Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta gazetari Agim Nezaj

Agim NezajAgim Nezaj, një personazh i njohur i publicistikës shqiptare të dy dekadave të fundit, është ndarje nga jeta dje në moshën 54-vjeçare pas një sëmundje të rëndë. Pedagog dhe autor librash, Nezaj është i njohur për kontributin e dhënë për gazetarinë shqiptare. Ndarja e tij e parakohshme nga jeta është pritur me hidhërim nga miqtë dhe lexuesit. “Ky personalitet mbresëlënës, me një kontribut të spikatur çerekshekullor në gazetari, në komunikim, në jurisprudencë, si dhe në lartësimin e emrit të Shqipërisë në sytë e të huajve, përçoi ngaherë tek publiku shqiptar me një ndjenjë të lartë profesionalizmi vlerat më të spikatura profesionale dhe njerëzore. Me ikjen e parakohshme të Agimit, gazetaria shqiptare, arti i komunikimit me publikun dhe institucionet tona shtetërore, ku u shqua për vite me radhë si një zëdhënës dhe këshilltar për shtyp i përkryer dhe jetëgjatë, humbën një nga personalitetet e spikatur, një nga pikat kryesore të referimit akademik dhe mbi të gjitha njerëzor, ndërsa ju, bashkëshortin, prindin dhe të afërmin tuaj më të shtrenjtë”, do të shprehej në mesazhin ngushëllues drejtuar familjes, Presidenti Bujar Nishani. Agim Nezaj ka lindur në Tropojë. Në vitin 1987, u diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, për “Gjuhë angleze dhe letërsi shqipe”. Po ashtu, Nezaj u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1999. Prej 25 vitesh, ai punoi si gazetar, pedagog i komunikimit dhe këshilltar për komunikimin në zyrat më të larta të shtetit. Fillimet si gazetar i kishte në gazetën Alternativa SD, ndërsa deri para dy vitesh, kur nisi betejën me sëmundjen e rëndë, ishte kryeredaktor i gazetës ‘Koha Jonë’. Përgjatë kësaj periudhe, ai shkroi artikuj dhe analiza politike te Panorama, Gazeta Shqiptare, ndërkohë që nga 1997 ishte për disa vite korrespodent i televizionit britanik, Sky News etj. Por pasioni i madh i Agimit ishte njohja e Shqipërisë për të huajt. Në vitin 1991 ai botoi guidën e parë për turistët nga një autor shqiptar “Albania – Travel Guide”, guidë që njohu përmirësime, plotësime dhe u ribotua disa herë që prej atij viti. Publikimi i fundit i përket vitit 2014. Ndërkaq në lëmin e turizmit ai pati edhe botime të tjera të gjitha në anglisht. Po Agim Nezaj botoi edhe dy libra të tjerë për komunikimin, ndërkohë që jepte lëndët e ‘marrëdhëniet me publikun dhe zyrën e shtypit’ në Universitetin e Tiranës, Departamentin e Gazetarisë, si dhe në disa universitete private të kryeqytetit. Si rrallë ndonjë zyrtar i lartë i administratës publike, ai punoi për shumë vite në stafe të ndryshme politike si rezultat i profesionalizimit dhe integritetit të tij. Gazetarët e viteve ’90 e njohin Agimin si themeluesin e institucionit të zëdhënësit në institucionet shtetërore. Ai punoi si zëdhënës dhe më pas këshilltar për mediat, fillimisht në Ministrinë e Drejtësisë, ndërkohë që u ndërruan 7 ministra por jo zëdhënësi nga viti 1994 deri në vitin 2000. Më pas punoi si këshilltar për mediat dhe komunikimin i Prokurorit të Përgjithshëm Sollaku, këshilltar dhe shef i kabinetit të Inspektorit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Llalla, këshilltar për mediat dhe komunikimin i ministrit të Jashtëm dhe zëvëndëskryeministrit Meta dhe më pas këshilltar për mediat i Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, deri në vitin 2012.

Please follow and like us: