Obama niset për një turne në Azi
Presidenti amerikan Barack Obama u nis nga Uashingtoni për një vizitë një-javore në Vietnam dhe Japoni, udhëtimi i tij i 10 në Azi që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë.
Avioni presidencial Air Force One, u nis të shtunën pasdite në fluturimin e gjatë për në Hanoi. Pas dy ndalesave gjatë rrugës, Presidenti Obama pritet të arrijë rreth 24 orë më vonë në kryeqytetin vietnamez.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se vizita e presidentit në Vietnam dhe Japoni ka për qëllim të demonstrojë përkushtimin e vazhdueshëm amerikan për “ribalancimin” e marrëdhënieve me vendet e Azisë dhe rajonit të Paqësorit. Udhëtimi i tij po ashtu pritet të rrisë angazhimin diplomatik, ekonomik dhe të sigurisë të SHBA me ato vende.
Gjatë vizitës në Japoni, të enjten dhe të premten, presidenti do të ndalet në Hiroshima, ku u hodh bomba e parë atomike në botë, pak para se Japonia të dorëzohej, gjë që i dha fund Luftës së Dytë Botërore. Obama do të jetë i pari president amerikan që viziton Hiroshimën.