FORMULARET/ Mazhoranca dhe opozita barazim, 5 me 5 numri i deputetëve me precedentë penalë
Politika shqiptare u përfshi nga debatet mbi pjesëmarrjen e personave me të shkuar të dyshimtë në jetën politike të vendit pas zgjedhjeve të vitit 2013. Një ish-deputet, Arben Ndoka, i cili dha dorëheqjen vitin e kaluar, ka një vendim të konfirmuar për trafik qeniesh njerëzore në Itali ndërsa një tjetër, Mark Frroku, është i akuzuar për vrasje dhe aktualisht në paraburgim.
Ligji “Për Garantimin e Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike”, parashikon vetëdeklarimin e mbi 6 mijë zyrtarëve të niveleve të larta.
Mes kryebashkiakëve, pesë kryetarë bashkish, tre socialistë dhe dy demokratë deklaruan të shkuar me akuza dhe dënime.
Zbardhja e vetëdeklarimeve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë zbuloi se dhjetë deputetë kanë qenë të akuzuar apo të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale. Disa deputetë duket se nuk kanë deklaruar akuzat për shpërdorim detyre.
Mazhoranca
Armando Prenga, deputetit i Partisë Socialiste i përjashtuar nga kjo parti vitin e kaluar pasi u akuzua se hapi zjarr dhe plagosi disa qytetarë, ka deklaruar vetëm problemet aktuale me drejtësinë, tre akuza, për armëmbajtje pa leje, plagosje e lehtë dhe kanosje. Prenga rezulton se ka ndërruar emrin. Ai ka qenë quajtur më herët Mondi Prenga.
Parid Cara, deputetit nga Partia Socialiste, ka një dënim administrativ me gjobë nga një gjykatë në Itali për shkelje të Kodit Rrugor.
Përparim Spahiu, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim rezulton gjithashtu i padënuar, por ai ka qenë nën hetim në vitin 2009 nën akuzën “Kundërshtim të Punonjësit të Policisë”.
Pjerin Ndreu, deputetit i Partisë Socialiste ka deklaruar se ka qenë nën hetim në vitin 2004 në Tiranë për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike, por ka dalë i pafajshëm në gjykatë.
Tom Doshi, deputetit i Partisë Socialiste dhe aktualisht deputet i pavarur pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i kësaj partie vitin e kaluar, ka deklaruar se është dënuar me 1 vit burg nga një gjykatë ushtarake shqiptare në vitin 1990 për akuzën “Shkelje e padenjë në shoqëri”.
Opozita
Arben Ristani, deputeti i Partisë Demokratike është dënuar si gjykatës në vitin 1994 me 5 muaj burg dhe një vit me kusht për akuzën “Dhënie e vendimit të Padrejtë”. Ristani ka sqaruar në formuluarin e tij se vepra penale për të cilën u akuzua është amnistuar pas vendimit të shkallës së parë dhe se po kjo vepër penale është konsideruar antikushtetues në vitin 2008. Ai ka kaluar i ndaluar 48 orë.
Alban Zeneli, deputeti i Partisë Demokratike ka deklaruar dy dënime. Në vitin 1992, ai është dënuar me 6 muaj burg në Kukës për akuzën “Shkelje e Rregullave të Qarkullimit Rrugor” ndërsa në vitin 1996 është dënuar me 30 mijë lekë gjobë për akuzën “kundërshtim i punonjësit të policisë dhe prishje të qetësisë publike”.
Edi Paloka, deputeti i Partisë Demokratike ka deklaruar dënimin e tij me gjobë nga Gjykata e Lartë për shpifje si dhe një dënim të vitit 2000 për tubim të paligjshëm.
Fatmir Mediu, deputeti i Partisë Republikane ka deklaruar se ka qenë nën hetim në Milano, Itali më 1998 për “Pengim i forcave të policisë në kryerjen e detyrës”, ka marrë vendim pafajësie.
Mhill Fufi, deputeti i Partisë Demokratike Mhill Fufi është zyrtarisht i padënuar sipas vetëdeklarimit të tij, por ka qenë tre herë i pandehur, dy herë për favorizim prostitucioni dhe një herë për pjesëmarrje në miting të paligjshëm. Hetimet ndaj tij për favorizim prostitucioni i përkasin viteve 2000 dhe 2001 dhe janë mbyllur me vendim për pushim hetimesh nga prokuroria e Kurbinit dhe ajo e Tiranës. Në të njëjtën mënyrë është mbyllur edhe çështja e pjesëmarrjes në ngjarjet e dhunshme të 14 shtatorit 1998 në Tiranë.