Kërcënimi i Blushit, Hafizi sulmon Ramën: U fsheh pas Berishës
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, deputetja socialiste Mimoza Hafizi doli në mbrojtje të kolegut të saj Ben Blushi, i cili u kërcënua nga kryebashkiaku i Kavajës.
Hafizi sulmoi kryeministrin Rama duke thënë se ai u fsheh pas Berishës.
“Është e njëjta kjo, fytyra e shtetit tonë që funksionon vetëm për të fortin. Në fakt ligjet njerëzimi i ka ngritur për të kundërtën e kësaj, për të mbrojtur të dobëtin nga i forti. Mendoj se nuk mund të ndodhë ndryshe nëse shteti administrohet nga njerëz me të shkuar e të tashme të dhunshme, nga pushtetarë, siç kemi rastin e kryebashkiakut të Kavajës, i cili as nuk e di pse është i inkriminuar as nuk e di se cili është emri i vet. Guxon të kërcënojë një deputet dhe në fund guxon të kërkojë edhe një ndjesë të tipit rilindës, një ndjesë të tipit njëlloj sikurse shefi i vet kërkonte ndjesë për shkeljet në parti dhe vazhdonte me të njëjtin kënaqësi të shkelte statutin e partisë”, tha Hafizi.
Mimoza Hafizi njihet si një prej mbështetëseve të Ben Blushit. Ajo ka qenë tepër aktive në publik, sidomos në kohën para dhe pas Kongresit të PS-së.