Kadare merr çmimin “Azem Shkreli” dhe titullin “Qytetar Nderi i Pejës”
Kadare, u nderua sot me çmimin “Azem Shkreli” dhe po ashtu iu dha titulli “Qytetar Nderi i Pejës”, gjatë ceremonisë së organizuar sot në qytetin e Pejës, në kuadër të edicionit XIV i takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”.
21.05.2016 ~ 21.05.2016
Shtypi i sotëm kosovar thekson se, shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka ardhur në Kosovë me mesazhe optimiste. Se shqiptarët sot janë më afër Evropës si asnjëherë më parë, ka qenë njëri prej tyre.
Në mbrëmjen e parë të edicionit XIV të takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”, Kadare ka qenë protagonisti kryesor në skenën e kinoteatrit “Jusuf Gërvalla”, shkruan gazeta Koha Ditore.
Në një karrige të vendosur në mesin e skenës, ai u prit nga shumë qytetarë, që kishin mbushur sallën e këtij objekti kulturor, vetëm për ta parë e takuar nga afër kolosin e letrave shqipe.
Në mesin e të gjithë atyre ishte edhe vajza e Azem Shkrelit, Aida, që kishte ardhur enkas për këtë mbrëmje nga Kanadaja.