Albspirit

Media/News/Publishing

Çmimi Madeleine Albright për 2016, nderohet një OJQ nga Ballkani


Sfidat aktuale në Evropën Qendrore dhe Lindore nuk mund të gjejnë përgjigje pa një angazhim aktiv të gruas në jetën politike. Ky ishte mesazhi i ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright dje në Uashington ku ndau çmimin e sivjetshëm me ermin e saj, për një organizatë joqeveritare në Maqedoni. Zonja Albright veçoi në fjalën e saj shembuj nga Ballkani, duke përmendur ish-Presidenten e Kosovës Ahtifete Jahjaga, si dëshmi e vizionit pozitiv që sjell gruaja në politikë.

Fituesi i sivjetshëm i çmimit Madeleine Albright, organizata Reactor në Maqedoni do ta përdorë grantin prej 25 mijë dollarësh për të zgjeruar rrjetin e kontakteve dhe komunikimit për t’u informuar dhe luftuar fenomene si diskriminimi gjinor, sulmet apo praktikat e njëashme në dëm të gruas.

Reactor, tha zonja Albright “vepron në një rajon që është shumë i dashur për mua”. Ajo foli për sfidat e Ballkanit, si shkallëzimin e populizmit ekonomik dhe fuqizimin e rrymave politike nacionaliste, të cilat po vënë në rrezik integrimet dhe proceset demokratike duke sjellë polarizim dhe ekstremizëm në popullatë. Gratë, vazhdoi më tej ish-sekretarja e shtetit, kanë një rol të madh për të luajtur në përgjigje të këtyre sfidave.

“E pamë këtë në Kosovë, ku e para grua në detyrën e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga (ja ku është në sallë edhe ambasadorja e Kosovës) e tregoi veten si një udhëheqëse vizionare; ajo është tani një ndër miket e mia shumë të mira, fola me të dje. Shpresojmë që shembulli i Kosovës të përsëritet në Maqedoni, falë punës së organizatës Reactor”, – tha zonja Albright.

Duke i dorëzuar çmimin drejtoreshës së organizatës Tanja Maleska, zonja Albright tha se Reactor dëshmon se ndryshimet politike ndodhin përmes marrëdhënieve, rrjeteve dhe lidhjeve njerëzore. Me anë të grantit prej 25 mijë dollarësh që ofron çmimi, tani politikanet në Maqedoni do të krijojnë një platformë dixhitale që t’i ndihmojë të bashkëpunojnë duke kapërcyer dallimet partiake, si dhe të lidhen me gratë në komunitet për të analizuar problemet dhe gjetur zgjidhje për to.

Please follow and like us: