Tefta për kryetare
Jo pak bujë ka bërë deklarata e gjysmës tjetër të Shukri Xhelilit.
Sipas gojëve të liga, Kupidi e ka goditur fort me shigjetën e tij bashkëshorten e ish-kryebashkiakut të Peshkopisë.
Pas deklaratave të sotme, vajza e deputetit Namik Dokle, Anika Dokle, i ka kërkuar Teftës që të bëjë si Hillari në SHBA dhe të kandidojë për kryebashkiake në Dibër.
Thuhet se Anika ka bërë ironi, por një lëvizje e tillë mund të ishte ajo e duhura.
Nga një studim i gjendjes në vend, gojët e liga kanë dalë në përfundim se Bashkive të Shqipërisë i mungojnë pikërisht kryetarët tolerantë ndaj anomalive të vogla.
Qytetarët e Peshkopisë janë shprehur entuziastë për një kandidim të mundshëm të Shukrovicës, a.k.a Tefta.
Një grua që në momente të tilla, të kërkon ta mbash kokën lart dhe që nuk divorcohet prej teje, është për lidere shteti – u shpreh një qytetar që sapo kishte tradhëtuar gruan.
Edhe punëtorët e Bashkisë Peshkopi, që deri para pak ditësh ishin nën drejtimin e Shukriut, janë shprehur fuqimisht se duan të vazhdojnë të punojnë nën kryesinë e Teftës, duke shpresuar që ajo t’ua falë kur vijnë në punë me vonesë.
Tolerancë e tillë është parë e dëgjuar vetëm në instancat e larta shtetërore, kur pa asnjë lloj detyrimi apo interesi, Rama dhe Meta u bënë 1, pavarësisht disa keqkuptimeve të vogla në të kaluarën.