Albspirit

Media/News/Publishing

PD sulmon ashpër KQZ

PD sulmon ashpër KQZ: Po mbron interesat kriminale, nuk publikon formularët e dekriminalizimit

Partia Demokratike akuzoi Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve se ka shkelur ligjin për dekriminalizimin duke mos publikuar formularët e vetëdeklarimit në faqen zyrtare ne internet, në adresë cec.org.al. Nënkryetari i PD, Edi Paloka, tha afati për publikimin e tyre skadoi sot dhe se kjo shkelje e ligjit bëhet nga pjesa e kapur e KQZ për t’i shërbyer kryeministrit Rama dhe interesave kriminale.  Ai nuk kurseu as kryetaren e këtij KQZ.

“Kuvendi i Republikës e ka urdhëruar KQZ që ta bëjë këtë publikim, por KQZ nuk e ka bërë.Shkelja e këtij urdhëri, është shërbimi që pjesa e kapur e këtij institucioni, i bën Edi Ramës dhe interesave kriminale.

Po ashtu, ka skaduar afati ligjor e publikimit të listës së funksionarëve që nuk kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit, të cilët janë rreth 40 këshilltarë bashkiakë të mazhorancës. 40 funksionarë që po fshehin krimet e tyre.

Eshtë e qartë se këto nuk janë skandeca kohore, por pengesa kriminale për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Partia Demokratike i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të zbatojë ligjin, dhe jo paktin me krimin. Të publikojë të dhënat e të mos fshehë krimet e të inkriminuarit. Dekriminalizimi është një arritje e madhe e vendit dhe e qytetarëve, e vlerësuar nga ndërkombëtarët dhe nga Shtetet e Bashkuara si reformë model, dhe nuk mundet dhe nuk ka për tu ndalur dot nga Edi Rama dhe lefteritë e tij, tha Paloka.

Sipas PD, çdo pengesë, çdo ndalim që i bëhet dekriminalizimit, është një vepër e rëndë penale. Paloka paralajmëroi se ata që e kryejnë këtë vepër penale do të përgjigjen deri në një para ligjit. /Lapsi.al

Please follow and like us: