Dekriminalizimi si kozmetikë e kriminalizuesve
Dekriminalizimi si kozmetikë e kriminalizuesve – Nga Sokol Shameti
Nga Sokol Shameti
Një denoncim publik nga Ben Blushi në Kuvendin e Shqipërisë këtë të enjte i dha të shtyrën e fundit drejt greminës një strukture të diskredituar pushteti kriminal që ka marrë frenat e vendit prej vitesh.
Ligji për dekriminalizimin nisi të japë frytet e para dhe media publikoi pa vonesë vetëdeklarimet në biografitë e deputetëve dhe ofiqarëve vendorë nga jugu në veri. Perdja u ngrit nja dy gisht dhe në sytë e publikut u shfaq vetëm një pjesëz e vogël – por e mjaftueshme megjithatë- për të imagjinuar përmasën reale të degradimit të pakthyeshëm moral ku është katandisur ajo që mbahet për “udhëheqësi” e këtij vendi.
Ndoca ndjekje të vockla penale, nja dy burgime të padrejta, ndonjë papjekuri rinore, tek tuk disa masa të papërfillshme arresti, çështje të dorës së dytë, sjellje paksa të padenja në shoqëri, emra të lezetshëm falsë. Sigurisht, pakkujt i bën zemra të shkruajë me dorën e vet të zezat e vërteta të vetes në këtë histori që kutërbon e gjitha aromë pluhurash droge, vrasjesh, shantazhi, prostitucioni dhe një djall e di ç’poshtërsish të tjera nga ato që pjell mendja e një bashkësie gangsterësh.
Partitë që përbëjnë klasën politike në Shqipëri nisën sakaq gumëzhimën e zakonshme që synon ta transformojë falimentimin e tyre të përbashkët në një lojë pasqyrash. Në një numër shpejtësie ku pyetja jonë shoqërore duhet të devijohet me marifet nga “a pranohet ky sundim i degjeneruar?” tek “kush është më pak i degjeneruari?”.
Çka mbetet e vërtetë pas gjithë këtij operacioni është se sekush ka banditët e tij dhe sekush ka përfituar në masa të ndryshme prej këtij banditizmi. Mirëpo sikurse pritet nga një kastë pushtetarësh e cila mban edhe autorësinë mbi ligjet që do të veprojnë mbi atë vetë, askush nuk do të mbajë përgjegjësi.
Kriminalizuesit janë ata që po marrin edhe rolin e dekriminalizuesit a thua se s’ka ndodhur asgjë. Pa asnjë penalitet. Pa asnjë brerje ndërgjegjeje. Çka na shpie natyrshëm në një përfundim pesimist mbi pritshmëritë e këtij procesi të nisur me bujë e që mund të rezultojë në një tjetër spiraletë së së njëjtës përqeshje shumëvjeçare me publikun.
Pikë së pari, shenjat janë se e gjithë kjo që serviret si një luftë të papajtueshme opozitë-mazhorancë, mund të jetë ndërkohë një operacion i përbashkët kozmetik për fytyrën e të dyjave. Çka po bëjnë PD dhe PS është loja tradicionale e policit të mirë dhe atij të keqit përballë një të arrestuari.
Ishin bashkarisht PS dhe PD ato që prodhuan një sistem elektoral me lista të mbyllura i cili i lë dorë të lirë kryetarit të partisë të hedhë në betejën për vota cilindo djalë çapajev të sapoardhur nga mjegullat e dyshimta të kurbetit, çdo ish-badigard apo secilin shofer nga ata që e mbushën Kuvendin plot me emra anonimë prej të cilëve vështirë të presësh nisma ligjore në dobi të publikut, votim të ndërgjegjshëm apo përmbushje të detyrës së ligjvënësit.
Zullumi ishte trashur aq shumë dhe kishte rënë aq shumë në sy, saqë kjo klasë partiakësh që alternojnë njëri-tjetrin në pushtet doemos kishte nevojë për instrumente brenda vetes për të kryer këtë transfuzion gjaku. E kësisoj ia nisi edhe “beteja” për dekriminalizimin me viktima të dyanshme dhe show të përditshëm televiziv.
Së dyti, ndonëse në dukje një hendek serioz që ndan dy filozofi të ndryshme politike, çështja e dekriminalizimit në realitet është thjesht çështje e dy dozave të ndryshme të banalitetit. Është çështje gramature të së keqes midis dy grupimeve të ligjsh, të cilat përveçse në përqindjen dhjetore të së keqes që shkaktojnë, nuk kontrastojnë në kurrgjë tjetër me njëra tjetrën.
Diskursi i reduktuar në çështjen se nga anon shumica e banditëve për secilën palë, në fakt fsheh njëtrajtshmërinë e plotë që e djathta dhe pseudo e majta shfaqin tek ne në terma qeverisjeje, zbatimi të së njëjtës ideologji shkretuese neoliberale dhe varfërimi galopant për qytetarët.
Kjo është arsyeja pse teatraliteti është kaq i madh për një çështje si dekriminalizimi. Në fund, kur Kuvendi dhe pushteti vendor të jenë pastruar nga popullata e burgjeve ordinere që iu imponuan me arrogancë publikut për kaq vjet, kriminalizuesit ideatorët e kësaj panorame, do të vrasin mendjen për të gjetur ndonjë marifet tjetër që do t’u mundësojë sërish të marrin dhe mbajnë pushtetin me çdo kusht.
Me dekriminalizimin, politika mund të shpëtojë si përfaqësish prej brutalitetit të arrogancës, por jo prej vatrës së infeksionit që e konceptoi dhe vuri në jetë këtë murtajë. E kështu ndoshta do ta gjejmë sërish veten pas disa vjetësh duke bërë tifozeri për nisma të reja shpëtimtare si kjo e sotmja. Mbahuni fort shokëni. Po vjen desnobifikimi i politikës, despekullantizimi i politikës, debankierizimi i politikës, dekomercializimi i politikës, delobifikimi i politikës, e pse jo, desiçilianizimi i politikës.