Albspirit

Media/News/Publishing

NATO dhe BE do të bashkojnë forcat


Belgium NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jen Stoltenberg, dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, u zotuan sot për thellimin e bashkëpunimit kundër luftës jokonvecionale duke bashkuar aftësitë e NATO-s dhe të BE-së. Një takim i përbashkët NATO – BE shqyrton rritjen e bashkëveprimit dhe koordinit ndaj rreziqeve të reja, përfshirë Rusinë dhe krizën e emigrantëve në Mesdhe.

Përpara një takimi BE – NATO, zoti Stoltenberg foli për luftërat hibride të paparashikueshme që zhvillon Rusia, duke kombinuar njësi luftarake të paidentifikuara, propagandën dhe presionin ekonomik, si në rastin e aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

“Ka një nevojë të dukshme për koordinim të shtuar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Bëhet fjalë për kibernetikën, infrastrukturën, furnizimin me energji dhe komunikimet strategjike.”

NATO mendon se fondet e BE-së, rrjeti i saj i ekspertëve dhe ambasadave, si dhe njohuritë e saj ekonomike, do të plotësojnë aftësitë e aleancës ushtarake për t’u përballur me probleme, si Rusia, Libia, trafiku i armëve dhe emigrantëve në Mesdhe.

“Ndërkohë që po ndërmarrim hapa të rinj, si trajnimin e rojes bregdetare pranë Libisë, apo zbatimin e embargos së OKB-së për armët, do të na duhet të forcojmë kapacitetet tona. Mbështetja e NATO-s dhe bashkëpunimi me të mund të jetë thelbësor.”

Megjithëse 22 nga 28 vendet anëtare të NATO-s janë edhe anëtare të BE-së, të dy organizmat janë të kufizuara në punën e tyre për shkak të tensioneve ndërmjet Turqisë dhe Greqisë. Ndërkohë që NATO po krijon planet për përballimin e Rusisë në lindje nëpërmjet batalioneve shumëkombëshe, as NATO dhe as BE-ja nuk kanë hartuar një strategji të qartë për të përballur me militantët e Shtetit Islamik dhe dhunën sektare në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

Please follow and like us: