Albspirit

Media/News/Publishing

Publikohen formularët, dalin kryebashkiakët e dënuar

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka zbardhur formularët e vetëdeklarimit për zyrtarët publikë (deputetetët, kryetarët e bashkive, ministrate dhe këshilltarët e bashkive), në kuadër të zbatimit të ligjit për dekriminalizimin. Sikundër janë akuzuar nga media dhe opozita, dy kryebashkiakët socialist, Artur Bushi në Krujë dhe Elvis Roshi në Kavajë, kanë pranuar të shkuarën e tyre me rekorde kriminale. Po çfarë kanë deklaruar konkretisht:

Elvis Roshi, kryebashkiak i Kavajës:

Pranon se është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në vitin 2000 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, për krim dhe kundravajtje penale. Ka marrë dënim me gjobë. Pranon se ka qenë nën hetim për kryerjen e një vepre penale nga autoritetet gjermane në Mynchen para vitit 2002, por çuditërisht “nuk i kujtohen rezultatet e hetimit”. Pranon se ka qenë i arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e veprës penale “goditje për shkak të detyrës” në 10 mars 2013. Në përfundim të hetimit është konstatuar “pavlefshmëri i arrestit”. I pyetur nëse ndaj është caktuar ndonjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale, Roshi ka pranuar është i caktuar masa “arrest me burg” dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Sa i përket rastit kur ishte nën hetimi nga autoritetet gjermane, Roshi thotë sërish se nuk i kujtohet.

Artur Bushi, kryebashkiak i Krujës

Pranon se ka qenë i arrestuar në vitin 2010 në Busto Arsizio në Itali, i dyshuar për trafik narkotikës. Është liruar nga gjykata me kërkesë të prokurorisë. Pranon se ndaj tij është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg” në Itali nga periudha 12 qershor 2010 deri në 24 korrik 2010. Ndërsa është shoqëruar për verifikim në polici dhe në vitin 1996.

Agron Kapllanaj, kryebashkiak i Mallakastrës

Pranon se ka qenë i dënuar në Itali në vitin 1995. Më poshtë foto nga formulari i tij.

Xhelal Mziu, kryebashkiak i Kamzës

Pranon se ka qenë i dënuar me dy vjet burg nga Gjykata e Tiranës në vitin 2015, për “shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera”. Ndaj tij ishte vendosur fillimisht masa e sigurisë “arrest me burg”. Në vitin 2016 Gjykata e Apelit e ka shpallur të pafajshëm. Më poshtë foto nga formulari i Mziut.

Please follow and like us: