Albspirit

Media/News/Publishing

USAID: Reformimi i drejtësisë shqiptare kërkon mbështetje të gjerë

Ndihmës Administratori i Përgjithshëm i USAID për Europën dhe Azinë, Thomas Melia u bëri sot thirrje partive politike shqiptare të gjejnë mirëkuptimin për të miratuar së bashku reformën në sistemin e drejtësisë.
Zoti Melia tha se këtë javë agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar USAID filloi në Shqipëri një projekt të ri për reformën në sistemin e drejtësisë, e cila është e rëndësishme për modernizimin e këtij sektori.
“Projekti synon të përmirësojë administrimin e gjykatave, efektshmërinë e tyre dhe të lehtësojë rastet e prapambetura”, tha zoti Melia.
Ndërkohë në parlament partitë po negociojnë reformimin e sektorit të drejtësisë.
“Dua të kurajoj partitë politike që të punojnë drejt arritjes së një mirëkuptimi, tha zoti Melia, sepse reforma në drejtësi kërkon mbështetje të gjerë. Kjo reformë e modernizon drejtësisë dhe USAID po bën pjesën e vet, duke sjellë ekspertë ndërkombëtarë që të ndihmojnë në disa nga aspektet administrative të procesit”, tha ai.
Përfaqësuesi i USAID për Europën dhe Azinë, Thomas Melia, i bëri këto komente në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri gjatë një takimi mbi të Ardhmen e Bujqësisë Shqiptare.
Në këtë fushë projekti Agro-Kapital i agjencisë po mbështet prej 3 vjetësh me 14.8 milionë usd shumë fermerë dhe biznese përmes Creative Business Solutions (CBS).
Edhe në këtë tryezë konsultative mbi ekonominë dhe bujqësinë, zoti Melia gjeti rastin të theksojë nevojën për të reformuar sistemin e drejtësisë.
“Mënyra më e mirë se si ne mund t’i vijmë në ndihmë këtyre bizneseve është duke mbështetur reformat në sistemin gjyqësor dhe atë të drejtësisë në Shqipëri. Reforma për sektorin e drejtësisë, që po zhvillohet aktualisht në parlament është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi. Garantimi i shtetit të së drejtës do të ketë një ndikim të dukshëm në krijimin e një mjedisi biznesi më transparent, më të barabartë dhe më të sigurt, që mbështet kreditimin dhe mundësitë e financimit” – tha Ndihmës Administratori i Përgjithshëm i USAID për Europën dhe Azinë, Thomas Melia.
Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, paraqiti në Tiranë një projekt 9 milion dollarësh për sektorin e drejtësisë.
Zoti Melia u bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë të ecin me miratimin e reformës në drejtësi, duke i quajtur jetike ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të propozuara.
Ai tha se vonesat dëmtojnë zhvillimin e vendit.
Zoti Melia theksoi angazhimin e plotë të qeverisë amerikane mbi përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe kthimin e besimit të qytetarëve shqiptarë tek sistemi gjyqësori.
USAID-i do t’u ofrojë mbështetje edhe organizatave të shoqërisë civile, gazetarisë investigative dhe medias për të forcuar rolet e tyre si aktorë të rëndësishëm në procesin e reformës në drejtësi, në mënyrë që ky proces reformash të fitojë qëndrueshmëri dhe legjitimitet para publikut.

Zëri i Amerikës

Please follow and like us: