“SAJE-GEJT”, 10 pyetje për skandalin e përgjimeve të paligjshme
Nga Kastriot Islami
Një pajisje e cilësuar BIG BROTHER për të realizuar përgjime të paligjshme. E ndaluar për të qenë në duart e policisë së një vend demokratik përderisa Prokuroria zotëron të gjithë mekanizmat ligjore për të përgjuar të gjithë rastet e ndjekjeve penale.
Ky është në Shqipëri Skandali më i madh në 25 vjet. Me pasoja shumë të rrezikshme. Ky është një veprim i denjë për një vend si Koreja e Veriut. Por hijet e dyshimit shkojnë edhe përtej Shqipërisë. Marrëdhënie të dyshimta mes policisë, qeverisë shqiptare dhe drejtuesve me të lartë të saj, Kryeministri dhe Ministrit të Brendshëm, mundet të rezultojnë me qarqe jashtë vendit me synime korruptive dhe trafikuese. Por që mund të jenë përdorur edhe kundër të gjithë kundërshtarëve të kreut te qeverisë, brenda dhe jashtë koalicionit, në opozite apo përtej saj.
Prokuroria duhet të veprojë me shpejtësi e vendosmëri. Çdo minutë e humbur vendos para përgjegjësisë edhe vetë Prokurorinë. Kjo është një çështje që do të zbardhet në mos tani me siguri shumë shpejt në të ardhmen. Nëse lista e personave të përgjuar përfshin figurat më të larta të shtetit, atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse ndëshkimi ekstremal penal përndryshe një ngjarje e tillë do të mund të çonte në destabilizim politik dhe/ose trazira sociale.
Lidhur me këtë Skandal mund të shtroheshin ndër të tjera 10 pyetje:
1) A është në dijeni Kryeministri për futjen e kësaj pajisjeje? Heshtja e implikon.
2) Përse Prokuroria s’merr në pyetje dhe eventualisht në ndjekje penale Saimir Tahirin?
3) Përse Prokuroria s’kërkon informacion nga Ambasada Italiane në Tiranë për këtë çështje? A ka kërkuar Prokuroria asistence te FBI për këtë çështje? Ose te ekspertë te tjerë për rikuperimin e materialeve eventualisht të fshira?
4) Përse Prokuroria s’bën me urgjence sekuestrimin e pajisjes?
5) Përse është futur në programin e studimeve për policinë një pajisje e tillë e cila konsiderohet edhe jashtë vendit si pajisje për “përgjime të paligjshme”?
6) Kush e ka futur në programin mësimor marrjen e dijenive për këtë pajisje? A është miratuar nga Ministri kjo kurrikul?
7) Përse Prokuroria s’merr informacion nëse oficeret e vendeve të tjera apo organizmave ndërkombëtare që asistojnë policinë shqiptare kanë dijeni për futjen e kësaj pajisje në vendin tonë?
8) A ka kaluar nëpër doganë kjo pajisje? Ka pasur leje për kalimin e saj? Kush e ka kaluar në doganë pajisjen? A ka lënën gjurmë kalimi nëpër doganë?
9) Përse Prokuroria s’merr në pyetje Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit? Drejtorin e Shkollës së Sigurisë? Drejtorin përkatës në Ministri që mund te ketë eventualisht miratuar sjelljen e kësaj pajisjeje?
10) Përse Prokuroria s’kërkon informacion nga pala italiane përmes rrugës diplomatike dhe mekanizmave te tjerë për futjen e kësaj pajisjeje?