“Femra dhe natyra”, nën vështrimin e artistit Adi Shehu
Ekspozita në galerinë e Qendrës Rinore Tirana
Adi Shehu zgjedh të mos e ndajë femrën nga natyra, duke hulumtuar në telajo të dyja gjendjet që të ofrojnë ato. Duke e shkrirë me natyrën, ai i jep femrës të gjitha cilësitë e një frymëzimi të përhershëm. “Femra dhe natyra” quhej ekspozita që më shumë se një javë qëndroi e hapur në Galerinë e Qendrës Rinore Tirana, nën koordinimin e Desantila Hetës. Punimet e prezantuara në këtë ekspozitë ishin bërë me materiale të papërdorshme apo mbetje të ndryshme, një teknikë që ai e ka hulumtuar që fëmijë. Më përpara ai ka punuar me lëvoret e pemëve, me copa dërrasash, me myshqet e pemëve, me lëvoret e frutave të thata e shumë materiale të tjera. “Ç’është e vërteta, nga ajo kohë deri më sot unë kam ndryshuar konceptimin dhe përdorimin e materialeve në punimet e mia. Punimet për realizimin e kësaj ekspozite i kam nisur shumë më parë, thjesht në një ditë të zakonshme, me datë 8 mars, me rastin e festës së gruas, ku me ndihmën e koordinatores Desantila Heta vendosëm që këto punime t’i prezantojmë për publikun e gjerë. Në fillim punimet niseshin në formë kubizmi pastaj prekeshin me apo materiale të tjera, ku filloi dhe u jetësuan nudot”, thotë Shehu. Sipas tij, nuk ishte e qëllimshme nudoja, por një dëshirë e tij që të bënte diçka ndryshe. Pra, me materialet nga natyra pikturon femrën. Ndërsa materialet e tjera në punimet e tij janë copa xhamash, bukë peshku, çorape apo geta femrash, bizhu të prishura, pëlhura të ndryshme, letër alumini, farat e frutave të thata, fije sintetike, copa tallazhi të mobileve, etj. Një nga këto është dhe punimi “Peshku i ëndrrave të saj”, i cili është i bërë me riciklimin e xhamave të hedhura apo dhe me bukë peshku dhe çorape femrash, duke i kombinuar dhe me pikturat, ngacmime dekorative. Ka punime të tjera që janë bërë me guaska, me mbështjelljen e buqetave të luleve etj. Këtu mund të shtojë edhe raste të copave të kompjuterëve të prishur, pllakëza që krijon dekoracione të veçanta, siç është një punim imazhi i një roboti “Femra Robot” dhe “Mashkulli pa gjini”. Një pjesë e punimeve vijnë nga emocione e përvoja personale apo histori të treguara nga miqtë, shoqe e femra të ndryshme, te të cilat është munduar të sjellë psikologjinë si një element i veçantë e më pas në studion e artistit jetësohen me mbetjet urbane. Ka punime të tjera, siç është “Imazhi i posterit”, që është femra. Aty artisti është munduar të japë imazhin e një veze, ku bërthama është një femër. Në ditën prezantuese të ekspozitës, Adi solli një performancë kuptimplotë, ku një balerinë e veshi me letër alumini për të shpjeguar imazhin e posterit. Femra, sikurse një krimb i fluturës, filloi të lëvizte dhe të jepte një ritëm jete, ritmi i jetës që simbolizon femrën dhe natyrën. Në punimet e artistit Adi Shehu, jetësohen edhe histori të thella sociale, si drama e lindjes së një fëmije, momentet e paralindjes, forca, shpirti i trazuar u përkthyen në gjendje ankthi nga ana e saj. “Këtë dramë, errësirën, pra të papriturën se si do të dalë fëmija dhe shpirti i trazuar e kam hedhur në letër. Është pikërisht momenti utilitar i dhembjes dhe gjendja emocionale përpara se të lindë fëmija që më ka ngacmuar për të bërë punimin.” Ka punime të tjera, siç anë ato me tematikën “Ëndrra e trazuar”. Kjo gjithashtu vjen si ngacmim nga histori personale, kryesisht nga femrat. Adi do të shprehet se për të punuar për ekspozitën i është dashur mjaft kohë t’i njohë. Ai është përpjekur të njohë dhe studiojë feminizmin, si lëmi studimesh antropologjike. Artisti është munduar të njohë edhe një rast për përdhunimin e një femre, një forcë shumë të madhe emocionale. “Ka shumë gjendje shpirtërore që janë përkthyer në punim”, thotë ai. Kjo ekspozitë për artistin synon të japë dy mesazhe, për mjedisin, si dhe për femrën. “Mbetjet urbane të mos duken si pengesë, por ta kthejmë këtë ndotje pse jo në aspekte të ndryshme artistike. Gjithashtu edhe për femrën, duke e shfaqur me mbetjet dhe elementet e papërdorshme të natyrës, t’i japim publikut mesazhin se femra nuk është një mbetje, seksi i dobët, por ajo është kudo. Natyra duhet trajtuar si femër dhe femra si natyrë”, thotë ai.
E rëndësishme në këtë ekspozitë është që publiku të kuptojë kauzën e fortë që riciklimin duhet ta shikojmë edhe si art, mbase do të jetë edhe një ngacmim për artistët e tjerë që mbetjet urbane të mos i shikojmë si mbeturina, por t’i marrin dhe të iniciojnë ide të tjera, si skulptura parku apo vepra të tjera. “Qëllimi ynë, shprehet Desantila si koordinatore e projektit, është që këtë ekspozitë ta paraqesim edhe në diasporë”, ku pas këtij promovimi në Tiranë, synojnë të jenë pranë komunitetit shqiptar në Kanada. Projekti tjetër personal i Desantilës është realizimi i eksperimentit për prodhimin e Biogazit në Shqipëri.