Nishani, akuza qeverisë për përgjimet
Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani akuzoi sot qeverinë se po pengon hetimin e Prokurorisë lidhur me dyshimet për përgjime të paligjshme nga ana e policisë.
Në një deklaratë të tij Presidenti Nishani kërkon që “Qeveria t’i dorëzojë sa më parë autoriteteve të hetimit pajisjen e kërkuar nga organi i Prokurorisë dhe të gjithë dokumentacionin tjetër të nevojshëm për procesin e hetimit”. Dje ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se policia nuk ka patur asnjëherë aparatura përgjimi, ndërsa foli për ekzistencën e një pajisjeje e cila sic tha ai është sjellë nga misioni italian Interforce, në kuadër të një marrëveshjeje mes dy qeverive, për të trajnuar policinë shqiptare, por duke saktësuar se nuk bëhet fjalë për përgjime.
Presidenti Nishani megjitatë akuzoi qeverinë për “mashtrim të opinionit publik në lidhje me marrëveshjet e bashkëpunimit me shtetin italian. Marrëveshja midis shtetit shqiptar dhe atij italian në luftën kundër krimit të organizuar nuk ka asnjë lidhje me veprimet antiligjore dhe të dënueshme të përdorimit të mjeteve ilegale dhe të paligjshme nga Policia shqiptare”, nënvizon deklarata e Kreut të Shtetit përmes së cilës “i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të ushtrojë të gjithë autoritetin ligjor për të shmangur çdo pengesë që krijohet në hetimin dhe zbulimin e së vërtetës”.
Kjo çështje u debatua gjatë dhe në Komisionin e Sigurisë ku nesër pritet të japin shpjegime Ministri i Brendshëm, dretorji i Policisë dhe ai i Shërbimeve sekrete. Ndërkohë opozita këmbënguli sërish se përgjimet janë kryer dhe se sipas saj përgjegjësi direkt është kryeministri Edi Rama.