Albspirit

Media/News/Publishing

Anulohen zgjedhjet e 5 Qershorit në Maqedoni, nuk shpallet datë e re

maqedoniaaaNë Shkup, Parlamenti maqedonas vendosi sot anulimin e zgjedhjeve të 5 qershorit 2016, ku pas çeljes zyrtare të fushatës elektorale, vetëm VMRO-DPMNE e Gruevskit kishte nisur garën. Mbledhja e Parlamentit erdhi pasi më herët ai ishte shpërndarë dhe kryetari i saj kishte deklaruar se e kishte të pamundur rimbledhjen.

Kryetari i Kuvendit e caktoi këtë seancë pas vendimit të sotëm njëzëri të Gjykatës kushtetuese të Republikës së Maqedonisë që të fillojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit për shpërndarjen e Parlamentit nga 18 janari i vitit 2016 dhe Vendimit për ndryshim të vendimit për shpërndarjen e Kuvendit nga 23 shkurti i vitit 2016. Me këtë rast, gjykatësit kushtetuesë sollën edhe masë kohore me të cilën ndalohen aktivitetet zgjedhore.

Iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për shpërndarjen e Parlamentit u parashtrua nga Talat Xhaferi nga BDI-ja. Me 96 vota pro dhe asnjë kundër ose abstenim, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sonte në seancë të jashtëzakonshme plenare, miratoi ndryshimet e Kodit zgjedhor me procedurë të shkurtuar. Me ndryshimet e propozuara nga Talat Xhaferi nga BDI-ja, nuk parashihet datë e re për mbajtje të zgjedhjeve.

Në debatin për ndryshimet zgjedhore  janë dëgjuar shumë akuza, sulme të ndërsjella për gjendjen në vend, për atë kush çka ka fituar ose ka humbur nga anulimi i zgjedhjeve. Deputetët e opozitës konsideruan se zgjedhje korrekte nuk mund të mbahen, ndërsa deputetët e partisë qeveritare se opozita iku nga përballja me popullin për shkak të rejtingut të ulët.

Kuvendi pranoi dhe dorëheqjet e ministrave të Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe të Punës dhe Politikës Sociale Frosina Tashevska-Remenski, si dhe të zëvendësministrave plotësues të Financave Kire Naumov, të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Aleksandar Kiracovski dhe të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski.

Deputetët, në propozim të Emil Dimitriev, kryeministrit për zbatimin e zgjedhjeve të parakohshme, i zgjodhi për anëtarë të rinj të Qeverisë Mitko Çavkov të Punëve të Brendshme dhe Dime Spasov të Punës dhe Politikës Sociale.parlamenti i maqedonise

Please follow and like us: