Pse është trendi të kesh dy emra? – Nga Lutfi Dervishi
Pas botimit të formularëve të dekriminalizimit, është hapur një debat i madh për të paktën 10 deputetë se pse kanë përdorur dy emra?! Më duket e pakuptimtë për 10 arsye.
1. Jetojmë në epokën e të drejtave të individit dhe është koha për t’i dhënë fund një padrejtësie shekullore. Emri deri më tani nuk është zgjedhje e individit, por një imponim që vjen nga prindërit. Facebook së fundmi bëri të qartë se fëmijët kanë të drejtë të padisin prindërit nëse nxjerrin fotot e tyre në facebook. Kur fëmija ka të drejtë të padisë prindin pse nuk paska të drejtë të zgjedhë vetë emrin e tij.
2. Jetojmë në një epokë të ngarkuar me informacion. Truri njeriut sidokudo, ka kufizimet e veta. Budallallëku nuk ka fund, por jo sasia e informacionit që mund të mbajë mend njeriu. Për shembull, të del dikush në rrugë dhe të pyet për emrin? Nuk të kujtohet. Mendje i thonë. Shkencëtarët kanë provuar se nëse ke dy emra, propabiliteti që t’i harrosh të dy është shumë afër zeros.
3. Fenomeni i emrit të artit nuk është gjë e re. Njeriu ka një emër në çertifikatë, ka edhe një emër arti që e njeh publiku. Në kushtet kur të gjithë pranojmë se politika është e ndotur, pse duhet të futet njeriu në politikë me emrin e vet? Eshtë më mirë të njollosë emrin e vet dhe të familjes apo të ndotë një emër të sajuar?! Kjo pyetje është retorike. Ndaj respekt për ata deputetë që tjetër emër kanë në çertifikatë dhe tjetër emër në Parlament.
4. Gazetarët janë ata që duhet të flasin më pak për “dy emrat”. A nuk e kanë hapur ata rrugën me pseudonimet në gazetë?
5. Një nga arsyet është frika nga mallkimet, magjitë, kurthet, kamerat e fshehta…. Mallkimi më i rëndë që njihet është: “T’u harroftë emri!”. Siç u tha edhe në pikën 2, mund të ndodhë që të zë mallkimi dhe harron emrin, atëherë përdor emrin tjetër.
6. A nuk përdorim ne të gjithë dy emra për mëmëdheun/atdheun. Kur jemi këtu thërrasim: Shqipëria dhe për të huajt themi: “Albania”. Shumica e deputetëve të nderuar që i ka zënë formulari dekriminalizimit – pikërisht këtë gjë kanë bërë: i janë prezantuar të huajve me një emër tjetër.
7. Nuk është gjë e re, që një njeri të njihet me disa llagape. Një shok -ut tim të fakultetit në fillim kur shkonte të vjerri i thërrisni: Dhëndrri, më pas Skënderi, më pas Neri dhe tani i thonë çuni Ishes.
8. Përfliten shumë dhe me pa të drejtë deputët/zyrtarë të Laçit. Dhe harrojnë që praktikisht themi Laç dhe zyrtarisht kemi Kurbin.
9. Kjo na çon tek anekdoda e vjetër që duke e perifrazuar themi: teorikisht kemi 140 deputetë, praktikisht kemi….
10. Edhe vetë institucionit përfaqësues të popullit i kemi vënë 2 llagape. Kuvend dhe Parlament. Bravo atyre që respektojnë institucionin dhe kanë 2 emra.