Albspirit

Media/News/Publishing

Maqedoni: Kushtetuesja pezullon zgjedhjet e 5 qershorit

Mblidhet Parlamenti në Shkup pas vendimit të Kushtetueses për pezullimin e veprimtarive eletkorale. Opozita akuzon Gjykatën Kushtetuese si të komanduar nga politika. Para Gjykatës Kushtetuese kanë nisur protestat.

Mazedonien Protest vor dem Verfassungsgericht in Skopje

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë vendosi të pranojë nismën e BDI-së, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për shpërndarjen e Parlamentit të Maqedonisë, që votoi për vetshpërndarjen e tij më 23 shkurt për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja, të cilat ishin caktuar për datën pesë qershor. Gjykata gjithashtu vendosi që deri në vendimin përfundimtar të pezullojë të gjitha aktivitetet elektorale. Vendimi u arsyetua me – siç thuhet – ndjeshmërinë e situatës në të cilën ndodhet Maqedonia. Ky vendim ka shkaktuar protesta para selisë së ksuhtetueses në Shkup. Vendimi konsiderohet si i motivuar politikisht dhe se me këtë ndryshim kushtetues i jepet drita e gjelbër amnestisë së pshpallur më 12 prill nga presidenti Ivanov ndaj personave nën hetimin e Prokurorisë Speciale.

Veljanovski thërret seancë urgjente të Parlamentit

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë për pezullimin e vendimit për shpërbërjen e Parlamentit, shpalljen e zgjedhjeve më 5 qershorit, si dhe të gjitha vendimet e tjera të miratuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski thirri seancë të jashtëzakonshme, në të cilën pritet të vendoset për anulimin e datës së zgjedhjeve të caktuara për 5 qershor.

“Duke e pasur parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e informoj opinionin e Maqedonisë se në bazë të kompetencave të përcaktuara thërras seancën plenare. Dua të shpreh besimin tim të thellë se zhvillimi i proceseve demokratike në Maqedoni më së miri mund të bëhet në Parlamentin e Maqedonisë, për këtë arsye u bëj thirrje deputetëve pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partiake që të marrin pjesë në këtë seancë”, shprehet kryeparlamentai Veljanovski. Ndërkohë, BDI-ja ka paraqitur një nismë për ndryshimin e kodit zgjedhor që parashikon anulimin e datës së zgjedhjeve, por pa kërkuar një datë të re për mbajtjen e tyre.

Mazedonien Protest vor dem Verfassungsgericht in Skopje

Reagimi i partive politike për vendimin e gjykatës

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti e ka mirëpritur vendimin e gjykatës, që sipas tij mundëson riaktivizimin e parlamentit si hap i parë dhe i domosdoshëm për zgjidhjen e krizës së rëndë politike. “Ftoj të gjithë liderët, mediat si dhe shoqërinë civile që të veprojnë me përgjegjësi të plotë përballë gjendjes në të cilën gjendet vendi dhe të kontribuojnë për rikthimin e sigurisë, stabilitetit si dhe të përkushtohemi fuqishëm për një agjendë serioze reformuese”, thuhet në reagimin e kryetarit të BDI-së.

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë e vlerëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese si hap që konfirmon se drejtësia në Maqedoni funksionin nën presion dhe se vendimet nuk sillen nga gjykatësit por nga politika. “Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është edhe një dëshmi se vendimet i shkruan Nikolla Gruevski, e jo petku zyrtar në gjyq”, shprehet Renata Deskosa nga LSDM.

Për kryetarin e PDSH-së Menuh Thaçi vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është marrëveshje mes partnerëve të koalicionit qeveritar. “Pas këtij vendimi qëndron marrëveshja mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Vendimi duhej të ishte marrëveshje mes të gjithë partive politike”, ka thënë Thaçi.

Vendimi i kushtetueses mundësi e re për dalje nga kriza

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese hap rrugën për thirrje të Parlamentit dhe anulim të zgjedhjeve të 5 qershorit. Kjo paraqet edhe një mundësi të re për Parlamentin dhe liderët politik që të demonstrojnë me vepra përkushtim ndaj Marrëveshjes së Përzhinës, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane. “Kjo kornizë mbetet mënyra më e mirë për ta nxjerrë vendin nga kriza aktuale”.

SHBA bënë thirrje që urgjentisht të anulohet edhe amnestia e 12 prillit që solli presidenti Ivanov, ku janë të përfshirë edhe persona që hetohen nga Prokuroria Speciale. Në këtë mënyrë do të ruhet parimi i përgjegjësisë, do të shmanget drejtësia selektive dhe do të neutralizohen shqetësimet rreth mosndëshkimit. “Puna e papenguar e Prokurorisë Speciale është jetike për të siguruar përgjegjësi për keqpërdorimet e mundshme në lidhje me përgjimet, si dhe për të tejkaluar krizën aktuale”, thuhet në kumtesën e ambasadës amerikane.

Ekspertët juridik: gjykata është e politizuar

Profesori Lubomir Fërçkovski vlerëson, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregon qartë se “baba” i Gjykatës Kushtetuese është ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Sipas tij për këtë vendim ka vendosur Nikolla Gruevski dhe askush tjetër, pasi ai është nikoqir i kësaj gjykate dhe ka vendosur që në moment të fundit të heqë dorë nga zgjedhjet e 5 qershorit.

“Zot i Gjykatës Kushtetuese është Nikolla Gruevski, kjo u dëshmua sot kur të gjithë gjykatësit njëzëri vendosën që të shpallin si kundër kushtetues vendimin për vetshpërbërjen e Parlamentit. Me këtë Gruevski përfundimisht tregoi qartë se nuk guxon të shkojë në zgjedhjet e 5 qershorit”, ka thënë Lubomir Fërçkovski.

Nëse konfirmohet se VMRO dhe BDI, kanë shkelur Kushtetutën me vendimin për shpërbërjen e parlamentit, deputetët e këtyre partive duhet të mbajnë përgjegjësi penale.“Ata duhet të kenë përgjegjësi morale dhe juridike lidhur me këtë çështje. Sipas dispozitave ligjore: “Deputeti në miratimin e çdo vendimi shfaq vullnetin e tij dhe nuk përgjigjet penalisht”. Por, në raste konkrete, për vendimet antikushtetuese dhe antiligjore atëherë kërkohet përgjegjësi penale”, deklaron profesor Kadriu.

Ekspertët vlerësojnë se gjykatat megjithatë nuk do t’i dënojnë deputetët e VMRO-DPMNE dhe BDI-së edhe nëse dëshmohet se kanë shkelur kushtetutën.

Please follow and like us: