Shkarkohet shefi i Sigurisë së Farkës
Kur Prokuroria e Shkodrës ka ripyetur për të disatën herë të mbijetuarin Gerald Baramuça, pa marrë ende një përgjigje se çfarë ndodhi para aksidentit ajror të Grizhës, Ministria e Mbrojtjes ka përfunduar hetimin administrativ për këtë ngjarje.
Burime pranë kësaj ministrie, jozyrtarisht pohuan se është shkarkuar nga detyra shefi i Sigurisë Ajrore në Komandën e Forcave Ajrore në Farkë. Nënkolonel Altin Lame – thanë burimet, – duhej të ishte në detyrë ditën e 6 prillit, kur edhe ndodhi aksidenti ajror. Largimi i tij nga Forcat Ajrore është bërë me motivacionin “për shkelje të rëndë të disiplinës”.
Sipas listës së miratuar, ai ishte zyrtari i fundit në bazën e Farkës, që firmoste lejen e fluturimit dhe konfirmonte kontrollin e pilotëve që do të niseshin me mision trajnues. Por prania e tij ka qenë fiktive në detyrë, pasi nënkoloneli në fakt atë ditë rezulton të ketë qenë i angazhuar si pilot në një agjenci private fluturimi.
Nga ana e saj, Prokuroria e Shkodrës i ka dërguar fletëthirrje shtetasit Altin Vrapi, me detyrë drejtor i Sigurisë Ajrore të Licencave, në Autoritetin e Aviacionit Civil. Prokuroria thotë se thirrja e tij është bërë pasi shikohen të dyshimta licencat e lëshuara ndaj kompanisë private për fluturimet, në një kohë që një piloti ushtarak nuk i lejohet të jetë i angazhuar.
Aktualisht Prokuroria e Shkodrës është në pritje të ekspertizës së kartës së memories së helikopterit “EC 145”, nga rrëzimi i të cilit humbën jetën Donald Hoxha dhe Florian Deliu. Ndërkohë i mbijetuari Baramuça, në të gjitha seancat e pyetjeve këmbëngul se nuk mban mend asgjë nga dita e aksidentit.