Albspirit

Media/News/Publishing

Zgjedhjet që janë kthyer në problemin e universiteteve

Aplikimi rreth 20 vite më parë i caktimit të drejtuesve të universiteteve përmes zgjedhjeve të brendshme universitare, reflektonte dy supozime: 1) se kjo mënyrë do ndikonte pozitivisht mbi cilësinë e qeverisjes së universiteteve, dhe 2) se me drejtues të zgjedhur nga vetë komuniteti universitar, ndryshimi në universitete kishte gjasa të ishte më i shpejtë, më i madh, më cilësor!

Por realiteti i zgjedhjeve universitare të këtyre 15-20 viteve flet për një konkluzion të hidhur: Zgjedhja e drejtuesve nga vetë universitetet, nuk ka sjellë as një model më të mirë qeverisje të universiteteve, as ndonjë ndryshim të hatashëm në cilësinë e universiteteve. Zgjedhjet universitare thjesht kanë ricikluar po të njëjtët njerëz; kanë riprodhuar dhe konsoliduar qeverisjen çifligare; dhe i kanë ndryshuar universitetet jo për më mirë por për më keq! Zgjedhja e drejtuesve nga universitetet pra, ka kontribuar në trashjen, jo në zgjidhjen, e problemeve të tyre!

Mbrojtja e modelit të zgjedhjes së drejtuesve nga vetë universitetet dhe ndikimit pozitiv të tij ngrihet mbi logjikën që ky model mund të jetë mos jetë aq i mirë, por është modeli më i mirë se çdo model tjetër. Drejtuesit e universiteteve, të mirë apo të këqinj, është më mirë të zgjidhen nga pedagogët, stafi administrativ dhe studentët, sesa të emërohen apo imponohen nga qeveria e ditës, sepse drejtuesit e dalë nga zgjedhjet universitare i shërbejnë më mirë universitetit pasi ata i njohnin më mirë problemet e universitetetit sesa nga qeveria e ditës. Une vetë as nuk do ta hidhja poshtë krejtësisht këtë argument, as nuk do të mohoja as edhe mundësinë që zgjedhja e drejtuesve nga vetë universitetet mund të ndikojë pozitivisht mbi qeverisjen, zhvillimin, dhe ndryshimin e universiteteve. Sepse kështu ndodh në universitetet amerikane, angleze apo europiane. Por jo në universitetet shqiptare!

 

Por realiteti ka treguar se ndonëse drejtuesit janë zgjedhur nga vetë universitetet, mendësia dhe modeli i qeverisjes kanë mbetur njësoj po aq çifligaresk, ndërsa vetë universitetet nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim të dukshëm cilësie! Ndaj pyetja që mbetet intriguese është përse dhe në ç’mënyrë zgjedhja e drejtuesve nga vetë universitetet në vend të ndikonte pozitivisht ka ndikuar negativisht mbi qeverisjen dhe ndryshimin e universiteteve? Një shpjegim për këtë rol dhe ndikim negativ të zgjedhjeve universitare mund të gjendej tek 2 tipare të tyre: 1) dallimet që zgjedhjet universitare kanë nga zgjedhjet politike, dhe 2) instrumentalizimi i tyre. Të dy këto tipare pastaj ndikojnë negativisht qeverisjen e universiteteve duke prodhuar një model çifligaresk.

 

Zgjedhjet universitare dallojnë në konceptim nga ato politike dhe këto dallime janë të rëndësishme! Zgjedhjet politike mbahen çdo 4 vjet ose edhe më parw; mbahen kur kryeministri humb mazhorancën në parlament, jep dorëheqjen, ose i thërret vetë ato; shpallen nga presidenti; thërrasin në votë të gjithë qytetarët me të drejtë vote; dhe bazohen mbi një kod zgjedhor për të cilin bihet dakort nga të gjithë partitë politike. Ndërsa zgjedhjet në universitete bëhen vetëm çdo 4 vjet (mazallah më parë); bëhen vetëm kur i shpall Ministria e Arsimit dhe në datën që cakton ministri; zhvillohen mbi një “rregullore” që e bën Ministria e Arsimit dhe në zgjedhje i jepet më shumë rëndësi votës së pedagogëve sesa stafit administrativ dhe studentëve. Zgjedhjet universitare pra janë një karikaturë e zgjedhjeve politike. Dallimet kanë bërë që zgjedhjet universitare në vënd të konsolidonin frymën demokratike kanë shkuar në krah të kundërt me të duke legjitimuar frymën klanore.

 

Realiteti ka treguar se zgjedhjet universitare janë kthyer në një instrument të klaneve brenda universiteteve për të kapur qeverisjen e universiteteve. Kjo e fundit, më shumë sesa me interesat dhe zhvillimin akademik të universitetit shihet si një funksion i lidhjeve klienteliste dhe aleancave politike të grupeve të caktuara brenda universiteteve me qeverinë dhe i preferencave politike të qeverisë së radhës. Pra zgjedhjet universitare, në vend ti shërbenin nxitjes të mirëqeverisjes dhe zhvillimit të universitetit, janë shndwrruar në problemin dhe jo zgjidhjen e problemeve të universiteteve.

 

Karakteri karikaturë dhe instrumental i zgjedhjeve universitare ka ndikuar direkt dhe negativisht mbi modelin e qeverisjes së universiteteve. Universitetet shqiptare shfaqin shumë probleme kur bëhet fjalë për mandatin e drejtuesve, si e ushtrojnë pushtetin ata, për strukturat balancuese të pushtetit të rektorit, apo mekanizmat që balancojnë, kontrollojnë, dhe vënë në lëvizje llogari-dhënien. Realiteti tregon se rektorët dhe dekanët e ushtrojnë pushtin në mënyrë të pakufizuar, strukturat balancuese të pushteti të tyre janë ose fiktive, ose të korruptuara dhe bërë njësh me drejtuesit, ose nuk i pyet dhe nuk iu jep llogari askush. Këto probleme në shpërndarjen dhe kontrollin e pushtetit dhe vendimarrjes, në veprimtarinë dhe funksionimin e strukturave dhe mekanizmave llogari-kërkuese, kanë bërë që universitetet shqiptare të qeverisen nga rektorët sikur ato ishin çifliku i tyre personal!

 

Në qeverisjen politike, mandati i një kryeministri zgjat 4 vjet ose më pak, në varësi të performancës. E cila vlerësohet si nga partitë në opozitë, ashtu edhe nga partitë brenda koalicionit qeverisës ose vetë partia e kryeministrit. Nëse performanca nuk pëlqehet, forcat që mund ti kërkojnë kryeministrit të japë dorëheqjen gjënden jo vetëm në rradhët e opozitës por edhe brënda vetë koalicionit qeverisës.

Në universitete, mandati i drejtuesve zgjat 4 vjet! Kandidatët për rektorë luftojnë fort vetëm për t’u zgjedhur ose rizgjedhur. Sepse me t’u zgjedhur, nuk ka gjasa të “zbresin” nga kollutuku para 4 vjetëve! Pra, gëzojnë “mandat të plotë” pavarësisht politikave të mira apo të këqija që ndjekin; pavarësisht nëse universiteti bën përpara apo shkon teposhtë; pavarësisht nëse aplikojnë direkt apo indirekt, hapur apo fshehurazi, përmes ligjit apo duke e përdredhur ligjin abuzimin apo vjedhjen e burimeve financiare, apo praktika nepotike dhe klienteliste në dëm të universitetit; dhe pavarësisht nëse elektorati universitar është ose jo dakort drejtimin që i bën rektori universitetit. Në universitetet shqiptare, strukturat e brëndëshme që mund të vlerësonin performancën e rektorit dhe dekanëve, të kërkonin llogari, apo edhe të kërkonin dorëheqjen në rast mospëlqimi të mënyrës së tyre të drejtimit, ose nuk egzistojnë, ose janë fiktive, ose edhe nëse e gëzojnë një atribut të tillë nuk e kanë ushtruar kurrë, ose ky atribut iu është marrë nga autoritete të tjera.

