Sekuestrohen 1.3 milionë dollarë nga llogaritë e Rezart Taçit
Policia e Shtetit ekzekutoi sot urdhrin e gjykatës, duke vendosur nën sekuestro llogaritë bankare të biznesmenit të njohur, Rezart Taçi. Kështu janë sekuestruar rreth 1.3 milionë dollarë.
Urdhri i shkallës së parë është zbatuar nga strukturat e specializuara kundër krimit financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me sektorin kundër pastrimit të parave në Drejtorinë e Tiranës.
“Në bazë të këtij vendimi po kryhen veprime procedurale hetimore në 16 banka të nivelit të dytë, ndërsa janë sekuestruar tashmë 1.3 milionë dollarë nga llogaritë e shtetasit në fjalë”, thuhet në një njoftim për shtyp.
Akuza që rëndon ndaj Taçit është “pastrim të produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale” dhe hetimet janë shtrirë edhe mbi lidhjet e tij shoqërore e familjar, të përfshirë në këtë aktivitet.
Edhe në vitin 2014, shtetasi Rezart Taçi ka qenë i proceduar penalisht nga Drejtoria për hetimin e krimit financiar ne Policinë e Shtetit, nën akuzat “fshehje te ardhurash”, “mospagim taksash”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim”.
Në kuadër të këtij procedimi, detyrimet tatimore ndaj shtetit dhe kompanive të tjera llogariten mbi 14 milionë euro.