Si ruhet nga policia 20-vjeçarja që denoncoi Shukri Xhelilin
Drejtoria e Policisë së Dibrë hodhi poshtë akuzat e familjes Alla se nuk ruhet nga efektivë të policisë dhe se janë të pasigurt. Sipas një njoftimi zyrtar të shpërndarë nga policia babai, nëna dhe vëllai i 20-vjeçares A. Alla nuk thonë të vërtetën në deklaratën e tyre se pas mesnate nuk ka shërbime policore pranë banesës së tyre.
Policia thotë se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër apo edhe Gjykata e Peshkopisë nuk kanë vendosur marrjen në mbrojtje të 5 pjesëtarëve të familjes Alla. Megjithatë, policia thotë se dy grupe shërbimi, të përhershme, ndjekin çdo lëvizje të 20- vjeçares dhe familjarëve të saj, për të evituar çdo incident të mundshëm.
“Ne kemi marrë të gjitha masat që pjesëtarët e kësaj familjeje të mos kenë asnjë problem. Nuk merremi me deklaratat e tyre për azil apo largim nga vendi. Ne kemi shoqëruar me persona civilë çdo ditë 20-vjeçaren dhe familjarët e tjerë. Ato nuk janë izoluar për asnjë moment në shtëpi. Kanë dalë dhe nuk kanë pasur asnjë problem. Shërbimet tona i ndjekin në distancë dhe bëjnë kujdes që ato të mos kenë probleme” – thuhet në sqarimin e policisë, citon Panorama.
Burimet saktësojnë se çdo 30 minuta patrullat e Policisë, kryesisht me efektivë të veshur civilë, raportojnë në Komisariatin e Policisë së Peshkopisë dhe në Drejtorinë e Policisë Qarkut Dibër për çdo lëvizje të pjesëtarëve të familjes Alla.