Albspirit

Media/News/Publishing

10 parajsat fiskale në Europë

 

 

Referuar të dhënave të Bashkimit Europian, qeveritë në rajon humbasin rreth 1 trilion dollarë në vit, pikërisht për shkak të “strehave tatimore”. Por, për shkak të rritjes së dobët ekonomike dhe recesionit, qeveritë kanë filluar të luftojë këto parajsa fiskale. Disa prej parajsave fiskale më të famshme në botë gjenden pikërisht në Evropë, ku një traditë e sekretit bankar dhe një mospërputhje e regjimeve tatimore, ka krijuar mundësi për kursime të mëdha. Referuar të dhënave të Bashkimit Evropian, qeveritë në rajon humbasin rreth 1 trilion dollarë në vit, pikërisht për shkak të “strehave tatimore”. Por, për shkak të rritjes së dobët ekonomike dhe recesionit gjatë viteve të kaluara, qeveritë kanë filluar të luftojnë këto parajsa fiskale, duke detyruar shumë vende të shqyrtojnë llogaritë e dyshimta bankare. Për këtë arsye, sipas një raporti të The Economist, Singapori dhe Hong Kongu, brenda 12 viteve, mund të zëvendësojnë Zvicrën, si destinacioni kryesor i llogarive bankare “offshore”.

  1. Austria

Austria është vendi i fundit i Bashkimit Evropian, me sekret të garantuar bankar. Sipas Rrjetit të Drejtësisë Tatimore, ky vend është shumë tërheqës për jo-rezidentët për shkak të mungesës së tatimit mbi trashëgiminë dhe hapësirat ligjore për të shmangur taksat e pasurive të paluajtshme, nëpërmjet fondacioneve private, ku përfituesit mund të mbeten anonimë. Gjatë viteve të fundit, Austria ka qenë nën presion të madh për të ndarë informacione mbi llogaritë bankare edhe me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, por sekreti bankar është mbrojtur me fanatizëm nga autoritetet në këtë vend.

  1. Zvicra

Zvicra është një ndër parajsat fiskale më të mirëkrijuara në botë, me ligje që i ndalojnë bankat të japin detaje në lidhje me klientët e tyre, që prej vitit 1934. Llogaritë bankare në Zvicër kanë qenë një temë e nxehtë edhe gjatë viteve të fundit, me argumentet se, disa politikanë evropianë kanë llogari në këtë vend. Skandali më i madh i evazionit fiskal në Greqi, ishte përqendruar rreth një liste të elitës greke që kishin strehuar pasuritë e tyre në Zvicër. Në Spanjë, partia e Mariano Rajoy u gjend nën presion, pasi një ish-llogaritar i partisë kishte grumbulluar më shumë se 22 milionë euro, në një llogari bankare në Zvicër. Edhe ish-ministri francez i buxhetit, Jerome Calzuhac, pranoi se kishte një llogari të fshehtë bankare, në bankën UBS, për 20 vite me radhë.

  1. Luksemburgu

Dekadat e sekretit bankar e kanë ndihmuar Luksemburgun të krijojë një ndër qendrat më të mëdha financiare në Evropë. Industria bankare në këtë vend është rreth 22 herë më e madhe se ekonomia e Luksemburgut, ndërsa depozitat janë sa 10-fishi i Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, që nga viti 2015, Luksemburgu ra dakord të heqë rregullat e sekretit bankar vetëm për qytetarët e Bashkimit Europian.

  1. Qipro

Përpara se Qipro të aplikonte për ndihmë nga ndërkombëtarët, sektori bankar në ishullin e Mesdheut po lulëzonte me shpejtësi. Qipro kishte tërhequr me sukses investitorët e huaj, sidomos ata rusë, nëpërmjet taksave të ulta, veçanërisht tatimi mbi të ardhurat e korporatave, në 10%. Por, ministri gjerman i financave, Wolfgang Schaeuble, e përshkroi industrinë bankare në këtë vend si “krejtësisht të fryrë” dhe Qipro u detyrua të pranojë një ndihmë prej 10 miliardë euro nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Paketa e ndihmës ishte kontroverse. Qeveria u detyra nga ndërkombëtarët të aplikonte një taksë për depozitat bankare mbi 100 mijë euro. Sipas një raporti të Shërbimit të Inteligjencës Gjermane, botuar në revistën Spiegel, Qiproja ishte një “portë për aktivitete të pastrimit të parave në Bashkimin Evropian.

  1. Monako

Principata e Monakos në bregdetin jugor të Francës është shteti i dytë më i vogël i pavarur, jashtë Vatikanit, dhe ka një reputacion që cilësohet si një “shesh lojërash” për super të pasurit. Ky vend nuk aplikon tatim mbi të ardhurat apo mbi bizneset. Megjithatë, Principata nuk është një “strehë” pa taksa dhe është e prirur të ndryshojë imazhin në përputhje me rrethanat. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në Monako është 20%, ndërsa kompanitë përballen me një taksë mbi fitimin prej 33%, nëse kompanitë vërtetojnë se ¾ e fitimeve janë gjeneruar brenda vendit.

  1. Xhers

Mbretëria e Bashkuar është gjendur shpesh herë nën presion, pasi akuzohet se ka krijuar në mënyrë perfekte një “strehë taksash”, pranë “shtëpisë”. Xhersi varet nga Kurora Britanike dhe është rreth 100 milje në Jug të Britanisë. Me një popullsi prej vetëm 87 mijë banorë, Xhersi është “shtëpia” e rreth 400 miliardë paundëve. Për këtë arsye, pak kohë më parë, kancelari i Austrisë e përshkroi Britaninë si “ishullin e bekuar për evazion fiskal dhe pastrim parash”. Ishulli ofron një tatim prej 20% mbi të ardhurat, por të pasurit mund të negociojnë për taksa më të ulëta.

  1. Holanda

Edhe pse Holanda ka një normë relativisht të lartë të tatimit mbi korporatat, prej 25%, një kombinim mes uljes së taksave dhe kontratave, e bëjnë atë një qendër të lakmuar për kompanitë, ashtu si ishujt Bermuda apo Kajman. Më shumë se 400 kompani amerikane kanë selitë e tyre evropiane në Holandë. Gjatë kohëve të fundit, Google, Starbucks dhe Amazon janë gjendur nën presion nga autoritetet britanike për aplikimin e praktikave të shmangies së taksave. Holanda është, gjithashtu, popullore me muzikantët. Bandat e rokut, si “U2” dhe “The Rolling Stones” kanë përfituar nga hapësirat ligjore në këtë vend.

  1. Ishulli i Njeriut (Isle of Man)

I gjendur midis Britanisë së Madhe dhe Irlandës, Isle of Man i trajton çështjet tatimore dhe fiskale në mënyrë të pavarur nga qeveria britanike. Ishulli që vetëqeveriset, por që ka varësi nga Kurora Mbretërore, është një ekonomi me taksa të ulëta, pa tatim mbi fitimet kapitale, pa tatim mbi korporatat, mbi pasurinë, apo trashëgiminë. Isle of Man aplikon vetëm një taksë prej 20% mbi të ardhurat. Por, kjo situatë nuk mund të vazhdonte pafundësisht kështu. Në kohët e fundit, ishulli arriti një marrëveshje me qeverinë britanike për të shkëmbyer automatikisht informacion financiar rreth taksapaguesve. Gjithashtu, Isle of Man do të ndajë informacione edhe me Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën.

  1. Lihtenshtajni

Principata e vogël e Lihtenshtajnit, dikur e njohur për sekretin e saj bankar, e ka humbur reputacionin si një “strehë taksash”, pasi vendosi të heqë ligjin e sekretit bankar në vitin 2009. Fillimisht u akuzua nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), si një vend jobashkëpunues dhe një “strehë taksash”. Por, presioni pas krizës financiare të vitit 2008, e detyroi Lihtenshtajnin të nënshkruante marrëveshje për shkëmbimin e plotë të informacionit me Evropën dhe Amerikën. Sipas marrëveshjes, qytetarët që kishin shmangur taksat mund të shlyenin detyrimet e tyre dhe, në këtë mënyrë, shmangnin ndjekjen penale. Që nga ajo kohë, Lihtenshtajni është përpjekur të ndryshojë imazhin nga një “parajsë fiskale” në një “parasjë të sigurtë”.

  1. Irlanda

Pavarësisht efekteve të krizës së Eurozonës, rimëkëmbja ekonomike graduale në Irlandë është ndihmuar edhe nga aftësia e saj për të tërhequr kompanitë ndërkombëtare. Norma e ulët e tatimit mbi korporatat, prej 12.5%, ka bërë që shumë kompani globale si, Microsoft, Facebook dhe Google, të “përdorin” Irlandën si një bazë për të eksportuar në të gjithë Bashkimin Evropian, ndërsa të ardhurat deklarohen në Dublin. Por, për shkak të kësaj praktike, vendi është gjendur nën kritika të vazhdueshme, me akuzat se kompanitë ndërkombëtare po përdorin strategji gjithnjë e më të ndërlikuara për të shkangur taksat. Senati amerikan e akuzoi kompaninë Apple se nuk ka paguar tatim mbi të ardhuat nga jashtë vendit, për një shumë prej 74 miliardë dollarë, duke negociuar një taksë korporative prej 2%, me qeverinë e Irlandës

Please follow and like us: