Albspirit

Media/News/Publishing

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i jep fund përballjes ligjore për pronësinë e tokave nga Manastiri i Deçanit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë fund debatit 16 vjeçar mbi pronësinë e Manastirit të Deçanit. Në një vendim të publikuar në faqen e saj online, gjykata konstaton papajtueshmërinë me Kushtetutën të vendimeve të “Kolegjit të Ankesave të Dhomes së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosoves për çështje që Lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit”.

Palë kërkuese në këtë proces ka qenë Manastiri i Deçanit që ka fituar kështu edhe pretendimin se në trajtimin juridik të kërkesave të tij është shkelur parimi kushtetues i barazisë para ligjit dhe atij për një proces të paanshëm gjyqësor. Lajmit i është dhënë vend edhe nga agjencia shtetërore serbe e lajmeve, Tanjug, që citon edhe një deklaratë të Dioqezës së Rashkës në Prizren, e cila “shprehu kënaqësinë për fundin e konfliktit ligjor” dhe ka vlerësuar kompetencën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. “Vendimi ka rëndësi të veçantë për mbështetjen dhe jetën e Manastirit të Deçanit, një sit që mbrohet nga UNESCO, dhe për të ardhmen e komunitetit të manastirit. Në të njëjtën kohë, ai përfaqëosn një hap domethënës inkurajues, që tregon se edhe në kohë të vështira si këto që jetojmë, është e mundur të mbrohen të drejtat dhe interesat vitale në Kosovë-Metohi”, shkruan “Tanjug”, duke iu referuar deklaratës së Dioqezës(http://tanjug.rs/full-view_en.aspx?izb=247557).

Në një plan më të gjerë, vendimi i Gjykatës dhe pranimi i saj është në thelb njohje e sovranitetit të Kosovës dhe funksionimit të shtetit të saj mbi parimet e të drejtës. Ndaj ngjan pak e pavend që ndërkohë që duartrokitet ky vendim, që rikonfirmon atributet e shtetit të Kosovës, si realitet që nuk zhbëhet më, lufta e pakuptimtë diplomatike e Serbisë, e cila shpallet edhe si mbrojtëse e ortodoksisë në Kosovë, vazhdon ende.

Sa për regjimin e pronësisë së Manastirit të Deçanit ai ka këto momente kryesore që gjykata i ka sjellë në vështrim të gjykimit të vet:

  • Në vitin 1946, me vendim të Këshillit Ekzekutiv Popullor i Rrethit Kosovë-Metohi, bazar në ligjin “Për reformën Agrare dhe Kolonizimin e Brendshëm të Serbisë”, vendosi shpronësimin e Manastirit me disa ngastra toke.
  • Në vitin 1995, qeveria e Serbisë lidhi marrëveshje mbi Dhurimin me Manastirin e Deçanit, që i kthente këtij të fundit një pjesë të tokës së konfiskuar.
  • Në vitin 2000, dy ndërmarrje shtetërore, “Iliria” dhe “APIKO” bënë padi përmes së cilës kërkonin anullimin e Marrëveshjes së Dhurimit.
  • Në vitin 2008, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, përjashtoi qeverinë e Serbisë dhe Komunën e Deçanit si palë në proces, duke lënë vetëm Manastirin.

Të gjitha këto hapa të mësipërme janë konfirmim i qartë i shtetësisë së Kosovës, pranuar nga Beogradi që vazhdon akoma të luajë kartën absurde të pretendimeve për Kosovën.

 

Please follow and like us: