Përvjetori i zhdukjes së arkitektit të lirisë së Kosovës
Mund të jenë tejet të rralla rastet e njohura botërisht kur dikush mund të jetë prangosur, burgosur, dënuar e trajtuar kaq mizorisht e zhdukur në rrethana kaq të mistershme, thjesht për shkak të ideve politike siç ka ndodhur me Ukshin Hotin, vetëm e vetëm se e gjithë veprimtaria e tij ishte e fokusuar dhe kulmonte tek liria e popullit të vet.
Ukshin Hoti, ky personalitet i spikatur, i cili pa mëdyshje zë vend ndër personalitet e mëdha të kombit shqiptar, sot e kësaj dite qëndron në krye e listën e martirëve të zhdukur kosovarë. Krusha e Madhe e Rahovecit e lindi birin e shquar të Kosovës më 17 Qershor 1943 e falangat serbe e zhdukën Ukshin Hotin e sapo nxjerrë nga porta e hekurt e burgut të Dubravës më 16 Maj 1999. Një zhdukje kjo e mistershme, akoma e pa zbardhur, një oshëtimë e fortë e njëkohësisht apel i rendit të parë për mbarë kombin, krerët e institucioneve më të rëndësishme mbarë shqiptare në radhë të parë në këtë përvjetor zhdukjeje…
Cili qe fati i vërtetë i jetës së Ukshin Hotit … kush ishin autorët e vërtetë të rrëmbimit e zhdukjes misterioze…. ku ndodhet e prehet ky simbol i lirisë…!? Ndër intelektualët më me emër të Kosovës, profesor, shkrimtar, filozof, shtetar, ministër i jashtëm i Kosovës, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare përgjatë 2-3 dekadave, Ukshin Hoti ishte ndër intelektualët më të arsimuar të Kosovës, ligjërues në disa universitete jo vetëm në atë Prishtinës, por edhe në SHBA ku kishte studiuar e ishte diplomuar. Ka qenë i pari politikan i cili vuri themelet e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me SHBA-në, Shqipërinë e vendet e tjera perëndimore. Në vitin 1981 ishte i vetmi zë i fuqishëm që përkrahu hapur Republikën e Kosovës. Ukshin Hoti ishte ai që punoi fort për filozofinë e çlirimit të Kosovës e që arkitektoi lirinë e saj. E gjithë veprimtaria e tij në shërbim të vendit e vuri patriotin e madh në qendër të vëzhgimit e të përndjekjeve nga regjimi Jugosllav, UDB-ia e gjithkund ku Ai ndodhej në veprimtarinë e pandërprerë publike nëpër bjeshkët e Celinës ku takohej e kuvendonte me militantët e ardhshëm të UÇK-ës përfshi këtu edhe komandantin legjendar Adem Jashari, e deri edhe në kopshtin e tij të perimeve ku ai ulej e lexonte Niçen. Përndjekja e pashoqe do të mbërrinte gjer në familjen e tij, madje perndjekja arrin kulmin ku edhe vajza e vogël 3-vjeçare ‘të distancohej’ prej babait të saj. Kalvari i gjatë i dhimbjeve, i burgosjeve të njëpasnjëshme do ta çonin atë deri në kufijtë e ekzistencës. Ukshin Hoti i gjendur në skajin dramatik të jetës së vet, herë në burg e herë në vendlindje, Krushë e Madhe, ngërthen thelbin dhe ankthin e ekzistencës. Siç nënvizon studiuesi i njohur Sefer Pasha, përtej caqeve mbetet shembëlltyra dhe vlera e filozofit baladesk i cili vendosi gurët e themelit për çështjen shqiptare. Mu në qëndër të pamjes së Kosovës reagoi emocionalisht, doli kundër rrymës dhe me dokumente autentike nxori në sipërfaqe ndjenjat popullit të Kosovës kundër pushtuesit serb.
Arrestimi, burgosja e dënimi i parë i Ukshin Hotit do të ndodhte pikërisht në vitin e nxehtë 1981 ku si intelektual e politikan mbrojti fuqishëm kërkesën e rinisë studentore për Republikën e Kosovës. Burgosja e dytë do të vinte në vitin 1993 vetëm e vetëm se Ukshin Hoti do t’i printe thyerjes se një kordoni policie pasi policia serbe nuk po lejonte kryerjen e homazheve për dëshmorët në Brestrofe. Për herë të tretë Ukshin Hoti do të prangosej në Maj 1994, pasi kthehej nga vizita e grevës së urisë së Adem Demaçit në pallatin e shtypit në Prishtinë… dhe ky rast burgimi që do të zgjaste plot 5 vjet, në fund do të rezultonte fatale. Vetëm një ditë para përfundimit të dënimit zhduket në mënyrë të mistershme…. dihet se kur përpara gjithë botës po shpalosej tragjedia e Kosovës, kur NATO bombardoi Serbinë, Ukshin Hoti mbahej në hekura. Kulmi serb po shfaqej përherë e më mizorisht në mënyra, forma e mjete gjithfarllojeshe. Rrokullisja e ngjarjeve qe e atillë që fati i Ukshin Hotit të plazmohej e bëhej njësh me fatin e gjithë Kosovës , ku një gjë e tillë u ndodh vetëm lidërve martirë. I ndërgjegjshëm për çmimin e lartë të lirisë, populli i Kosovës pranoi flijimin si rrallë-kush ndër popuj. Këtë dramë e përjetoi një popull mbarë, por disafish më shumë e përjetuan ata të cilët ndodheshin nën pranga burgjeve serbe. E shembulli më i qartë është Ukshin Hoti, ku si një epilog biblik, fati i tij u zhvendos në të tjera sfera për të mbetur gjer më sot, fatkeqësisht në mjegull të plotë.
Nga gjithë çfarë është thënë e shkruar për zhdukjen misterioze më të bujshme jo vetëm në Kosovë nëpërmjet dokumenteve të pakontestueshme argumentohet se më 16 Maj 1999, ditën e Dielë në orën 10, drejtori i burgut të Dubravës afër Istogut, Aleksandar Rakoçeviç e nxjerr nga burgu filozofin e Krushës Ukshin Hotin. Këtë e ka pohuar vetë Rakoçeviç për mediat serbe. Hotit i është hapur porta e burgut për ditë të Dielë – ditë pushimi për administratën. Përse pikërisht këtë ditë!? Kush urdhëroi shkeljen e ligjit… kush e shoqëroi Hotin nga qelia deri kur e kanë hipur në makinën që e priste përjashta rrethimit… po pritësit kush ishin? Që nga ky moment gjithçka ka mbetur enigmë. Përgjatë këtyre viteve për Ukshin Hotin janë shkruar artikuj, libra, janë organizuar aktivitete përkujtimore, emrin e tij e mban edhe një shkollë në Krushë të Madhe…po vallë a mjaftojnë vetëm këto?
Tashmë kur kanë kaluar plot 17 vjet nga ditë zhdukja e martirit Kosovar si një oshëtimë e fortë zëri i çdo shqiptari thërret: “Ku ndodhet Ukshin Hoti, ku e ka varrin ky burrë – personalitet i rrallë i kombit? …A është bërë gjer më tash sa duhet nga shtetarët më të lartë të Kosovës, nga institucioni më i lartë i vendit ai i presidencës për t’u shkuar deri në fund hitorisë së të zhdukurve?…Kush nga të pesë presidentët e vendit e ushtroi autoritetin tij me peshën që i takon çështjes jo vetëm në Kosovë, por edhe botërisht. Cila është e vërteta mbi fatin e Ukshin Hotit? Po të Ukshinëve të tjerë, mijra të të zhdukurve që akoma nuk u gjendet varri?
Hedhja dritë mbi fatin real të Ukshin Hotit e të të zhdukurve të tjerë është detyrim ndaj mbarë popullit kosovar, ndaj një kombi të tërë. Ndak institucionet e larta të vendit , shtetarët nuk duhet të rreshtin përpjekjet që kësaj historie –legjendë t’i shkohet gjer në fund.