Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarët me famë botërore – Blerim Destani

Aktori tashmë i njohur , Blerim Destani, po vazhdon të korr sukses në kinematografi, duke u bërë kështu një nga protagonistët më tërheqës të fabulave filmike. Një nga filmat e mëdhenj të Blerimit që e kanë bërë të njohur përtej trojeve shqip-folëse është filmi “Frauen” që në gjermanisht do të thotë “Gratë”. Ai aktron përkrah aktorëve të njohur gjerman Heiner Lauterbach dhe Martin Brambach. Vlen të theksohet se filmi ku merr pjesë Destani i takon zhanerit të komedisë, ndërsa aktori ka filluar tashmë të punoj për projekte të reja. Si në çdo film Hollywood-ian, në këtë rrëfim ka pasion, aventura dhe mjaft dashuri, ku pasioni më i madh është ai për aktrimin. Aktori Blerim Destani, pas filmit “Koha e kometës”, përjeton kohën e suksesit, që si i tillë, ka sjellë mjaft ndryshime në jetën e aktorit të ri. Tetë filma, e shumë projekte për t’u realizuar në një karrierë e nisur bukur dhe që parashikohet të ecë gjatë, derisa talenti dhe ambicia nuk mungojnë…

Emri i tij ka mbërritur edhe në Hollywood, vendin ku ëndrrat e artistëve bëhen realitet. U bë i njohur për publikun shqiptar me filmin “Koha e kometës”, të regjisorit Fatmir Koçi, ku ai interpretonte rolin e Shestanit. Para këtij filmi ai ishte një aktor i ri me shumë dashuri për profesionin që po kërkonte vendin e tij në arenën e kinematografisë botërore. Menjëherë pas suksesit të filmit “Koha e kometës”, jeta e tij ndryshoi tërësisht. Filmat e realizuar dhe ofertat joshëse e kanë shndërruar atë në një aktor me përvojë.

Duket se periudha më delikate e një aktori, është ajo që ndan suksesin e një filmi me pritjen e produktit të ardhshëm. Si ka qënë për Blerimin kjo periudhë, pas suksesit të “Kohës së kometës”?

“Është e vërtetë se te secili artist pas përfundimit të një projekti pason një fazë kohore ku ai ndjen një zbrazëtirë pasi nga vetja ka zbrazur një sasi të madhe emocionesh dhe energjie. Dhe kjo fazë zakonisht kalohet duke tentuar të rimbushësh bateritë. Një fazë të tillë kisha pas përfundimit të “Koha e kometës”. Mund të them se unë isha me fat, dhe pas filmit “Koha e kometës” më vërshuan oferta të tjera dhe projekte shumë të rëndësishme. “Koha e kometës” ishte filmi im i tretë, ndërsa unë tani kam realizuar filmin tim të tetë. Kështu që tani edhe kohën mes projekteve e kam plotësisht të programuar dhe më duhet që atë ta shfrytëzoj maksimalisht për tu përgatitur për projektin e radhës,” ka deklaruar aktori në një intervistë.

Por sigurisht që ne duam të dime se kush ishte Blerimi para filmit që i dha famë “Kohës së kometës”? Dhe ja si shprehet ai:

“Para “Koha e kometës” isha një aktor i ri, me shumë dashuri për profesionin e aktrimit, një aktor që kërkon vendin e vet të merituar në arenën e kinematografisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Më pas isha një aktor i ri, me një përvojë të suksesshme pas vetes dhe me dashuri edhe më të madhe për profesionin e aktrimit. Tani jam një aktor me shumë përvojë në arenën ndërkombëtare të kinemasë,” ka deklaruar aktori.

Blerimi ka lindur më 12 prill të vitit 1981 në Stolberg të Gjermanisë. Ai është shqiptarë por që fëmijërinë e tij e ka kaluar në Tetovë të Maqedonisë. Në moshën 14-vjeçare ai është shfaqur në televizion për herë të parë në dokumentare apo pjesë të shkurtëra e sidomos në filmin “Atje ku nuk lind dielli” ku u dallua talenti i tij. Në fakt të gjithë jemi kurioz të dimë si nisi ky pasioni i tij për kinematografinë, por më mirë le të citojmë fjalët e vetë aktorit:

“Që kur di për veten, jam gjendur para syrit të kamerës. Imazhet e para të fëmijërisë që më kujtohen janë skenat që babai im i xhironte me kamerën e tij, më pas ky pasion i tij tek unë filloi të formësohet dhe kamera u bë një nga lodrat e mia të preferuara. Sot jam shumë i lumtur që e kam të njëjtin pasion ndaj atij syri magjik të kamerës.”

Bleri ka deklaruar gjatë xhirimeve të çdo filmi se është shqiptarë e madje ka shprehur dëshirën dhe ka aplikuar për pasaportën shqiptare krahas asaj të vëndlindjes së tij, Gjermani.

Ai ndjehet me fat si aktor pasi i është dhënë shansi për të punuar me produksionet më të mëdha të Holliwood-it. Por kur mediat e ngacmojnë dhe e pyesin se sa ka ndikuar paraqitja e jashtme për realizimin e ëndrrës suaj, ai nuk heziton të thotë se:

“Ndoshta pamja e jashtme mund të ndihmoj për fazën e parë të prezantimit, por më pas të nevojiten të gjitha elementet tjera që janë të domosdoshme në këtë profesion.”

Ai gjithashtu ka luajtur në filmin “Get loë” në SHBA ku ka aktruar përkrah ikonës së aktrimit Robert Duvall, e më pas në filmin belg “Dossier K”, ku ka performuar një nga rolet kryesore. Ky film pati një sukses të jashtëzakonshëm në Belgjikë dhe pas prezantimit në “Marketin e Berlinales” po shfaqet nëpër botë. Po ashtu ai ka realizuar edhe një film gjerman “Die Wanderhure”.

Ai ka bashkëpunuar me aktorë të mëdhenj si: Robert Duvall, Bill Murray, Sissy Spacek, Rhona Mitra, Scot Cooper, Lucas Black, Bill Cobbs… etj.

Filmat më të arrirë të Blerimit janë: Në vitin 2004, filmi televiziv “Metropolet”, 2005 filmi artistik “Kosova – Desperate Search”. Në vitin 2007 Blerimi u angazhua në rolin kryesor në filmin “Koha e kometës” me skenar dhe regji të Fatmir Koçit. Në vitin 2008 interpreton në filmin “At World´s End” si dhe në filmin “Separation City” ku bashkëpunoi me yjet e kinematografisë botërore siç janë: Rhona Mitra, Thomas Kretchman dhe Joel Edgerton. Në vitin 2009 u angazhua në filmin holivudian “Get Low” ku luajti përkrah ikonës së aktrimit Robert Duvall si dhe yjeve të kinematografisë siç janë Bill Murray, Sissy Spacek, Scot Cooper, Lucas Black dhe Bill Gobbs. Në të njëjtin vit luan në filmat “Dossier K” përkrah yjeve të kinemasë belge dhe në filmin gjerman “Die Wanderhure, etj”. Ka pasur shumë spekullime mbi një marrëdhënie të mundëshme të Blerimit me vokalisten e ish grupit “Pussy Cat Dolls” Nicole Scherzinger, madje ata janë fotografuar së bashku, por Blerimi duke mbajtur jetën private larg medias ka thënë se ata janë thjeshtë miq.(Raela Hafizi)

Please follow and like us: