Clinton, më pranë kandidaturës demokrate
Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dje hodhi një hap më pranë sigurimit të kandidaturës së demokratëve për president. Pas numërimit të shumicës së votave të zgjedhjeve paraprake në shtetin e Kentakit, zonja Clinton ka një epërsi prej rreth dy mijë votash ndaj rivalit të saj, senatorit Bernie Sanders. Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se ende nuk do të shpallin fituesin, por zonja Clinton mbrëmë deklaroi fitoren.
Duke folur para mbështetësve dje, senatori demokrat Bernie Sanders e vlerësoi rezultatin e zgjedhjeve në Kentaki si një fitore për të.
“Më lejoni të falenderoj banorët e shtetit të Kentakit. Në këto zgjedhje të mbyllura, formë të cilën unë nuk e preferoj aq shumë, ku të pavarurit nuk lejohen të votojnë, ku Sekretarja Clinton në vitin 2008 mundi Barack Obamën me një epërsi prej 250 mijë votash, duket se ne sonte do të marrim rreth gjysmën e delegatëve nga Kentaki”.
Rezultati përfundimtar nuk do të ketë shumë rëndësi pasi demokratët ndajnë delegatët në mënyrë proporcionale dhe të dy kandidatët do të përfundojnë me një numër pothuajse të barabartë të delegatëve nga Kentaki.
Senatori Sanders fitoi zgjedhjet në shtetin veriperëndimor të Oregonit.
Megjithatë, zoti Sanders do të duhet të fitonte rreth 85 përqind të delegatëve të mbetur për të kaluar në epërsi ndaj zonjës Clinton dhe për të marrë emërimin e partisë demokrate. Deri më tani, ai ka arritur të fitojë me një epërsi të tillë vetëm në shtetin e tij të Vermontit.
Demokratët më 4 dhe 5 qershor do të mbajne zgjedhje paraprake në Ishujt Virgin dhe Porto Riko. Këto dy territore nuk kanë delegatë të mjaftueshëm për t’i siguruar zonjës Clinton kandidaturën, por ajo pritet ta arrijë këtë më 7 qershor, kur gjashtë shtete do të zhvillojnë zgjedhje paraprake.
Kandidati i partisë demokrate do të përballet me kandidatin republikan Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Një anketë e kanalit NBC News e publikuar dje, tregon se zonja Clinton ka një epërsi të vogël ndaj zotit Trump, 48 me 45 përqind, duke shënuar një rënie në krahasim me anketat e mëparshme ku ajo kishte një epërsi prej pesë pikësh.