneve, portrete njerëzish të vdekur e të gjallë, peizazhe të natyrës, kompozime të përmasave të ndryshme në vaj, pastel e në grafikë, skica e vizatime të pafundme, mozaike të gjalla e trille të piktorit të fiksuara në dru, në guaska e në hedhurina gjithfarësh që marrin trajtë e vlerë piktoreske Edhe sendet, edhe objektet më të rëndomta, sikur marrin jetë prej duarve të artistit…
Një jetë e tërë është sintetizuar aty përmes fantazisë dhe ngjyrës, gjithmonë nga një këndvështrim estetik i artistit të paqetë, kërkimtar, interpretues i thellë i natyrës mëmë e i njerëzve që e rrethojnë, me peshën e një filozofi që zhbiron pareshtur jetën e tij dhe jetën tonë. E gjithë bota e i tërë shpirti i tij sikur mblidhen këtu, në këto “kocofole të mistershme” ku rishfaqen edhe shpirtrat e Poradecit e të Kutelit, që enden përmbi liqen përjetësisht! Po pikturat e këtij artisti të pazëshëm, në pjesën më të madhe të tyre, janë ekspozuar e shpërndarë nëpër botë. Ato nuk gjenden vetëm në të dyja studiot e tij të Pogradecit, po edhe në Tiranë, Korçë, Fier, Gjirokastër, Prishtinë, Tetovë e Ohër. Por edhe më tej; në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Francë, Holandë, Rumani e Bullgari.
Isha, si të thuash, me fat që qëndrova dy ditë prani tij, që e piva kafen me të, me njeriun e thjeshtë dhe artistin e madh, që e pata si “mik tryeze”, që kuvendova shtruar dhe pashë piktura të rralla, të cilat më “dehën shpirtin”, por edhe që eca me të bregut të liqenit në një shi të butë, kur fërfërinin gjethet e pemëve e pikonin çatitë. Në portretin e tij thuajse enigmatik, vija re në heshtje filozofin, që flet me “syrin e mendjes”, por që di aq bukur të “bëjnë të flasin” mijëra tablo në pëlhurë!
Biografia
Anastas Kostandini (1954) lindi në Pogradec. U diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë në Pikturë Monumentale (1978). Është bashkautor në realizimin e mozaikut “Shqipëria”, Muzeu Kombetar Historik, Tiranë (1981). Ka çelur ekspozita në mbarë vendin; Pogradec, Tiranë (GKA), Durrës, Korçë etj., por edhe jashtë Shqipërisë, si në Maqedoni, ShBA, Francë, Gjermani, Rumani dhe Kosovë. Më 1991 i akordohet titulli “Piktor i merituar”, më 2005 shpalljet “Qytetar nderi” i Pogradeci. Është fitues i çmimit të parë në konkursin e pikturës “Vangjush Mio”, Korçë (2006). Më 2007 ka botuar librin e tij të parë me grafika. Jeton dhe punon në qytetin e Pogradecit.