Pornografia, ndikimet shkatërruese në jetën dhe shëndetin tonë
Nga Erion Hiluku
Para pak ditësh një televizion kombëtar transmetonte një reportazh seksi kibernetik në orarin e darkës. Ideja ishte se si gjendej një punë e lehtë, por pa sigurime shëndetësore, duke u zhveshur para një kamere. Një emision tjetër transmeton videot pornografike të një politikani në hotel me dashnoren e tij pa iu prishur fare oreksin mijëra njerëzve. Të nesërmen mijëra shqiptarë kanë parë videot në “youtube”, pa të keq dhe me normalitet. Dhjetëra skandale të tjera seksuale ndiqen me kuriozitet masiv, jo vetëm nga burra, por edhe nga femra e adoleshentë të dy gjinive.
Dhe nuk janë vetëm politikanët protagonistë, por edhe artistë e personazhe publikë (shumë e gjetur kjo) të fushave të ndryshme që fitojnë klikime pa prezervativ. Por nuk mbetet këtu. Në vazhdim të “pornovelës” kombëtare e interpretojnë moralin e ngjarjes dhjetëra të tjerë, nëpër studio televizive dhe gazeta. Padyshim që edhe shoqëria jonë do të “modernizohet” dhe s’ka pse skandalizohet më nga historitë seksuale të politikanëve, të fqinjve, të… Në paradoksin e këtyre ndërhyrjeve pak kush vëren se shpesh inmoraliteti propozohet si moral, me aq këmbëngulje dhe argumente saqë duke mos dalë kush në mbrojtje të moralit, inmoraliteti bëhet normalitet.
Por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Padashur, mbase, mijëra vetë janë bërë ndjekës të këtyre historive duke shikuar e interpretuar pornografi. Po, pornografi, skandalizohu po deshe. Pas kameras së vajzës që zhvishet është një person që paguan për të parë porno. Video e skandalit që kërkohet dhe klikohet me mijëra herë është ndjekje pornografie. Përtej videos, skandali është më i madh. Janë mijëra njerëz që kërkojnë, shohin, shkarkojnë dhe ndajnë me njëri tjetrin ҫdo ditë e më shumë histori të tilla e të tjera. Po kjo nuk ka ndonjë rëndësi sociale për shtetin tonë aq virtual, që edhe të kontrollonte pornografinë e kishte mangut.
Përdorimi i pornografisë në internet ndërkohë shtrihet për shtatë palë qejfe në nivele të ndryshëm socialë, duke krijuar varësi me shpejtësi. Realiteti që nuk të fal, na ka dhënë sinjale të shumta të përmasave patologjike të kësaj varësie, jo vetëm, por edhe të kriminalizimit të saj, ku grupe e individë të ndryshëm e përdorin tashmë internetin dhe videot porno për shantazhe të ndryshme.
Mediat vizive japin kontributin e tyre të ҫmuar në përkeqësimin e situatës duke transmetuar papushim imazhe e skena me ngarkesë seksuale, në kufi të pornografisë. Ndërkohë që personazhe publikë tregojnë, gjoja pa paragjykime, mini-historitë e tyre seksuale duke pozuar demek si të pakompleksuar, kur në fakt bëjnë një biznes me pornografinë. Studimet sociale tregojnë sesi pornografia bëhet shumë shpejt e zakonshme në jetën e njeriut duke ҫuar përdorimi i saj në mungesë sensibiliteti, mërzitje, e shtrembërim realiteti. Pornografia e stimulon idenë se degradimi i femrës është i pranueshëm, duke patur parasysh se përdorimi i pornografisë është shumë më i shpeshtë tek meshkujt.
Ekspozimi i materialit seksual, në internet, në revista dhe televizion lidhet ngushtë me idenë patologjike se femrat janë objekte seksuale. Studimet neurofiziologjike vënë në dukje kapacitetin e pornografisë për të formuar zakone emocionale e varësi, ndërkohë që përsëritja me ekspozim të vazhdueshëm formon koneksione të reja neurologjike që arrijnë në përvetësimin e sjelljes negative. Ekspozimi i adoleshentëve dhe të rriturve me materiale seksuale, kryesisht në internet, krijon një pengesë të madhe në zhvillimin dhe në jetën seksuale të shëndetshme tek të rriturit. Pasojat psikologjike dhe familjare të konsumit të pornografisë janë akoma më të rënda: divorce, dhunë, probleme fizike dhe mendore, sëmundje seksualisht të transmetueshme, shtatzani edhe jashtë martesore, etj.
Censura shumëvjeҫare, mungesa e kulturës, ekspozimi i dendur vizual i përmbajtjeve seksuale, mungesa e një edukimi social gjithëpërfshirës, mungesa e etikës profesionale jo vetëm e mediave, mungesa e shtetit ligjor kundrejt krimeve seksuale, e bëjnë shoqërinë shqiptare viktima më e lehtë e bombardimit të një bote të seksualizuar. Nëse vendet e tjera të zhvilluara kanë dekada që marrin masa shëndetësore, edukative e sociale në fushën e mirëqenies psikologjike e të jetës seksuale, kurioziteti masiv dhe i shfrenuar i mijëra personave në shoqërinë tonë kundrejt aferave seksuale tregon pikërisht papjekurinë e saj në këtë drejtim.
Padyshim që në luftën kundër këtyre zakoneve që i paraprijnë shkatërrimit të individit familja ka rëndësi të veҫantë. Marrëdhënia korrekte e dashuria e babit dhe mamit, stimulimi i dashurisë për familjen dhe vlerat e saj, marrja e përgjegjësisë e ndërgjegjësimi i prindërve janë themelore. Në një shoqëri teknologjike, kjo do të thotë kontroll dhe vigjilencë e Internetit dhe televizionit që përdorin fëmijët.
Në fund, përgjegjësia më e madhe në mirëqenien sociale të një kombi është e qeverisë. Ajo ka për detyrë, që nëpërmjet drejtësisë, përkujdesjes shëndetësore dhe edukative, t’a mbrojë qytetarin, veҫanërisht fëmijët dhe adoleshentët, t’a përkujdesë shëndetin e tij mendor dhe fizik dhe t’i ofrojë edukimin e duhur në lartësinë shkencore të periudhës që jetojmë. Pornografia sulmon një nga institucionet bazë, familjen dhe nëse kjo nuk mbrohet edhe institucionet e tjera si shkolla, spitali, drejtësia do të kenë probleme serioze, sepse të gjitha funksionojnë në zinxhir. Prandaj është detyrë e qeverisë, të mos rrijë kot duke pritur, por të reagojë me urgjencë dhe të veprojë përpara se të jetë tepër vonë e të përballemi pastaj me probleme sociale akoma më të rënda.
Ataku kardiak, shenjat që na paralajmërojnë
Manjola Liko, kardiologe
Ataku kardiak është një nga shkaqet kryesore të vdekshmerise në botë. Më e predispozuar për t’u prekur nga ataku kardiak është zona urbane sesa ajo rurale. Ka një lidhje të fortë midis nivelit të larteë të kolesterolit në gjak dhe atakut kardiak. Sasia e shtuar e LDL kolesterolit inicion proceset e ateriosklerozës.
Faktorët e rrezikut për një individ për të zhvilluar atak kardiak
Përveç nivelit të lartë të kolesterolit në gjak janë trashëgimia, mbipesha, hipertensioni alterial, diabeti, jeta sedentare dhe duhanpirja. Njihet edhe një lidhje me pjesën emocionale. Individët që e kanë tip A personalitetin apo pesimistët janë më të predispozuar për zhvillimin e atakut kardiak.
Kur ndodh ataku kardiak?
Ataku kardiak ndodh kur ka një bllokim të menjëhershëm dhe total të një ene koronare që ndodh zakonisht nga një tromb. Mungesa e furnizimit me gjak çon në dëmtim serioz të muskulit kardiak dhe si rezultat qelizat kardiake fillojnë të vdesin nga mungesa e furnizimit me oksigjen. Shkaku kryesor i bllokimit të enëve koronare është formimi i pllakave aterosklerotike që shkaktojnë një ngushtim të lumenit të këtyre enëve. Ataku kardiak zakonisht fillon në një zonë ku ka çarje të pllakës aterioskerotike. Qelizat e gjakut ngjiten përreth zonës së dëmtuar dhe formojnë një tromb që mbyll papritur të tërë enën e gjakut. Në qoftë se arteria mbetet e bllokuar mungesa e fluksit të gjakut dëmton në mënyrë permanente(të vazhdueshme) muskulin e zemrës.
Simptomat e atakut kardiak janë të ndryshme.
Jo çdo atak kardiak fillon me një dhimbje të fortë gjoksi. Shumica e atakeve kardiake fillojnë ngadalë si një dhimbje e lehtë ose diskomfort, por ka edhe raste kur pacientët nuk kanë asnjë simptomë dhe ky quhet ataku kardiak i heshtur.
Simptomat zakonisht zgjasin për të paktën 10 minuta dhe mund të përsëriten.
Shumica e atakeve kardiake zhvillojnë diskomfort në qendër të gjoksit, që zgjat pak minuta, kalon plotësisht dhe mund të rikthehet. Mund të ndjehet si një shtrëngim, rëndesë, therje, ose si një djegie në qendër të gjoksit.
Dhimbja mund të jetë e formave të ndryshme nga shumë e lehtë, në dhimbje të durueshme apo dhimbje tepër e fortë.
Në raste të veçanta disa individë mund të ndjejnë diskomfort në pjesën e sipërme të trupit ose një debulese apo rëndesë të krahëve. Në raste të veçanta simptoma e atakut mund të jenë: mbajtja e frymës, të vjella, të përzjera, djersitja e shtuar.
Simptomat e anginës kardiake mund të jenë të ngjashme me simptomat e atakut kardiak, por angina është një dhimbje që ndodh në pacientët me sëmundje koronare gjatë aktivitetit dhe qetësohet kur ata janë në qetësi. Angina që nuk kalon, zgjat në kohë mund të jetë shenjë e atakut kardiak.
Pacientët me një dhimbje gjoksi të natyrës së mësipërme duhet t’i drejtohen urgjencës së spitalit për t’iu nënshtruar procedurave të rivaskulizimit koronar ndërmjet fibrinolizës, angioplastikës me vendosjen e stendeve koronare.