Kanceri i gjirit? Shkencëtarja shqiptare tregon për zbulimin historik
Pjesë e zbulimit të madh historikë nga shkencëtaret për origjinën e kancerit të gjirit dhe ilaçin shërues, ishte edhe shqiptarja Iris Papa, e cila ka koordinuar pjesën franceze të këtij projekti.
E ardhur nga Franca, ajo e cilësoi këtë zbulim në emisionin “Vila 24”, si arritjen më të madhe të këtyre 20 viteve, pasi deri më tani nuk dihej origjina gjenetike e sëmundjes që merr çdo vit mijëra jetë njerëzish.
“Rëndësia më e madhe këtij studimi është fakti se për herë të parë të gjithë shkencëtarët u mblodhën për t’i dhënë përgjigje një pyetjeje, a mund t’i gjejmë ne faktorët gjenetikë që janë në origjinën e të gjithë kancerave të gjirit. Dhe origjina është një listë e 93 gjeneve që janë të implikuara në shkaktimin e kancerit të gjirit”,- tha Papa.
Zbulimi historik tregon se, nga 20 mijë gjene në trupin e njeriut, 93 prej tyre pësojnë çrregullim, duke shkaktuar sëmundjen e kancerit.
Tashmë, industrisë farmaceutike i duhet të prodhoje ilaçe për shërimin e 93 sëmundjeve që shkaktohen nga ky çrregullim gjenetik.
Mjeku hematolog Arben Ivanaj, theksoi se, duke kuptuar mekanizmat e lindjes së kancerit së gjirit, ne kuptojmë më mirë refklektimin e tij tek jeta jonë praktike.
Ai theksoi se, mjekët shqiptarë duhet të bashkëpunojnë më tepër me të huajt përmes konferencave shkencore.
“Kush e shkakton kancerin, faktorët e jashtëm që veprojnë me këto dëmtimet gjenetike dhe si ta reflektojmë ne në praktikën tonë të përditshme, në punën tonë të përditshme këto studime. Puna e parë është pjesëmarrja e Shqipërisë në këto aktivitete”,- tha Ivanaj.
“Në përgjithësi thonë se nëse në një familje, ka mbi dy gra, një vajzë, një motër, një nënë të lidhura me këtë sëmundje, duhet që çdo femër e kësaj familje të tregojë kujdes një herë në vit të paktën për kontroll të vazhdueshëm”,- shtoi Iris Papa.