E vërteta nuk mohohet, Kosova është shtet u pelqen apo jo autistëve serbë
“Kosova është e pavarur dhe këtë duhet pranuar”, është deklarata e liderit të Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe, Vuk Drashkoviç, i cili ka hapur sërish debate në Serbi. Kjo deklaratë merr një rëndësi të veçantë pasi partia e Drashkoviçit është futur në Parlament në zgjedhjet e fundit, në koalicion me partinë në pushtet të kryeministrit Aleksandar Vuçiç, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Drashkoviç në një intervistë për të përjavshmen “Ekspres”, i pyetur nëse pajtohet me pavarësinë e Kosovës, ka thënë se me këtë realitet janë pajtuar shumica e shteteve anëtare të BE-së dhe OKB-së, dhe se “respekton këtë realitet, të cilin, siç shprehet nuk e ka krijuar ai, por vet Sllobodan Millosheviç”. “Kosova është e pavarur, Kosova është shtet. U pëlqen kjo autistëve serbë apo jo. Nuk kam aspak faj unë në këtë çështje, përveç fajit se nuk po arrij të mohoj të vërtetën”, ka thënë Drashkoviç. Deklaratat e tij janë komentuar edhe nga partnerët në koalicion, partisë së Vuçiçit. “Drashkoviç e ka tepruar. Ato janë disa vlerësime paushall, që nuk janë për komentim. Megjithatë, qëndrime të tilla, mund të vënë në pikëpyetje koalicionin qeverisës”, ka thënë një bashkëbisedues i afërt me qeverinë e Serbisë.