Turqia zgjedh sot kryeministrin e ri
Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, e cila ka pushtetin në Turqi, do të zgjedhë sot udhëheqësin e ri dhe automatikisht kryeministrin e ri.
Binali Yildirim, ministër në largim i Transportit, është kandidati i vetëm në kongresin e partisë në Ankara.
Ai shihet si aleat i afërt i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Sipas korrespondentëve, detyra kryesore e tij do të jetë të mbikëqyrë ndryshimet kushtetuese, të cilat do të rrisin pushtetin e presidentit.
Kjo çështje thuhet se ka çuar edhe në dorëheqjen e kryeministrit të deritashëm, Ahmet Davutoglu, dy javë më parë.
Davutoglu thuhet se nuk është pajtuar me planet e Erdoganit, por ka thënë se do të vazhdojë të mbetet ligjvënës i partisë dhe se nuk do të përpiqet ta ndajë atë.