Rregullat e reja për recetat me rimbursim
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka miratuar rregulla të reja në drejtim të recetave dhe përshkrimin e barnave që tregtohen në farmacitë e spitaleve.
Sipas kontratave të rishikuara është parashikuar lehtësimi i procedurave të kryerjes së konsultës mjekësore dhe të plotësimit të recetës me rimbursim nga mjeku specialist i QSUT-së, shkruan Gazeta Shqiptare. Kjo nënkupton që konsulta mjekësore për përfitimin e këtyre barnave mund të kryhet nga një ose më shumë mjekë specialistë të shërbimit, kjo në varësi të protokollit klinik të sëmundjes dhe protokollit të përdorimit të medikamentit.
Deri më tani, konsulta bëhej nga një komision mjekësh të secilit shërbim, ndërkohë që nga takimet që Fondi zhvilloi me mjekët rezultoi se praktikisht konsulta kryhej nga një mjek specialist dhe firmat dhe vulat e tjera merreshin për procedurë, gjë e cila sillte një ngarkesë artificiale në shërbim.
Po ashtu, është parashikuar heqja e procedurës së miratimit të mjekimit nga drejtoritë rajonale të Fondit (DRF) dhe Drejtoria e Shërbimeve Spitalore Universitare dhe Kontrollit Spitalor (DRSHSUK).
Sipas FSDKSH-së, receta me rimbursim plotësohej nga mjekët vetëm pas miratimit nga drejtoritë vartëse të Fondit, gjë e cila sillte vonesa në marrjen e mjekimit dhe radhë të gjata të pacientëve në drejtori në pritje të miratimit të mjekimit.
Një tjetër ndryshim që është reflektuar në kontratë lidhet me lehtësimin e procedurave të zbatimit të sistemit të referimit. Tashmë, rekomandimi i mjekut të familjes dhe mjekut specialist përkatës të rajonit do të kërkohet vetëm në fillim të mjekimit dhe do të mjaftojë deri në përfundim të mjekimit dhe periudhës së rikontrollit.
Risia e fundit që sjell kontrata e re ka të bëjë me heqjen e detyrimit të drejtorive vartëse të Fondit për negocimin e planit të rimbursimit për secilin mjek, si dhe sanksionet për këtë.
Në kontratën aktuale është lënë që ky plan të menaxhohet nga DRSHSUK/DRF me shërbimet përkatëse. Për zgjidhjen e situatës së krijuar si pasojë e rezervave të shprehura nga mjekët, u ngrit një grup pune, i cili realizoi takime për të negociuar me mjekët e çdo shërbimi të QSUT-së. Ndërkaq, ndryshimet do të hyjnë në fuqi me listën e re të barnave të rimbursuara. /z.t//m.m/