Shqiptarët me famë botërore –Fadil Berisha
2016-05-18 14:54:58 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fadil Berisha tashmë prej shumë vitesh me banim në Nju Jork, ka ikur nga Tropoja drejt ShBA-së në moshën tetë vjeçare. Fillimet e karierës së tij në një tokë të huaj, ai i ka pasur si fotograf për disa dyqane apo koleksione veshjesh. Më pas ai arrit të kualifikohej si fotograf mode dhe nisi të punonte për firma të njohura si Avon, Bloomingdale, Macy and Nordstom etj. Ndërkohë punimet e tij publikoheshin në revistat më prestigjoze si :
Vogue, Mademoiselle, Elle, Allure, Cosmopolitan, Glamour, Harper’s Bazaar, Marie Claire, Seventeen, V, Vanity Fair, W, Esquire, GQ, dhe revistat më prestigjoze shqiptare si Specter e shumë të tjera.
Ai është fotografi zyrtar i Miss Universe, Miss ShBA-së dhe Rolex.
Sipas gazetares Belina Budini, në fillim Fadili Berisha numëronte me gishta femrat shqiptare që donte të fotografonte, sidomos ndër ato të shpallura mise, një pjesë të të cilave nuk i gjente aq fotozhenike për zoom-in e kameras së tij. Objektivi i aparatit profesional të Fadil Berishës u dashurua pastaj pas fytyrave të artisteve shqiptare si Inva Mula e më vonë edhe Rovena Dilo e Eli Fara dhe tek-tuk edhe të ndonjë misi, ndër të cilët Berisha veçon dy miset e para shqiptare, Valbona Selimllarin, Valbona Çoba si edhe misin e 2002, Anisa Kospirin, të cilën e çmon edhe për inteligjencën dhe mënyrën me të cilën ka ditur ta prezantojë veten në Miss Univers. Fotografi Fadil Berisha, një prej fotografëve më të suksesshëm shqiptarë në botë, që ka punuar me yje të ekranit e të spektaklit në Amerikë, dëshiron të vërë urat e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ai së fundi ka bërë një set fotografik për këngëtaren Era Istrefi, e cila ndodhej në Amerikë para pak muajsh pikërish për t’u fotografuar nga i madhi Fadil Berisha.
Ai ka shprehur gjithmonë se ka vetëm një peng në koleksionin e tij të gjërë të fotografive të njerëzve të famshëm. Ai ka shprehur gjithmonë se pengu i tij është foto e Nënë Terezës ose Gonxhe Bojaxhiut, së cilës ai nuk pati kurrë mundësinë të vërë emrin e tij poshtë fotos së saj.
Gjithashtu mund të kujtojmë se pak përpara se të fitonte Oskarin, aktorja e shkëlqyer Halle Berry, bëri një set të tërë fotografik nga Fadili dhe është shprehur se “këto janë fotot më të bukura të jetës sime”. Një shërbim të veçantë fotosh artistike i ka bërë edhe Bill Klintonit dy muaj përpara se ky të linte Shtëpinë e Bardhë.
I ka punuar mbi shumë projekte të rëndësishme por dy nga ato ai i ka më përzemër. I pari ka të bëjë me një album të veçantë, ku të përmbledhë disa nga fotografitë e tij më të mira bërë artistëve dhe aktorëve të famshëm amerikanë. Ndërsa projekti tjetër është një album fotografik, me femra e meshkuj shqiptarë, të cilët i ka fotografuar gjatë viteve. Dëshiron të prezantojë bukurinë shqiptare. Mendon që shqiptarët janë njerëz të bukur dhe këtë do ta tregojë kudo që shkon nëpër botë. Ka edhe një projekt tjetër që ka të bëjë me një ekspozitë, sërish të bukurisë shqiptare. Ka në planet e tij një ekspozitë në Nju Jork dhe në Tiranë.
Fadili ka një djalë të quajtur Blair. Nëse ndodheni në Nju Jork në rrugën 20, ka shumë mundësi që mund të përballeni me një tabelë “B&B Couture”. Mos ngurroni për të hyrë! Ai është biznesi premtues i djalit të fadilit i cili është vërtet i talentuar në punën e tij. Tashmë mund të themi se talenti për të vlertësuar të bukurën dhe për t’a ekspozuar atë në këndvështrime të ndryshme rrjedh në genet e familjes Berisha.(Raela Hafizi)