Albspirit

Media/News/Publishing

Në Spanjë, duke kërkuar Don Kishotin

Cervantes-house-alcalaNë Alcala’ De Henares, qytetin e lindjes së Servantesit

Sokol Thana

Për të kuptuar se si duhet ta shikojmë botën që na rrethon, do të duhet të udhëtojmë. Të mbërrijmë në çdo cep dhe t’i marrim erë, të nuhasim nëse aty ku po vendosim të jetojmë ka të ardhme dhe një vazhdimësi, apo kur është momenti për t’ia këputur vrapit për t’u rehatuar diku gjetkë. Sa e varfër është jeta për ta kuptuar në katër muret e dhomës. Qofsh ti fantazisti më i madh ndonjëherë i parë mbi këtë dhe’, do të duhet të shikosh qoftë për t’i provuar të paktën vetes se ajo që je duke jetuar nuk është një ëndërr a një ide utopike e krijuar në mugëtirën e mjegullës pa pasur një strukturë. Dhe mënyra më e mirë për ta kuptuar këtë ndonjëherë është mënyra Servantiane. Ajo më e thjeshta ndonëse duket më e komplikuara. Ajo që të jep një kujtim të ri, ndonëse je duke kërkuar për një tjetër. Ajo që ndryshon reaksionet e një zinxhiri të madh, e në fund ndoshta për herë të parë ti do të fillosh të shfaqesh jo më si fantazmë e ikur nga qyteti, por si një shpëtimtar i një ideje e pse jo i ndonjë qyteti. Ky vit ishte viti i 400 i Servantesit dhe qyteti i tij i lindjes, Alcala’ De Henares, u bë epiqendra e festimeve nga ku mund të dëgjoje që nga britmat e para të Migelit si fëmijë, i cili nuk e dinte që një ditë edhe ato do të kujtoheshin, e deri tek orvatjet e Don Kishotit për të shpëtuar Spanjën nga duart e kriminelëve dhe për ta risjellë atë në lavdinë e dikurshme. Ishte ashtu siç e kisha imagjinuar, vetëm se më bukur. Gjithmonë jam i lëkundur kur vjen puna tek ky kolos mendimi dhe idesh, sepse të pretendosh të njohësh Servantesin, do të thotë të jesh në gjendje të mos e kuptosh realitetin dhe të zgjedhësh të bësh, të krijosh diçka tjetër, diçka të re, diçka nga e para. Sa e prekje atë tokë të kuqe, lë që të transmetonte të gjithë fuqinë e saj përrallore dhe magjike, të mbushur vetëm me buzëqeshjen e banorëve, por arrinte të të bekonte pa frikën se do të mund ta tradhtoje, si të ishte tashmë e sigurt se dashuria jote për të, me ta prekur, nuk do të shteronte asnjëherë. Aty gjeje vendin ideal për t’u prehur, sepse dielli thuajse nuk perëndonte dhe ndieje sikur dita nuk mbaronte, për të filluar një e re. Por, magjia e vërtetë ndodhte gjithmonë pas shiut. Mjaftonte një çast i vetëm dhe i vogël për të kuptuar se jeta mbizotëron dhe anashkalon të parëndësishmen për t’i dhënë rëndësi çastit. Ndodheshim rrugës për në Segovia dhe mjegulla kishte mbuluar gjithçka. Për një moment nuk e dinim se çfarë kishim përpara, mbrapa apo anash. Dhe kur shiu filloi të binte dhe të çante shtresat e mjegullës një nga një, aty në atë çast u shfaq një pyll i stërmadh që na rrethonte dhe rruga jonë që e çante atë mes për mes tregonte kuptimin e vetë jetës së Servantesit. Një mundim për të cilin ia vlejti ta jetonte, sepse nuk kishte pengesa që t’i hiqnin besimin se një ditë do të krijonte një copë parajse dhe që do të bënte që kjo rrugë që ai përshkojë, të shërbente si kryeshembull i një njeriu të thjeshtë. Shtëpia në të cilën Migel de Servantes lindi dhe u rrit nuk kërkonte shumë kohë për t’u parë. Ishte e vogël, e thjeshtë, e mbledhur dhe e hapur mjaftueshëm, e ndonëse këtyre, rëndësinë më të madhe e merrte një kohë që ndoshta nuk perceptohej lehtë dhe ndërhynte në frekuencat e kësaj kohe moderne që po jetojmë dhe më bëri që të qëndroja më shumë seç do të duhej të qëndroja aty. Të dy katet e asaj shtëpie kishin nga tetë dhoma. Tani do të më quani të pavërtetë pse e quajta të vogël shtëpinë dhe që të gjashtëmbëdhjeta dhomat tregonin ndodhitë e rritjes së Servantesit. Aty mund të kuptoje se ku qëndronte ai në më të shumtën e kohës; përpara oborrit të asaj shtëpie duke i bërë rrengje mamasë së tij Leonorit, e cila ishte duke mbajtur ujin e nxjerrë nga pusi i shtëpisë. Ishte objekti i parë që ti hasje sa hyje në atë derë prej druri të mbrojtur nga disa brazda të çelikta. Mund ta imagjinoje vendin ku hante në tryezën e ngrënies, në karrigen e tij, e cila ndoshta mund të ishte dhoma më e madhe e asaj shtëpie. Mund ta shikoje tek admironte punën e babait të tij Rodrigos, në dhomën e projektuar për të ushtruar profesionin e tij të mjekut. Dhe të mendosh që shtëpia ishte ngjitur me Spitalin e Antezanës, ku babai i tij, Rodrigo de Servantes mundi të punonte. Në të majtë të shtëpisë, në momentin kur kishe kaluar dhomat e sipërpërmendura dalloje me një shikim se çfarë impakti kishin pasur femrat në jetën e Migelit. Predominanca e tyre dallohej ndonëse dhoma ishte e vogël. Ai ishte i rrethuar nga dy motrat e tij Andrea dhe Luisa, tre dhe një vjeç, kur ai lindi në 1547, Nëna e tij Leonor de Cortinas, gjyshja e tij Loenor de Torreblanca, tezja e tij Maria dhe kushërira Martina, vajza e Marias. Pati kaq fat, sepse në atë epokë kur ai lindi, ishin femrat që kujdeseshin për edukimin e fëmijëve, ndërsa marrëdhëniet me babain ndaloheshin tek respekti dhe detyrimet. Histori të vogla të asaj shtëpie, ku lindi njëri prej legjendave letrare botërore janë për të dëshmuar se sa të prekshëm dhe qumështorë janë deri në momentin që ata marrin detyrimin për t’i shërbyer një qëllimi më të lartë, një qëllimi më të drejtë e që të shpie përkundrejt rrëzimit. Ndoshta rrudhat shtohen me kalimin e kohëve, por shpirti, shpirti mbetet po qumështor si në fillim, sepse për të koha nuk ka rëndësi. E vetmja që është hyjnore është dashuria që i drejtohet të pastrës; të prekshmes dhe të paprekshmes. Në atë shtëpi, vëreje pikturat e shumta të varura në mur, ku secila prej tyre tregonte një personazh të asaj familjeje. Vëreje objektet e besimit të tyre fetar, të vendosura thuajse kudo. Mirëpo ishte shpresëdhënëse për realitetin dhe vërtetësinë e tij, çasti kur u përballa me pikturën e Migelit të varur në dhomën kryesore të katit të dytë, nga e cila mund të shikoje rrugën kryesore nga ku nisi udhëtimi i Don Kishotit. Por, pse shpresëdhënës! Sepse, kuptova pse ai shkroi pa fund gjer në frymën e tij të fundit. Pse ai krijoi një vepër të dytë, vazhdimësinë e kalorësit utopik. Pse ai kërkoi të syrgjynoste librat kalorsiakë, kohëkaluar. Pse zgjodhi Sanço Pançën si shqytar të Don Kishotit dhe pse zgjodhi këtë emblemë kulturore dhe në të njëjtën kohë reaksionare, si Don Kishoti. Pse?! Por, ju tashmë e dini se pyetja më e rëndësishme nuk është pse-ja, porsi-ja. Thënë nga Shekspiri. Sepse si-ja zhbirilon se si ka funksionuar mendja e tij dhe ku ai ka dashur të na shpjerë. Nuk mund të mos përdorë shembullin e shqiptarit dhe të Shqipërisë për ta kuptuar më mirë. Më ngjason se ne jemi thuajse të gjithë Don Kishota dhe po të gjithë Sanço Panço. Të gjithë ne mundohemi në të njëjtën kohë të kryejmë rolin si të shpëtimtarit ashtu dhe të shërbëtorit. Ndoshta ky është mësimi i madh që na jep Servantesi; Shërbëtori mund të jetë shpëtimtar, por kur e kupton rëndësinë e tij dhe ky nuk është rasti ynë. Të gjithë ne fokusohemi dhe rrotullohemi nga një ideal, i cili është një qorrsokak dhe nuk të jep dritë në fund të tunelit. Mundohemi të shpëtojmë ditën me kryeneçësi dhe jo me mençuri. Njësoj si Don Kishoti kur merrte shpatën e tij të pamprehur për të shpëtuar damixhelat a njerëzit e varfër nga rreziku. Të gjitha këto ai i tha për të shpjeguar rëndësinë e punës dhe përpjekjeve për të rrëmuar kudo dhe për të gjetur atë pakëz dritë që Naimi ynë flet tek ‘Fjalët e qiriut’. Ajo pakëz dritë do të mjaftojë sa për të nisur udhëtimin tonë dhe kësaj here për t’ia dalë mbanë. Sepse sado larg tokës tënde, koka vjen e rrotullohet pse kërkimi për të nisur një udhëtim të ri nuk është i mundur për ne. Energjia e këtyre fjalëve merr forcë nga vetë Migel de Servantes, sepse kush më mirë se ai do të ishte bariu i tyre dhe njëkohësisht drejtues i tyre, për të na diktuar rrugën dhe për të na e bërë me gisht se ka ardhur koha që shtresat klasore të pavërteta të bien dhe të tregohen për të vërtetat që përmbajnë. Ka ardhur koha të deklasojmë ekonominë dhe njerëzit të jetojnë të qetë. Ka ardhur koha që gjendja sociale, kulturore, ekonomike, politike të marrë frymë, ndoshta për herë të parë. Dhe mjaft me kohët kur kalorësit mesjetar ziheshin për një shikim, apo me kohët kur kalorësit utopikë zgjidhnin pasqyrimin në vend të përmirësimit të së vërtetës. Shqipëria është ndoshta shembulli më i mirë pse Servantesi e shkroi veprën “Sojliu mendjemprehtë Don Kishoti i Mançes”, dy vëllime. Sepse, përderisa do të ekzistojnë vende, shtete të tilla si ky i yni, atëherë Servantesit do t’i kujtohet emri dhe vepra dhe për katërqind vjet të tjera e më shumë, sepse gjenialiteti i këtij njeriu, ishte pikërisht ky, vullneti dhe përmirësimi i gjedjes. Në më të mirën e gjendjes, ky njeri do të na bëjë për të qeshur, sepse përpos të gjithave, mundimit dhe punës, pa pak hare e të qeshura nuk do të shtyheshin.

Please follow and like us: