Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare merr çmimin “Azem Shkreli” dhe titulli “Qytetar Nderi i Pejës”

1 Ismail Kadare

-Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka ardhur në Kosovë me mesazhe optimiste. Se shqiptarët sot janë më afër Evropës si asnjëherë më parë, ka qenë njëri prej tyre/

– Në një karrige të vendosur në mesin e skenës, ai u prit nga shumë qytetarë që kishin mbushur sallën e këtij objekti kulturor, vetëm për ta parë e takuar nga afër kolosin e letrave shqipe.Në mesin të gjithë atyre ishte edhe vajza e Azem Shkrelit, Aida, që kishte ardhur enkas për këtë mbrëmje nga Kanadaja./

PEJË, 21 Maj 2016/ Në Kosovë, në qytetin e Pejës, po mbahet edicioni XIV i takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”.

Në ceremoninë e zhvilluar sot shkrimtari shqiptar i vlerësuar i majave të universit të përbotshëm letrar, Ismail Kadare, u shpall laureat i çmimit “Azem Shkreli” dhe poashtu iu dha titulli “Qytetar Nderi i Pejës”. “Sot jam vërtetë i prekur të marr këtë çmim, që mban emrin e mikut tim të shtrenjtë, me të cilin kemi pasur gëzime, brenga e zhgënjime të përbashkëta ndër vite. Është ndjenjë e pabesueshme për mua”, tha Kadare duke marrë  çmimin me emrin e poetit shqiptar nga Kosova Azem Shkreli.

Duke u shprehur i nderuar Kadare tha se letërsia është pjesë e pandarë e kulturës shqiptare.

“Dhe këtë kulturë sot ju e keni nderuar. Dikur nuk e kemi paramenduar kohën kur shqiptarët e Shqipërisë do të merrnin çmime në Kosovë, dhe ja që diçka e tillë po ndodhë”, tha Kadare.

Shtypi i sotëm kosovar thekson se, shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka ardhur në Kosovë me mesazhe optimiste. Se shqiptarët sot janë më afër Evropës si asnjëherë më parë, ka qenë njëri prej tyre.

Ka kujtuar Kosovën që njohu më shumë se gjysmë shekulli më parë. Atë nga këndvështrimi i poetit Azem Shkreli, emrin e të cilit e mban manifestimi që e ka sjellë të premten mbrëma në Pejë.

Në mbrëmjen e parë të edicionit XIV të takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”, Kadare ka qenë protagonisti kryesor në skenën e kinoteatrit “Jusuf Gërvalla”, shkruan gazeta Koha Ditore.

Në një karrige të vendosur në mesin e skenës, ai u prit nga shumë qytetarë që kishin mbushur sallën e këtij objekti kulturor, vetëm për ta parë e takuar nga afër kolosin e letrave shqipe.

Në mesin të gjithë atyre ishte edhe vajza e Azem Shkrelit, Aida, që kishte ardhur enkas për këtë mbrëmje nga Kanadaja.

Please follow and like us: