Reagon i biri i Jusuf Gërvallës, Premtoni: Donika Gërvalla vs. Isa Mustafa
Reagon i biri i Jusuf Gërvallës, Premtoni: Donika Gërvalla vs. Isa Mustafa
Foto: Premton Gërvalla me nënën Zana Gërvalla
Shkruan: Premton Gërvalla
Ngjarja e djeshme, ku Isa Mustafa, përmes dhunës nuk lejoi Kryetaren e Degës së LDK-së për Gjermani, Donika Gërvallën, të merrte pjesë në Këshillin Drejtues të LDK-së, për dikë ishte prekëse, për dikë habi, për dikë tjetër dhunë e papranueshme, për disa të tjerë çështje e mosrespektimit të gjinisë femërore, por për dikë edhe gëzim e hare që Isa ”fitoi”.
Për mua, qëndrimi i Isa Mustafës s’është gjë tjetër, veçse një vazhdim i natyrshëm i gjithë veprimtarisë së tij të kahmotshme dhe të sotme. Përmes disa krahasimeve të thjeshta, në periudha të ndryshme, i jap mundësi lexuesit të kuptojë përse Isa Mustafa ushqen një urrejtje patologjike ndaj Donika Gërvallës.
1970-1980
Isa Mustafa bëhet pjesë e nomenklaturës komuniste jugosllave, duke u rreshtuar në radhët e Organizatës jugosllave të rinisë komuniste.
Babai i Donikës, Jusuf Gërvalla, përveç punës si shkrimtar e gazetar, në shkrimet dhe veprat e të cilit spikasin tema të mbrojtjes së kulturës dhe vlerave shqiptare, merret edhe me punë ilegale për çlirimin e Kosovës nga kthetrat jugosllave (ndër to edhe nga Organizata jugosllave e rinisë komuniste e Isa Mustafës).
1980-1982
Isa Mustafa konsolidon pozitat në organizatat komuniste jugosllave, duke i hapur rrugë vetes për t’u bërë ”i madh”. Aq i dhimbset Jugosllavia Isa Mustafës, sa nuk përton të shkojë as deri në Beograd për t’i dhënë lamtumirën e fundit satrapit Tito.
Babai i Donikës, së bashku me gjithë familjen detyrohen të arratisen nga reprezaljet e pushtuesit serbo-jugosllav. Edhe pse jashtë Atdheut, ai nuk rresht së punuari për çështjen kombëtare, deri sa pushtuesi serbo-jugosllav, përmes dorës së zgjatur të UDB-së e vret në Gjermani. Ndërkohë që familja e tij, e si pjesë e saj edhe Donika, detyrohen të emigrojnë sërish, kësaj radhe drejt Shqipërisë.
Isa Mustafa: në shërbim të çështjes jugosllave.
Babai i Donikës: në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare.
1982-1990
Isa Mustafa fillon të zërë poste të ndryshme në qeverinë kuislinge jugosllave e më pas serbe të Kosovës dhe bën magjistratura në Universitetin e Beogradit.
Familja e Donikës, gjyshjet e saj, xhaxhallarët e tezet me gjithë fëmijët e tyre, detyrohen, për shkak të reprezaljeve të qeverisë kuislinge të Kosovës, ku merrte pjesë edhe Isa Mustafa, të bëhen 700 copash. Disa mbeten në Atdhe, shumica tjetër nëpër vende të ndryshme të Evropës.
1990-1999
Isa Mustafa arratiset për në mërgim, se siç i thonë asaj shprehjes armiku të shtrydh mirë e mirë si limonin, pastaj të hedh në plehra. Ai i bashkëngjitetet menjëherë Qeverisë së Kosovës në ekzil dhe bëhet ministër i 3 përqindëshit. Disa kanë aftësine të nuhasin paranë edhe me prapanicë.
Donika Gërvalla i bashkëngjitet LDK-së në perëndim dhe punon parreshtur për të nderkombëtarizuar çështjen shqiptare.
Isa Mustafa: 3 përqindëshi, Banka Dardania, pare të cilave as sot nuk u dihet fati.
Donika Gërvalla: takime me gazetarë, politikanë e lobistë ndërkombëtarë. Prezantim dinjitoz i LDK-së dhe lëvizjes masive për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe demaskimit total të regjimit serb në Kosovë.
Isa Mustafa pengon liderët politkë të LDK-së në punën e tyre për t’i treguar botës se shqiptarët nuk pranojnë më çizmen serbe në Kosovë, duke bllokuar të gjitha mjetet financiare për LDK-në.
Donika Gërvalla, së bashku me kolegët e saj të LDK-së, bëjnë ç’është e mundur që të gjejnë rrugë dhe mënyra për ta financuar LDK-në pas asaj bllokade të bërë nga ministri i 3 përqindëshit, me qëllim që lufta për çështjen kombëtare të mos ndalet.
Isa Mustafës nuk i ndihet zëri gjatë peridhës së luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Ishte, me sa duket, shumë i zënë me numërimin e parave të 3 përqindëshit.
Donika Gërvalla nuk lë rast pa debatuar në ekranet televizive gjermane, si me gazetarë e politikanë gjermanë, ashtu edhe serbë, nuk lë rast pa ngritur lart zërin e popullit shqiptar, që po masakrohej nga regjimi serb, nuk lë rast pa lobuar për emancipimin e opinionit evropian rreth çështjes së Kosovës.
2014
Isa Mustafa, pas një fushate zgjedhore, ku kryetemë ishte rrëzimi i qeverisë shkatërrimtare të Thaçit dhe SHIK-ut famëkeq, papritur pas zgjedhjeve bën koalicion me Thaçin dhe SHIK-un. O tempora, o mores!
Donika Gërvalla merr pjesë aktive në fushatën zgjedhore, duke vënë në pah punën e mbrapshtë të qeverisë Thaçi dhe duke nënvizuar nevojën e ndryshimeve të mëdha, ku LDK-ja do të duhej të ishte në ballë të këtyre ndryshimeve. Pas daljes në dritë të lajmit se LDK-ja, partia ku ajo bën pjesë, ka bërë marrëveshje me ata, që për vite me radhë ia kanë bërë gropën Kosovës, Donika kthehet në zë të fuqishëm të diskreditimit të këtij koalicioni, sa të dëmshëm, po aq edhe cinik.
2015
Isa Mustafa rizgjidhet kryetar i LDK-së, me aklamacion (duartrokitje, ose siç i themi ndryshe, me urdhër), duke shkelur statutin e partisë, duke injoruar demokracinë e brendshme të kësaj partie, duke mos lejuar fjalën e lirë dhe natyrisht duke mbledhur rreth vetes zagarë, që i vihen nga mbrapa.
Donika Gërvalla del në mbrojtje të vlerave demokratike të LDK-së, del në mbrojtje të fjalës së lirë brenda kësaj partie, del në mbrojtje të vlerave që kjo parti duhet të përqafojë. Dhe këtë e bën pa patur nevojë që të mbledhë pas vetes zagarë e bodiguardë, sepse ka pas saj zërin e elektoratit dhe jo të sahanlëpirësve qyqarë, që për një lugë çorbë të prishur janë në gjendje të vjellin tërë jetën.
2016
Dhe ja ku erdhëm te kjo ditë, kur Isa Mustafa, duke përdorur dhunë, nuk lejon Donika Gërvallën të marrë pjesë ne mbledhjen e Këshillit drejtues të LDK-së.
Tani, gjykojeni vetë, se përse u ushtrua dhunë ndaj Donikës sot në Prishtinë.
Premton Gërvalla, është djali i madh i heroit të Kosovës, Jusuf Gërvalla.
Shkrimi është dërguar për botim ekskluzivisht për gazetën SHQIPTARI.EU