Eni Çobani: E vërteta e gjobës nga AMA
Historia e një çifti të martuar prej 22 vitesh, e rrëfyer në rubrikën “Shihemi në gjyq” tek e “E Diela Shqiptare”, është bërë objekt i mediave dhe portaleve sociale për faktin se mes konfliktit të pronës, qëndronte dyshimi për një marrëdhënie intime të burrit me kunatën e tij.
Pikërisht për këtë përballje të transmetuar në ekranin e “Tv Klan” më 17 prill, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka gjobitur me shumën 200 mijë lekë të vjetër televizionin “Klan”.
Dokumenti nga AMA, i emërtuar “Sanksion me gjobë” për përmbajtjen e “E Diela Shqiptare” është protokolluar më datë 18.05.2016 dhe firmosur nga drejtori i AMAs, Gentian Sala. Në dokumentin në fjalë citohet se Autoriteti i Mediave Audiovizive, më datë 21.04.2016, ka marrë një ankesë nga znj. Elida Misho, banuese në qytetin e Përmetit, ankesë që sipas dokumentit thuhet se “ua kemi bërë me dije dhe në shkresën e datës 29.04.2016 “Tv Klan”. Zonja Misho ka ngritur shqetësimin se në rubrikën “Shihemi në gjyq” të emisionit “E diela shqiptare” të datës 17.04. 2016, i është cenuar dinjiteti dhe personaliteti i saj. Konkretisht, gjatë emisionit është aluduar se ajo ka pasur marrëdhënie intime me kunatin”, thuhet në shkresën e AMAs.
Megjithëse këtë shqetësim të ankueses e përcollëm me shkresë zyrtare te subjekti juaj, pra “TV Klan”, nuk ka pasur asnjë reagim. Këshilli i Ankesave konstaton se në këtë rast nuk janë përmbushur kërkesat ligjore që parashikojnë se: Çdo person, dinjiteti dhe reputacioni i të cilit janë prekur nga publikimi i fakteve dhe informacioneve në një transmetim, ka të drejtën e përgjigjes. Në të njëjtën kohë këshilli ka parasysh dhe faktin se transmetimi i kësaj përmbajtjeje është bërë në një televizion kombëtar me impakt te publiku. AMA”sanksionon gjobën ndaj “Tv Klan” prej 200 mijë lekësh të rinj, ndërsa kërkon heqjen e videos përkatëse nga kanali “YouTube”, citohet nga dokumenti i AMAs.
ENI ÇOBANI: NUK ËSHTË CENUAR ASKUSH
Në lidhje me këtë histori që kishte për protagonistë çiftin e martuar Aristotel dhe Edlira Misha, gazeta “Panorama” i kërkoi një prononcim ndërmjetëses Eni Çobani. Ajo u shpreh se nuk është në dijeni të shkresës në fjalë të AMAs, pasi nuk i ka mbërritur një dokument i tillë asaj personalisht, kur dihet që është autorja dhe realizuesja e kësaj rubrike ndërmjetësimi. “Për sa i përket rastit të Përmetit, ku është ruajtur etika dhe profesionalizmi, nuk është cenuar askush dhe nuk mund të ndodhë kjo, përderisa aty është një njeri si unë, që mbi të gjitha, respekton ruajtjen e privatësisë dhe konfidencialitetit të gjithkujt”, u shpreh juristja e njohur për “Panoramën” në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë, pavarë sisht kërkesës së AMAs, videoja në fjalë ku çifti rrëfen këtë histori të humbjes së pronës me dyshimin e një tradhtie në mes, ekziston ende në YouTube. E vërteta është që në asnjë moment nuk përmendet emri i Elida Mishos, e cila aludon vetë për veten e saj në këtë rast, ndërkohë protagonistja Edlira Misho, nuk i ka përmendur emrin në asnjë moment, ndërsa ka rrëfyer në “Tv Klan” se ka pesë kunata.
ÇIFTI NGA PËRMETI, DHE DYSHIMI PËR KUNATËN
Historia e çiftit nga Përmeti, të martuar prej 22 vitesh, Edlira dhe Aristotel Misha, u rrëfye nga vetë ata para ndërmjetëses Eni Çobani para një muaji në “Shihemi në Gjyq” gjatë programit “E Diela Shqiptare”, që moderohet nga Ardit Gjebrea në “Tv Klan”. Kalvari i konflikteve të tyre të treguar nga vetë ata në televizion, i ngjasonte një telenovele të vërtetë. Kjo për faktin pasi gruaja dyshonte se burri jo vetëm që kishte marrëdhënie të fshehtë me gruan e vëllait të tij, por për shkak të këtij afrimiteti i kishte besuar dhe pronën e tyre, të cilën tashmë ajo e kishte shitur dhe kishte përfituar paratë. Prona në fjalë ishte një pallat katër kate në qytetin e Përmetit, për ndërtimin e të cilit kishin investuar të dy si çift, me paratë që kishin grumbulluar për 18 vite punë si emigrantë në Greqi. Të drejtën e tjetërsimit të pasurisë, kunata e kishte përfituar nga një prokurë e përgjithshme që Aristoteli i kishte lëshuar në vitin 1999, prokurë që i legjitimonte asaj çdo të drejtë mbi pasurinë dhe jetën e tyre. E humbura në këtë rast ka qenë gruaja e Aristotelit, e cila, përveç se ka humbur pronën, vuante dhe dyshimin shumëvjeçar se bashkëshorti kishte lidhje me kunatën e tij, së cilës i kishte besuar menaxhimin e parave të familjes. Vetë Aristoteli dukej që kishte besim të verbër te kunata, pasi shpesh përsëriste gjatë programit, se ajo ishte specialiste në gjithçka, por ndërkohë e konsideronte veten viktimë dhe i mashtruar nga ajo. Çifti kanë dy djem të rritur tashmë, të cilët janë larguar nga Shqipëria për faktin se nuk e pranojnë dot që prindërit e tyre përgojohen për një skandal të tillë brenda familjes. Kjo puntatë e çiftit nga Përmeti ka qenë ndër më të ndjekurat e sezonit “Shihemi në gjyq”. Eni Çobani, e cila ka marrë përsipër të zgjidhë me ndërmjetësim çështje të vështira mes palëve, e konsideron rubrikën “Shihemi në Gjyq” një mision për rrëfimin hapur në ekran të të vërtetave të pathëna kurrë më parë. Protagonistë janë personazhe të panjohur kryesisht, që kërkojnë te Çobani zgjidhjen e problemeve të tyre, që nuk kanë mundur t’u japin drejtim privatisht apo në dyert e gjykatave.