Mogherini pret që sanksionet kundër Rusisë të vazhdojnë
Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, thotë se pret që sanksionet kundër Rusisës, për shkak të aksioneve të saj në Ukrainë, do të vazhdojnë edhe pas muajit korrik.
“Shefat e shteve dhe të qeverive kanë kërkuar që sanksionet të tërhiqen kur marrëveshja e Minskut të implementohet në mënyrë të plotë”, tha zonja Mogherini, në një intervistë të publikuar sot në të përditshmen gjermane, Die Welt, dhe ka shtuar se “por, këtë gjë ne nuk e kemi arritur ende”.
Marrëveshja e Minskut e nënshkruar në shkurt të vitit 2015 ka ndihmuar në reduktimin e luftimeve ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në pjesën lindore të Ukrainës, por përleshjet sporadike kanë vazhduar.
Gjatë këtij konflikti, që ka filluar në prill të vitit 2014, janë vrarë 9,300 vetë.
Bashkimi Evropian ka imponuar sanksione kundër Rusisë, në vitin 2014, në shënjestër të të cilave janë sketori i naftës, mbrojtja dhe bankat, ndërsa ato parashihej të zgjasin deri në fund të muajit korrik.
Disa shtete anëtare të BE-së kanë sugjeruar se sanksionet do të mund të lehtësoheshin në përpjekje për uljen e tennsioneve me Moskën.