Edhe autorja e “Harry Potter”-it, kritika Trumpit
Autorja e “Harry Potter”-it, J.K. Rowling e përdori fjalimin e saj të pranimit të çmimit të dhënë për letërsinë nga “PEN/Allen Foundation” në Nju Jork për të përcjellë një mesazh tolerance dhe, me qëllimin ta bënte sa më të kuptueshëm, përdori shembullin e Donald Trumpit.
Vitin e kaluar pamë një peticion “online” për t’i ndaluar Trumpit hyrjen në Britani, – tha ajo. – U mblodhën gjysmë milioni firma. Unë personalisht e konsideroj të kundërshtueshme çdo gjë, që Trumpi nxjerr nga goja. Atë vet e shoh si një njeri fanatik dhe ofendues. Por, ai e ka të gjithë mbështetjen time, nëse dëshiron të vijë këtu në vendin tim, – tha Rowling, – e t’i tregojë këtu fanatizmin e fyerjet e tij.
Vet manjati njujorkez, ndërkohë, bëri një tjetër hap prapa nga qëndrimet e tij, që kanë shkaktuar deri më sot jo pak polemika. Në një intervistë me moderatoren e “Fox News”, Megan Kelly, me të cilën u përplas ashpër gjatë një debati televiziv vitin e kaluar, ai u përpoq t’i zbuste marrëdhëniet mes tyre, duke treguar disi se ka keqardhje e duke premtuar se nuk do të ketë më fyerje në të ardhmen.