Albspirit

Media/News/Publishing

“Vetëvrasje me polic”

Ruben Avxhiu

Është një shprehje jo shumë e njohur jashtë Amerikës. “Vetëvrasja me polic” është akti në të cilin njeriu nuk vret veten duke u hedhur nga ballkoni apo duke pirë helm, por duke provokuar e trembur një polic në mënyrë të atillë që ai të reagojë duke e qëlluar dhe vrarë.
Një rast itillë dyshohet se ka qenë edhe ai i djeshmi, kur një njeri i armatosur iu afrua Shtëpisë së Bardhë dhe ndonëse u paralajmërua disa herë nga forcat e policisë, as nuk ndaloi e as nuk e lëshoi armën nga dora.
Oficerët qëlluan dhe e plagosën por nuk e vranë. Analizuesit e incidentit kanë vënë re se Jesse Olivieri, një 30-vjeçar nga Pennsylvania nuk ka bërë ndonjë përpjekje për ta përdorur armën që mbante në duar. Ai thjesht duket se ka dashur që ajo të jetë në dukje, që policët ta shohin.
Kjo mënyrë sjellje ka ngritur hipotezën se pikërisht kemi të bëjmë me një përpjekje për “vetëvrasje me polic”.
Presidenti Barack Obama kishte dalë për të luajtur golf në atë kohë dhe asnjë punonjës apo vizitor i Shtëpisë së Bardhë nuk u lëndua nga incidenti.
Policia po vijon që ta hetojë rastin.
Jo të gjitha “vetëvrasjet me polic” janë akte të paramenduara. Shpesh një kriminel i rrethuar, duke e ditur që nuk do t’i shpëtojë burgut ose turpërimit publik lufton deri në momentin e fundit ndonëse e di se nuk ka rrugëdalje. Disa madje e shkurtojnë procesin duke sulmuar dhe futur në rrezen e plumbave. Këta janë raste vendimi të momentit.
Rastet e vetëvrasjes së paramenduar shpesh pastaj nuk përdorin armë të vërteta po kanë të përbashkët sinjalizimin e rojeve të armatosura se ke ndërmend të vrasësh një prej tyre apo civilë të pafajshëm. Këto raste janë shtuar në SHBA pas 11 Shtatorit, me vendosjen e trupave speciale në vende publike.
Vetëvrasësi duhet të jetë i sigurtë se oficeri që po tremb është një nga ata që do të qëllojnë pa hezituar. Policë të zakonshëm mund të ngurrojnë dhe të presin për urdhër ose përforcime. Kurse trupat speciale nuk do të ngurronin të zbraznin armën në publik. (Ka sigurisht edhe policë abuzues apo të pamatur që qëllojnë pa u menduar, në situata që mund të zgjidhen ndryshe.)
Në rastin e Jesse Olivierit nuk ka dyshim që ai po shkonte drejt vdekjes. Oficerët roje të Shtëpisë së Bardhë janë të stërvitur që të qëllojnë në çdo moment.
Kjo dukuri është e vjetër, por përkufzimi është i ri. Ndonëse mund të gjesh raste kur është përdorur, nga autorë dhe gazetarë me fantazi, “vetëvrasje me polic” është një fenomen i shekullit të ri. Nuk është çudi që shtimi në raste të tilla të ketë të bëjë edhe me internetin dhe mundësinë e njerëzve për të mësuar dhe pastaj kopjuar forma fatale të mbarimit të jetës.
Krahasuar me metoda të tjera, kjo është sigurisht më e ndërlikuar, ka potencialin të rrezikojë edhe jetën e të tjerëve, si dhe shton konfuzionin në përpjekjet për të kuptuar faktorët që sollën aktin fatal, shpesh duke veshur gabimisht me vlerat e një kauze politike ose sociale, një akt të thjeshtë dëshpërimi apo shformimi mendor.

Please follow and like us: