Norvegji: Licenca për shpime në Detin Barenc
Norvegjia u ka dhënë 13 kompanive licencat për shpime të naftës në territorin e saj, përfshirë një pjesë e cila më parë nuk është eksploruar në Detin Barenc.
Tre prej 10 licencave të dhëna sot kanë të bëjnë për shpime afër kufirit norvegjez me Rusinë, në territor për të cilin dy vendet kishin mospajtime të gjata, deri në vitin 2010, kur u arrit një marrëveshje.
Të drejtat e shpimit sipas dy licencave i janë dhënë kompanisë shtetërore norvegjeze, Statoil, ndërsa e treta iu dha një grupi tjetër norvegjez, Det Norske, ku kompania shtetërore ruse, Lukoil, e ka pjesën madhore të aksioneve.
Grupet për mbrojtjen e ambientit e kanë dënuar këtë veprim duke thënë se ekosistemi i pasur por i ndjeshëm në Detin Barenc, nuk guxon të rrezikohet me rrjedhje të naftës.
Kompanitë e tjera, që u janë dhënë licencat janë Lundin e Suedisë, që është e përfaqësuar në pesë prej 10 licencave, grupeve amerikane Chevron dhe ConocoPhilips, dhe kompanisë britanike, Centrica.