Piro Milkani: Detajet e panjohura të filmave të Kadaresë
Nga Piro Milkani
Në vitin e largët 1936, Mbretëria Shqiptare kishte hyrë në një fazë stabiliteti relativisht të mirë. Është e vërtetë se në gazetat e kohës shkruhej se atje larg në Spanjë po zhvillohej një luftë civile midis forcave republikane dhe ushtrive të gjeneralit Franko, ku edhe disa “rebelë të çartur” shqiptarë kishin shkuar në përkrahje të Republikës së kërcënuar të komunistes së flaktë Dolores Ibarruri, e njohur përndryshe edhe me pseudonimin Pasionaria. Ndër më të njohurit “rebelë” të binin në sy emrat e gazetarit Petro Marko dhe një oficeri të ri që dezertoi nga shkolla ushtarake në Itali dhe u bë komandant i një regjimenti republikan. Ai ishte 23 vjeçari Mehmet Shehu nga Çorrushi i Mallakastrës.
Mbretin Zog as që nuk e shqetësonin këta “rebelë”. Pjesa më e madhe e kundërshtarëve të tij ose ishin vrarë ose kishin rënë në heshtje larg në mërgim. Ekonomia po rimëkëmbej dhe investimet italiane po jepnin rezultate të mira sidomos në fushën e kërkimit dhe nxjerrjes së naftës. Dy artiste të reja, po në vitin 36, të porsakthyera nga shkollat e muzikës në Europë, njëra këngëtare me emrin Tefta Tashko dhe tjetra pianiste me emrin Lola Gjoka, kishin ndërmarrë një turne nëpër Shqipëri për të dhënë koncerte me muzikë klasike e këngë pupullore shqiptare. Histori kjo fort mirë e njohur nga një film i realizuar gati dyzet vjet më vonë e që titullohet “Koncert në vitin 1936”.
Një mëngjes të freskët pranvere, të vitit 1936, mbreti Zog, apo më mirë t’i themi Naltmadhnia, ashtu si e kishte më në qejf ta thërrisnin vartësit e tij, ishte zgjuar pa dhimbje në stomak dhe dukej më se i çlodhur. Pasi i dërgoi lajm kryeinspektorit të pallatit mbretëror zotit S. Theodhosi e ftoi të shëtisnin në oborrin e pallatit. Nuk kaloi shumë kohë dhe befas i bëri një pyetje fort të kripur kryeinspektorit të tij.
– Dhe tani dua të më thuash, ama me sinqeritet të plotë, se çfarë mendon populli për mua?
– Naltmadhni!…… E ku ta di unë këtë gjë?…
– E di, e di po s’të pëlqen të ma thuash.
– Po si t’ua them ….?!
– Të më thuash të vërtetën – insistoi ai.
– Po ja… thonë se…. Naltmadhnia na vjedh….- e tha me frikë dhe gjysmë zëri.
Dhe kur priste që mbreti të sokëllinte, ai ja dha me të madhe të qeshurës.
– Ha, ha, ha. Unë i vjedh?… Po çfarë ka për t’i vjedhur këtij populli fukara……..?
E duke qenë se kryeinspektori ishte nja njëzet centimetra më i shkurtër se ai, Naltmadhnia u përkul dhe me pëshpërimë i foli:
– Unë vërtet vjedh, po jo popullin tim. Unë vjedh Italinë.
Dimri i vitit 1936 nuk ishte dhe aq i acartë. E pikërisht në 23 Janar lindi në Vuno të Vlorës Dhimitër Anagnosti. Nuk kaloi as një javë dhe më 28 janar, nja pesëdhjetë kilometra më larg se Vunoi, në Gjirokastër, usta Vasili po merrej me rregullimin e çatisë me rrasa guri të nëpunësit të gjyqit Halit Kadareja. Kishte disa ditë që pikat e shiut nuk shkonin të gjitha në stere, por po dëmtonin tavanin e drunjtë të odasë së madhe. Kur në mesditë usta Vasili zbriti nga çatia për të bërë pushimin e drekës, duke u larguar i tha zotit Halit:
– Hajde mirupafshim dhe me një djalë.
Ai, njëlloj si komshia e tij Kako Pino, e dinte se zonja Kadare nga ora në orë pritej të lindte.
Dhe vërtet, ashtu u bë. Pas ndonjë gjysmë ore, pranë oxhakut të adasë së madhe u lind një djalë.
Që nga ajo ditë zoti Halit e bëri mik për zemër usta Vasilin që i doli parashikimi se do t’i lindte një djalë.
Ia vunë emrin Ismail.
Pesëdhjetë kilometra më lart Gjirokastrës, në fshatin Barmash të Kolonjës pa kaluar as tri ditë lindi skulptori Thoma Thomai Dhamo.
Nuk shkoi shumë e në Lushnjë djalit të lindur të familjes Koreshi ia vunë emrin Vath. Po nuk mbaroi me kaq. Aty më në veri, në Malin e Zi, në fshatin Vuthaj lind një djalë me emrin Rexhep Qosja. Ndërsa akoma më larg, në Sarajevë në 1 qershor lindi Bekim Fehmiu.
Ja pse e quaj vitin 1936 vit të mbarë. Të gjithë këta që lindën në atë vit në një mënyrë ose në një tjetër kanë lidhje me letërsinë e kinemanë shqiptare. Ata u bënë figura të spikatura të artit dhe kulturës shqiptare. Dhe për çudi, në rrugëtimin e tyre të gjatë artistik jo rrallë po shpesh do të takohen me njëri-tjetrin për ndonjë bashkëpunim a debat parimor.
Por unë sot do të merrem me atë më rëndësishmin ndër ta.
Me Ismail Kadarenë.
Ajo që më bëri përshtypje këto ditë, në një aktivitet madhor të Akademive të Shkencave të Shqipërisë e Kosovës, të titulluar “Shekulli Kadare” ishte nga njëra anë serioziteti i kumtesave për jetën dhe veprën e Kadaresë dhe, nga ana tjetër, injorimi total që i bëhej kontributit dhe ndikimit të madh të Kadaresë në kinemanë dhe teatrin shqiptar e botëror.
Po të ishte ndryshe as që do ta merrja mundimin të shkruaja këtë artikull apo ese. Quajeni si të doni.
Ne, që e quajmë veten bashkëkohës të Kadaresë, kemi pasur privilegjin e madh të ishim lexuesit e parë të veprave të tij letrare. Unë, për më tepër, pata rastin e rrallë të bashkëpunoj më shumë se një herë me të.
Besoni mos besoni, por unë personalisht librat e tij i lexoja me një frymë, pra brenda ditës. Më pas vinte leximi i dytë. Asokohe kam ndenjur në radhë për të blerë qumështin herët në mëngjes, për të blerë një libër të Kadaresë dhe ndonjëherë edhe ndonjë biletë kinemaje.
Sot, gjashtëdhjetë vjet pas leximit të veprës së parë të tij, mund të them se jo vetëm tek unë, por edhe te shumë bashkëmoshatarë të mi, ai ndikoi në ndryshimin e kodit tonë gjenetik. Na lëmoi ADN-në e shpirtit tonë e na e fisnikëroi jetën tonë intelektuale.
Bashkëpunimi i parë i Kadaresë me filmin shqiptar fillon në vitin 1962, kur kishte vetëm një vit që ishte kthyer nga studimet pasuniversitare në Institutin Gorki të Moskës. Me skenar të tij Gëzim Erebara si regjisor e Dhimitër Anagnosti si drejtor fotografie realizojnë filmin dokumentar “Gjirokastra”.
Tre vite më vonë Viktor Gjika realizon kinopoemën “Kur vjen nëntori” të frymëzuar nga poema e Kadaresë “Përse mendohen këto male”.
Në vitet e vështira të “luftës kundër zakoneve prapanike”, të shpalljes së Shqipërisë si vendi i vetëm ateist në botë, aty në Berat, ku Kadarenë e kishin dërguar për të “njohur jetën” ai shkroi romanin “Dasma”. Një roman i mirëpritur dhe kontestuar, një vepër jo ndër më të mirat e tij por që një radio angleze i bëri shpejt e shpejt një radio dramatizim. Piktori Ksenofon Dilo, një mik i Kadaresë, merr guximin ta kthejë në skenar filmi romanin “Dasma” duke e titulluar atë “Përse bie kjo daulle” dhe unë vendos ta ekranizoj atë. Pas “Ngadhnjimit mbi vdekjen”, me bashkëregjisor Gëzim Erebarën, “Përse bie kjo daulle” mund të them se është filmi im i parë si regjisor. Pra e filloj me Kadarenë, por nuk e mbyll me kaq. Në shfaqjen e parë me kolektivin e Kinostudios filmi u prit mirë dhe filloi qarkullimin e tij nëpër kinematë e Shqipërisë. Dhe bash në kohën kur ata të kinofilmit më njoftonin për një numër rekord të spektatorëve, fillojnë telashet e mëdha.
Në një mbledhje me punëtorët e Kombinatit te Autotraktorëve me “rebelin e çartur” të Spanjës Mehmet Shehu, tashmë kryeministër i vendit prej gati një çerek shekulli, një punëtor vigjilent, anëtar i të ashtuquajturave Kontrolle punëtore, informon publikisht kryeministrin se në një film të Kinostudios po ka disa shfaqje të huaja. Në skenën e dasmës që bën në kantier malësorja Katrinë me punëtorin e dalluar Xhavit ata, kineastët, i kanë vënë asaj Katrinës një vello të bardhë. Një vello të bardhë?….. Po ky është skandal!
– Po ju ç’prisni? Shkoni menjëherë atje ne Kinostudio dhe tregojuni se si duhet bërë filmi,- i udhëzoi ata kryeministri.
Të nesërmen lajmi kishte marrë dhenë dhe ata, gazetarët e devotshëm, u vunë në garë se kush ta kritikonte i pari filmin. Mbaj mend se më i devotshmi ishte gazetari i “Luftëtarit”, organ i Ministrisë së Mbrojtjes. Kur grupi i kontrollit punëtor ia behu në Kinostudio dhe më kërkoi t’ua shfaq filmin, unë mundohesha t’ua shpjegoja se Katrina kishte veshur një fustan të çelët teritali, prodhim të Kombinatit të Tiranës dhe se nuk kishte asnjë vello, por vetëm një copë tyl të bardhë për t’u dalluar nga shoqet e saj.
Nuk kishte faj Kadareja. Kur e pyetëm, së bashku me Ksenofonin se çfarë mendonte për filmin, na tha: Është filmi më i çuditshëm i Botës së tretë.Kishte simpati dhe ironi të ndërthurura së bashku. Asokohe Mao Ce Duni kishte hedhur në treg Teorinë e tri Botëve. Bota e parë ishin vendet e NATO-s, Bota e dytë vendet e Traktatit të Varshavës dhe Bota e tretë Kina dhe gjithë të tjerët përfshi këtu edhe Indinë po edhe Shqipërinë. Po përgatitej një mbledhje ku do të propozohej që Ksenofoni dhe unë të shkonim për riedukim pa afat në një vepër të pesëvjecarit. Takoheshim çdo ditë me Kadarenë për t’i dhënë lajmet e fundit. I vinte keq për ne po në fund e mbyllte me këto fjalë:
– Nuk e kanë fare me ju. E kanë me mua.
Besoj se kishte të drejtë. Në momentin e fundit ndodhi mrekullia. Mbledhja befas u anulua. Më vonë e morëm vesh edhe shkakun. Ramiz Alia u ankua direkt te Enver Hoxha duke i thënë se shoku Mehmet po ndërhyn si shumë në punët e sektorit që drejton ai. Enveri i dha të drejtë Ramizit dhe ne shpëtuam.
Ndërkohë Anagnosti po realizonte me sukses filmat e tij të parë si regjisor, ndërsa Bekim Fehmiu pas shkëlqimit që pati në filmin “Mbledhësit e puplave” po na habiste me interpretimin e tij në serialin televiziv italian “Aventurat e Uliksit”.
Pas javës së filmit shqiptar në Beograd, falë Anagnostit dhe meje u bë e mundur një ftesë për Bekimin për të vizituar Shqipërinë. Ishte viti 1972. Ndoshta ndër të paktat vite më të mira në jetën tonë. Kishte një zbutje të klimës politike dhe ja Bekimi në mesin tonë duke diskutuar për artin. E natyrisht edhe një takim i ngrohte midis Bekimit dhe Kadaresë që gjithashtu dinte t’i çmonte vlerat e këtij ylli në ngjitje të kinemasë europiane. I të parit aktor shqiptar që realizoi dy filma në Hollivud.
Botimi në Francë, në vitin 1970, i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” jo vetëm që ishte mirëpritur nga publiku dhe kritika franceze, por kishte ngjallur interes edhe te shtëpitë e atjeshme kinematografike.
Përveç ofertës të një grupi skenaristësh të lidhur me shtëpinë botuese Albin Michel në Ambasadën shqiptare në Paris ishin paraqitur edhe dy oferta të tjera për të ekranizuar romanin. Peripecitë e skenaristëve Lebrand dhe Kuperberg vazhdojnë për disa vjet me akuza e kundërakuza të ndërsjellta, derisa del në skenë një italian. Drejtori i shkëlqyer i fotografisë Luciano Tovoli që deri atëhere kishte realizuar filma me regjisorët Mikelanxhelo Antonioni, Liliana Kavani, e kryesisht me Etore Skolën, e dinte se shumë drejtorë fotografie kishin kaluar në regji të suksesshme filmi. Kur erdhi në Shqipëri më tregoi:
– Serxhio Leone, (regjisor i madh italian i filmave të suksesshëm të mbiquajtura Western Macaroni) më tha një ditë se nëse dua të marr çmimin Oskar si regjisor do e kisha këtë mundësi po qe se do të realizoja një roman të shkëlqyer të Ismail Kadaresë.
E kishte lënë pa mend ai roman. Kështu filloi e gjitha.
Tovoli u lidh me aktorin e shquar francez Mishel Pikoli dhe pasi së bashku realizuan dhe atë që quhet montazh financiar filluan përgatitjet ambicioze për të angazhuar në film figurat më të shquara të kinemasë europiane. Marcelo Mastrojani që ishte në ato vite aktori më në zë i kinemasë europiane pranoi të luante rolin e gjeneralit, Mishel Pikoli do të bënte rolin e priftit. Anuk Eme dhe Serxhio Kasteliti do të ishin pjesë e stafit të shkëlqyer të aktorëve.
Ndërkohë Piro Mani e kishte transkriptuar “Gjeneralin…” dhe e kishte vënë me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, ndërsa Vladimir Prifti në vitin 1978 po me ata aktorë kishte realizuar një film televiziv.
Autorët kryesore të filmit të ardhshëm Luciano Tovoli dhe Mishel Pikoli në vitet 1979-1982 ndërmorën disa udhëtime drejt Shqipërisë për të përcaktuar vendet dhe kalendarin e xhirimeve. Pata rastin t’i shoqëroj një herë në një udhëtim në Korçë e Dardhë. Kur mësuan se rruga e Dardhës ishte e bllokuar nga dëbora na kërkuan të udhëtonim drejt Dardhës në këmbë. Dhe ashtu u bë. Duke shkelur dëborën, pas tre a katër orë ngjitjeje në lartësinë 1600 metra mbërritëm akoma me ditë në fshat. Mirë unë e Tovoli, po Pikolia që ishte nja dhjetë vjet më i madh se ne dhe ishte shumë i shëndoshë si e bëri këtë?
Pasi panë e fotografuan gjithçka në fshat e përreth, Pikolia më pyeti:
– Po vërtet kanë ardhur ushtritë gjermane e italiane deri në këtë humbëtirë?
Dhe kur unë i pohoja me kokë, ai e mbyllte me fjalët: “O Zot sa botë e çmendur!”.
U kthyem natën nëpër dëborë përmes pyllit të Drenovës. Dardharët na shoqëruan me një mushkë mbi të cilën hypi më i moshuari, Mishel Pikoli. E kujtoj këtë histori për të kuptuar se çfarë entuziazmi dhe përkushtimi kishin ata njerëz për filmin. Dhe kur çdo gjë ishte gati për të filluar xhirimet, erdhi urdhri i pabesueshëm nga zyrat e Komitetit Qendror të Partisë:
– Thuajuni atyre kineastëve se nuk është e mundur që filmi të xhirohet.
Habi, pështjellim, paranojë, ndjenja të papara turpi para atyre që punuan më kot për tre vjet. Po filmi duhej xhiruar me patjetër se përndryshe producentët duhet të dëmshpërblenin gjithë stafin e filmit. U zhvendosën me urgjencë në Itali dhe atë që do të xhirohej në Korçë, në Tiranë e vende të tjera e realizuan me dhimbje në Kalabri dhe në periferi të Romës.
Gjashtë vjet më vonë, së bashku me Kristaq Dhamon kishim shkuar në festivalin e Kanës në Francë. Një mbasdite të bukur mbi tapetin e kuq parakalonte ekipi i filmit konkurrues italian “Che ora e?” me në krye Etore Skolën e përbri tij drejtori i famshëm i fotografisë Luciano Tovoli. Kaloi vetëm dy metra pranë nesh. Por ne kthyem kokën që të mos na shikonte. Na vinte turp për atë që i bëri shteti ynë.
Pas “Gjeneralit…” Luciano as nuk guxoi as nuk mund të bënte më regjisorin. Sot Luciano është anëtar nderi i shoqatës europiane të drejtorëve të fotografisë Imago.
Për paradokset e pafundme që shpunë në refuzimin e një kooproduksioni filmik, ka kaq shumë materiale sa ia vlen të realizosh një film dosjer. Gazetarja e kulturës Admirina Peçi ka zbuluar të dhëna shumë interesante në Arkivin Shtetëror. Skenari i saj titullohet: “Gjenerali në rreth të kuq – Filmi Italo-francez, një histori sekretesh dhe prapaskenash në Shqipërinë komuniste”.
Edhe pse “Gjenerali…” në vite vazhdoi të vihej në skenat e teatrove të Prishtinës dhe të Shkupit, Anagnosti nuk hezitoi t’i rikthehet përsëri këtij romani për të realizuar në vitin 1989 edhe një herë një film të plotë që e titulloi “Kthimi i ushtrisë së vdekur”.
Me muzikë të Nikolla Zoraqit, balet maestri Agron Aliaj në bashkëpunim me dy koreografë francezë realizon në vitin 2009 baletin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Dhe kur mendon se ky është një rast që të kujton ekranizimet e pafundme të Kontit të Montekristos qoftë në versionet franceze apo atë amerikan, historia e kinemasë se Kadaresë nuk mbyllet me kaq.
E kam fjalën për “Prillin e thyer”.
Edhe “Prilli i thyer” i botuar në 1980 u prit me të njëjtin interes si në Shqipëri ashtu dhe në botë, por vetëm në vitin 1985 Kujtim Çashku guxoi të realizojë një film që e titulloi “Të paftuarit”. Dy vjet më vonë një regjisore e re franko-shqiptare e quajtur Liri Begeja xhiron në Korsikë “Prillin e thyer”. Pas përvojës së hidhur me ekipin franko-italian të filmit “Gjenerali…” askush nuk guxonte të hynte në kooproduksion me ne. Mirë a keq, mendoi se peisazhi i Korsikës do afronte me atë të Shqipërisë dhe e xhiroi filmin aty. Pas 12 vjetësh, në vitin 1999 Kadaresë i vjen një kërkesë nga regjisori brazilian Valter Salles. Kërkonte të drejtën e autorit për të realizuar një film mbi motivet e “Prillit të thyer”. Sallesi 44 vjeçar ishte një emër i njohur jo vetëm i kinemasë braziliane. Me filmin e tij “Central Brasil” në vitin 1998 ai fiton 55 çmime ndërkombëtare që kulmojnë me Ariun e Artë në festivalin e Berlinit dhe nominohet dy herë për çmimin Oskar.
Filmin e titullon Abril Despedacato (Prilli i dëshpëruar) dhe ngjarjet i vendos në vitin 1910 në një zonë moçalore të Brazilit. Filmi u përzgjodh menjëherë për t’u shfaqur në festivalin më të vjetër të filmit në botë në Venecia dhe pritja ishte entuziaste. Po atë vit një ekip kritikësh në Cape Town të Afrikës së Jugut e shpallin atë në listën e 10 filmave më të mirë të vitit. Duke qenë se i kam parë të tre versionet e “Prillit të thyer” mendoj se Salles e theu legjendën se Kadareja është i vështirë të transkriptohet në film. Braziliani Salles më mirë se ne të tjerët e zbërtheu thelbin filozofik të veprës së Kadaresë.
Po citoj vetëm disa fraza nga gazetat kinematografike të kohës për filmin:
– Historia frymëzohet nga një novelist shqiptar dhe nga tragjeditë greke të Eskilit. Ajo mbetet akoma një tregim i fuqishëm i dashurisë vëllazërore dhe humbjes së pafajësisë. – New York Daily News- Jack Methius
– I bukur për t’u parë dhe universal në temën që trajton në çdo pikëpamje – New Times LA – Luke Thomson
– Ky film është disi më i largët emocionalisht se filmi tjetër i Salles Central Station. Por është shumë i bukur dhe i jep një mesazh të fuqishëm një bote në të cilën kombet, ashtu si këto familje, ngatërrohen në gjakmarrje absurde – TIME – Richard Shickel
“Radiostacioni”, e titullon ekranizimin e “Nëntorit të një kryeqyteti” Rikard Ljarja në vitin 1979.
“Koha e Kometës”, e titullon “Vitin e mbrapshtë” Fatmir Koçi në vitin 2008.
Ylli Pepo, në vitin 1979, preferon ta ruajë njëlloj titullin e serialit të tij televiziv si novela e Kadarese – “Emblema e dikurshme”.
Edhe Elena Kadare bëhet pjesë e kinemasë shqiptare kur në vitin 1978 Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro realizojnë filmin “Nusja dhe shtetrrethimi”
Jo më kot e lashë për në fund filmin “Ballë për Ballë” mbështetur mbi motivet e “Dimrit të madh”.
E para se bashkë me Kujtim Çashkun jam bashkëregjisor i këtij filmi me përmasa të papara ndonjëherë pas “Skënderbeut” të Jutkeviçit. Dhe e dyta dhe më e rëndësishmja, se është i vetmi film ku Kadareja është autor i skenarit të një vepre të tij. Mos kërkoni kot. Në asnjë film të bazuar në veprën e tij nuk do ta gjeni emrin e tij si skenarist. Të tjerë i kanë ekranizuar veprat e tij. Ai ka qëndruar larg dhe neutral në çdo realizim filmik. Sikur donte të na thoshte: Unë jam autor letrar, filmi nuk më përket mua. Bëni ç’të doni me të. Po pse e bëri këtë? As sot nuk e di dhe nuk kam guxuar ta pyes. Hamendësoj se versioni i parë i librit të titulluar “Dimri i vetmisë së madhe” që u përpi nga lexuesi u pa me shumë dyshime nga një kategori njerëzish. Në mbledhjet e organizatave të partisë sidomos te ato të Ministrisë të Brendshme bëheshin peticione që dërgoheshin deri lart në Komitetin Qendror që kjo vepër antisocialiste të ndalohej sa më parë dhe bashkë me të dhe autori i saj. Po për të sqaruar këtë ankth që zgjati disa muaj duhet lexuar libri voluminoz i Shaban Sinanit “Dosja Kadare”.
Pra pas dhjetë vjetësh përsëri do të isha pjesë e një filmi me motive të veprës së Kadaresë. Së bashku me Çashkun takoheshim shumë shpesh me Kadarenë në kafen e Hotelit Arbëria (sot Ministria e Drejtësisë). Bisedat silleshin rreth filmit dhe realizimit të tij. Na habiste korrektesa e tij për të marrë parasysh çdo kërkesë tonën. Në takimin e ardhshëm na sillte episodin e përpunuar ashtu si ia kishim sugjeruar.
Për muaj të tërë u punua për të realizuar një film ku na u vu në dispozicion i gjithë arsenali njerëzor dhe material i Ministrisë së Mbrojtjes. Dy konsulentë ushtarakë, Dashamir Ohri, shef i shtabit të Flotës ushtarako-detare dhe Kujtim Peçi, kryeinxhinier i bazës ushtarako-detare të Pashalimanit qëndronin orë e çast pranë nesh dhe na udhëzonin për çdo veprim që kish lidhje me kodin ushtarak.
As Kujtimi as unë nuk e dinim se si do të pritej nga krerët e shtetit ky film. Duhet të merret parasysh se që qysh në vitin 1974 ishin hequr gradat në ushtri dhe oficerët e marinës, veçanërisht me uniformat e tyre të reja, ngjanin më shumë si oxhakpastrues se sa si marinarë. Vërtet ja arritëm t’u mbushnim mendjen specialistëve të lartë të ushtrisë se oficerët dhe ushtarët duhet të visheshin në film ashtu siç u takonte të ishin të veshur në kohën kur Shqipëria ishte pjesë e Traktatit të Varshavës. Por ndryshe fjalët e ndryshe shkëlqimi real e vezullues i oficerëve dhe admiraleve të flotës ushtarako-detare. Për fat të mirë çdo gjë shkoi mirë.
Kureshtja ime dhe e Kujtimit ishte një dhe vetëm një. A do të jetë i kënaqur skenaristi ynë?
– Filmi shkëlqen njëlloj si një brilant i vendosur në një sfond kadifeje të zezë.
Sentenca e Kadaresë të mbushte me gëzim.
Në vitin 1981 Cinemateka franceze organizoi një javë të filmit shqiptar ku kishte dhe shumë sinefilë kureshtarë e kritikë filmi. Në mbyllje të kësaj panorame, gazeta “Le Monde Diplomatique” i kushtoi plot dy faqe kësaj ngjarjeje kulturore.
Duke lënë jashtë për një çast modestinë, mund të them se analiza e filmit “Ballë për Ballë” (Face a Face) zinte mjaft vend. Autori kishte nënshkruar artikullin vetëm me inicialet e tij L.R. Edhe për filmin “Rrugë të bardha” po ashtu shumë konsiderata.
Ismail Kadare nuk është aspak indiferent ndaj asaj që ndodh në botën e artit me kolegët e tij. Një ditë të vitit 2005 më takoi në rrugë dhe më uroi:
– Të lumtë. Sa mirë që të ka shkuar në mendje të besh një film autobiografik. Si na ka shpëtuar ne të tjerëve?
– Si flisni kështu? Po “Muzgu i perëndive të stepës” a nuk ka elemente biografike? Unë atë kam pasur parasysh kur shkrova versionin e parë. Është për mua ndër librat më të bukur shkruar nga ju. E gjithmonë jam habitur pse kritika franceze nuk ishte po aq entuziaste sa për romanet e tjera.
– Ke të drejtë. Po ta them unë arsyen. Shumë prej tyre kanë bindje të majta dhe për çudi nuk iu vjen dhe aq mirë të kritikosh Bashkimin Sovjetik.
Pas disa ditësh u takuam përsëri dhe më tregoi disa shkrime të shkëlqyera për “Muzgun e Perëndive të stepës”.
Kur mbarova versionin e parë të montazhit të filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder” i kërkova Ismailit të ma shikonte ashtu të pambaruar, bruto. Pranoi pa asnjë hezitim. Ishte spektatori im i parë. Një mbasdite gushti ia beha në vilën e tij në Durrës. Bënte një vapë tropikale. Gjatë shikimit të filmit konsumuam një shalqi të ftohtë që na i serviri Elena.
Më duket se i pëlqeu filmi. E njoh mirë atë. Kur nuk i pëlqen ta thotë në sy pa pikë hezitimi ashtu si më tha para disa kohesh kur i kërkova mendim për një projekt filmik.
E pabesueshme por e vërtetë: Kadareja pas 35 vjetësh shkruan përsëri një skenar filmi. Titullohet “Sorkadhet e trembura”. Po kur do të ekranizohet? Askush nuk e di.
Pas viteve nëntëdhjetë më ka qëlluar të marr pjesë shpesh në festivale filmash si në Venecia, Valencia, Karlovi Vari, Aleksandri, Orenburg apo “Javë të filmit shqiptar” në Romë, Moskë a Shën Peterburg. Dhe kudo më ka ndjekur pas një pyetje që hera-herës ua bëj spektatorëve të huaj:
– Tani, pasi keni parë disa filma shqiptarë, ju lutem ma thoni sinqerisht. Mendoni se kinemaja shqiptare është një kinema amatore, provinciale apo është një kinema ballkanike apo europiane? Po sinqerisht ama. (Tamam si pyetja e Naltmadhnisë për kryeinspektorin e pallatit).
Përgjigjet e tyre kanë qenë maksimalisht pozitive, sidomos në Casa dell Cinema në Rome dhe në Shën Peterburg.
Dhe tani unë ju pyes juve:
– Mendoni vërtet se kinemaja jonë është pjesë e këtij katundi të madh që quhet Shqipëri apo shkon pak më larg?
Duke qenë se e di që shumë prej jush do mendoni ashtu si nuk do më pëlqente, unë do të mbrohem me shprehjen:
– Askush nuk bëhet profet në vendin e vet.
Dhe do vazhdoj më tej duke ju pyetur përsëri:
– Po a mund të vijë erë province një kimema që është frymëzuar nga veprat e Kadaresë, Agollit, Vath Koreshit, Kiço Blushit, Peçi Dados, Nasho Jorgaqit, Petrit Rukës e Ruzhdi Pulahës? Vërtet nuk ju pëlqen muzika e Sviridovit dhe Çesk Zadesë te “Skënderbeu”, apo ajo e Kujtim Laros te “Lulëkuqet mbi mure”, ajo e Feim Ibrahimit te “Ngadhnjim mbi vdekjen”, e Limos Dizdarit te “Rrugë të bardha” e Agim Krajkës te “Zonja nga Qyteti”?
Mendoni si të doni, por unë jam i kënaqur që kam pasur privilegjin të realizoj filma bazuar në veprën e shkrimtarit, që, po të perifrazoja kryeredaktorin e shtëpisë Botuese “Fayard”, Klod Duran do të thoja:
– Ndër pesë shkrimtarët e botës, ja po e zgjeroj pak, ndër dhjetë shkrimtarët më të mirë në botë sot është padyshim aty është dhe emri i Kadaresë.
Tiranë, 17 maj 2016