 

Edhe në rastet kur është kërkuar shkarkimi rektorit, si ai Mithat Memës, ish rektorit të Universitetit të Durrësit, paradoksi është se shkarkimi në vend të kërkohet nga “demosi” akademik që i ka zgjedhur dhe mandatuar (stafi akademik, stafi administrativ, apo studentët), apo struktura” të tjera të brendshme universitare (si Senati Akademik), ai është kërkuar nga ministri i Arsimit! Rasti Mema-Nikolla tregon edhe se në ç’mënyrë paradoksi në çështjen e mandatit kontribuon në qeverisjen çifligare të universiteteve.

 

Në një mënyrë, ky paradoks kontribuon në qeverisjen çifligare përmes dualitetit të legjitimitetit. Rektorët që kërcënohen me shkarkim, nuk shkarkohen dot nga ministri i Arsimit, sepse mbrohen me statusin “jam i zgjedhur nga Universiteti”! Ministri i Arsimit që kërcënon njw Rektor me shkarkim, nuk e shkarkon dot një rektor sepse nuk ka “tagër” për të bërë një gjë të tillë. Kjo është arsyeja përse Ministrja Nikolla “dështoi” të shkarkonte ish rektorin Mithat Mema; përtej motiveve edhe politike, kjo ishte arsyeja “logjike” përse Presidentit Nishani refuzoi të pranonte kërkesën e Ministres Nikolla.

 

Në një mënyrë tjetër, ky paradoks kontribuon në qeverisjen çifligare përmes mendësisë dhe motiveve që karakterizojnë konceptimin e marrëdhënieve dhe qëndrimin e Ministrisë së Arsimit ndaj rektorëve të universiteteve shqiptare. Në Shqipëri, të gjithë ministrat e arsimit i kanë trajtuar universitetet dhe drejtuesit e tyre me një mendësi etatiste që i sheh universitetet jo si “pronë” të publikut (universitete publike) por si “pronë” të shtetit (universitete shtetërore) ndërsa drejtuesit e universiteteve i sheh jo si përfaqësues të një institucioni por si vartës të Ministrisë së Arsimit. Përjashtim nga kjo mendësi nuk kanë bërë as dy ministrat e fundit të arsimit, Myqerem Tafaj dhe Lindita Nikolla, ndonëse të dy kanë folur për pavarësinë e universiteteve dhe përfaqësuesve të tyre! Sipas kësaj mendësie, ministrat e Arsimit nuk kanë hezituar të emërojnë ose kërkojnë shkarkimin e personave të caktuar. PD nuk hezitoi të “zgjidhte” dhe vendoste për rektorë Tanush Shashkën në Universitetin e Vlorës, Agim Kukelin fillimisht dhe Mithat Memën më pas në Universitetin e Durrësit. Po ashtu edhe ministrja Nikolla nuk hezitoi të tentojë të shkarkojë Mithat Memën nga posti i Rektorit të UAMD.

 

Në Shqipëri, marrëdhëniet rektor-ministër dhe mënyra si i trajton rektorët e universiteteve ministri i Arsimit i radhës, më shumë sesa nga veprimet e rektorëve, përcaktohen nga motive dhe interesave politike. Realiteti ka treguar se këto marrëdhënie përcaktohen në një masë të konsiderueshme nga “aftësia” e rektorëve për t’ju përshtatur politikës së qeverisë dhe ministrit të radhës. Kur rektorët kanë qenë në “unison” me ministrin e Arsimit, ata kanë arritur të “gëzojnë” mbështetje dhe qeverisin universitetet siç kanë dashur ata, pavarësisht nëse gjërat që bënin i ndihmonin apo dëmtonin universitetet. Ata rektorë, apo kandidatë për rektorë, që nuk i kanë patur marrëdhëniet mirë me ministrin e Arsimit, apo ca më keq, i janë kundërvënë “vizionit” të ministrit dhe qeverisë, ose janë luftuar, ose janë detyruar të japin dorëheqjen, ose janë penguar të bëhen rektorë.

 

Realiteti ka treguar se ministrat e Arsimit në Shqipëri, në varësi të motiveve dhe interesave politike specifike të ditës, janë angazhuar jo rrallë në përdorimin e dy standarteve: ata nuk kanë ngurruar të kërkojnë shkarkimin e një rektori apo dekani të një universiteti pavarësisht përkushtimit dhe dobisë së nismave të tyre për universitetetin, vetëm e vetëm se ata kanë guxuar t’i kundërvihen politikave të qeverisë së ditës dhe ministrit të Arsimit në universitete dhe arsimin e lartë; ose ministrat e Arsimit kanë heshtur dhe nuk kanë inicuar apo kërkuar fare shkarkimin e një rektori apo dekani, pavarësisht se për ta, individë apo institucione ju kanë paraqitur fakte dhe dokumente kompromentues që justifikonin ndërmarrjen e veprimeve konkrete kundër një rektori apo dekani. Tanush Shashka, ish- rektori i Universitetit të Vlorës, u luftua nga ish- Ministri Tafaj dhe Partia Demokratike, deri në pikën sa e detyruan të jepte dorëheqje, pikërisht sepse ai ndau rrugët dhe nuk ishte dakord me mënyrën se si e konceptonin trajtimin dhe zhvillimin e universiteteve dhe arsimit të lartë Berisha-Tafaj. Pavarësisht ndryshimeve të reja, të rëndësishme, pozitive, në frymën e modelit amerikan të universiteteve që Shashka tentoi dhe bëri në Universitetin e Vlorës, këto ndryshime shkonin kundër idesë që kishin Berisha-Tafaj për arsimin. Për ish- Rektorin e Universitetit të Tiranës Dhori Kule, sot Dekan i Fakultetit Ekonomik të UT-sw, dhe për ish- Dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale Dhori Karaj, pavarësisht se Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe dy vendime gjykatash kanë vënë në dispozicion të ministres së Arsimit fakte kompromentuese për dy, ministrja e Arsimit Nikolla nuk ka inicuar apo ndërmarrë asnjë veprim kundër tyre, ashtu siç veproi në rastin e ish- Rektorit Mithat Mema kur u mor vesh që Mema edhe çiçin ia lejonte me orar Dekanit të Fakultetit Politiko-Juridik.

Po të mbahet parasysh se faktet kundër Kules dhe Karaj ishin më të rënda, pasi bënin fjalë për abuzime me burimet financiare dhe praktika nepotike, ndërsa rasti i Memës ishte thjesht një mosmarrëveshje “çiç-bërjeje,” konkluzioni më i parë që të vjen në mendje për sjelljen e ministres Nikolla është përdorimi i dy standardeve në trajtimin e rektorëve dhe dekanëve të universiteteve.

 

Së fundi, ajo që i bën zgjedhjet universitare të jenë problemi dhe jo zgjidhja e problemeve të qeverisjes së universiteteve është anomalia që prodhojnë nga pikëpamja e strukturave dhe mekanizmave balancues, kontrollues, dhe llogari-kërkues të pushtetit që ushtrohet dhe vendimeve që merren. Në qeverisjen politike, pushteti egzekutiv i kryeministrit balancohet nga vëmëndja që i kushton legjislativi vendimeve që ai merr, dhe gadishmëria e gjyqësorit për të shqyrtuar kurdoherë që lind rasti të kushtetueshmërisë së vendimeve të kryeministrit. Në mënyrë të rregult dhe periodike, kryeministri del përpara legjislativit, me dëshirën e tij apo me kërkesën e deputetëve, dhe jep llogari për vendimet dhe politikat e zgjedhura prej tij. Në universitetet shqiptare, një Rektor nuk balancohet në ushtrimin e pushtetit të vet nga asnjë strukturë (as Senati) dhe ose nuk i jep llogari kurrkujt, ose nuk është e qartë se kujt i jep llogari! Kjo paqartësi që ekziston brenda universiteteve shqiptare nga pikëpamja e strukturave që balancojnë, kontrollojnë, dhe i kërkojnë llogari Rektorit për veprimet e tij, ka kontribuar në një qeverisje të universiteteve ku rektori nuk e çan edhe aq shumë kokën sa të rëndësishme janë ato që bën apo nuk bën, nëse i mban apo jo premtimet që ka bërë para pedagogëve, stafit adminsitrativ, dhe studentëve; nëse veprimet e tij janë të dobishme apo të dëmshme për universitetin. Kjo situatë është arsyeja përse rektorët e universiteteve shqiptare praktikojnë klientelizmin quid-pro-quo, vendim-marrje të mbyllura dhe jo transparente, dhe menaxhim çifligar të universitetit!

Please follow and like us: