Albspirit

Media/News/Publishing

Babai i deputetit Armando Prenga në gjyq për grabitjen e një prone

Babai i deputetit socialist Armando Prenga është vënë nën akuzë nga Prokuroria, pasi akuzohet për falsifikim dokumentesh.

Organi i hetimit ka dërguar në gjykatë kërkesën për gjykim ndaj Ndue Prengës. Prokuroria e Kurbinit bën me dije se Prenga nëpërmjet falsifikimit ka ndërtuar dhe ka kërkuar regjistrim në Hipotekë të një lokali dykatesh në qytetin e Laçit. Hetimet ndaj tij kanë nisur në vitin 2014.

Në fakt, ishte vetë Prenga që ju drejtua me një padi civile Gjykatës, duke kërkuar njohjen e pronësisë së truallit ku ishte ndërtuar lokal, duke pretenduar se “kjo hapësirë është pronë shtet dhe e posedon atë që prej vitit 1992. Për të provuar pretendimet e tij, i pandehuri Ndue Prenga ka dorëzuar në gjykatë gjatë procesit civil edhe lejen e sheshit të ndërtimit dhe lejen e ndërtimit, të cilat sipas tij i ka marrë nga autoritetet lokale në vitin 1996”.

Nga ana tjetër, sipas Prokurorisë, pjesë e procesit gjyqësor ishte edhe familja Nokaj, e cila pretendon se është trashëgimtare e ligjshme e truallit ku është ndërtuar lokali. Ishte kjo familje që ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Kurbinit, duke deklaruar se dokumentet ishin të falsifikuara.

Sqarimi i Prokurorisë së Kurbinit:

Prokuroria e Kurbinit ka zhvilluar hetimin, në bazë të të cilave ka rezultuar e provuar me aktin e ekspertimit se, dokumentat e paraqitura në procesin civil nga ana e shtetasit Ndue Prenga, janë tërësisht të fallsifikuara.

Me aktin e ekspertimit teknik-grafik, datë 01.04.2016, është arritur ne konkluzionin se:

1-Nënshkrimi tek rubrika “Kryetari i këshillit të Bashkisë” ne dokumentin per dhenie sheshi ndertimi nr.9 date 24.05.1996, z.Ndue Prenga, është tërësisht i fallsifikua.

  1. Nënshkrimi te rubrika “Kryetari i KRRT Kurbin“, në dokumentin ‘Leje ndërtimi nr.6 datë 06.06.1996, nuk është nënshkruar nga kryetari i asaj kohe, shtetasi B. R. Shenja e vulës në këtë dokument është tërësisht e fallsifikuar.
  2. Nënshkrimi te rubrika “Miratohet P/KRRT Kurbin, B. R., në dokumentin planvendosje “bar-bufe” për Ndue Prenga, nuk është shkruar nga shtetasi B.R. Nënshkrimi në këtë rubrikë është tërësisht i falsifikuar. Shenjat e vulave në këtë rubrikë, për dokumentin plan-vendosje janë tërësisht të falsifikuara.
  3. Nënshkrimi te rubrika “Miratohet P/KRRT Territorit Kurbin Kryetar” në dokumentin “studim urbanistik pjesor “bar-kafe” për Ndue Prenga, është tërësisht i falsifikuar.

Falsifikimi i dokumenteve të mësipërme, është realizuar nëpërmjet fotokopjimit të tyre me anën e fotokopjes me ngjyra.

Në këto kushte, Prokuroria e Kurbinit e akuzon të pandehurin Ndue Prenga për konsumimin e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

 

Please follow and like us: