Albspirit

Media/News/Publishing

Zgjedhjet për kryesinë/ PD: Tentativa për uzurpim të Akademisë së Shkencave, KLSH të nisë verifikimet

Zgjedhjet për kryesinë/ PD: Tentativa për uzurpim të Akademisë së Shkencave, KLSH të nisë verifikimet

Partia Demokratike e ka konsideruar uzurpim të Akademisë së Shkencave procesin e zgjedhjeve për kryesinë e këtij institucioni. Përmes një deklarate për mediat, selia blu shprehet se ajo që po ndodh me Akademinë e Shkencave është e pafalshme dhe e papranueshme. “Prej disa kohësh ndjekim me shqetësim atë që shumëkush e ka quajtur “farsë zgjedhore” për zgjedhjen e kryesisë së komunitetit më të rëndësishëm shkencor në vend. Ajo që po ndodh me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë është e pafalshme dhe e papranueshme. Kemi të bëjmë me as më shumë dhe as më pak me një tentativë për uzurpimin e çdo hapësire për vendim-marrje demokratike në institucionin që duhet të rrezatonte dije dhe demokraci për të gjithë Shqipërinë.” thuhet në deklaratën e PD-së.

Sipas selisë blu, një pjesë e kryesisë së Akademisë së Shkencave po vepron në mënyrë sovjetike dhe staliniste për të vendosur “vasalë” të pushtetit në këtë institucion.

“Një pjesë e kryesisë së këtij institucioni, në shkelje të plotë të statutit të Akademisë, po vepron në mënyrën më sovjetike dhe staliniste të mundshme, për ti imponuar komunitetit shkencor të Shqipërisë, vendosjen e vasalëve të pushtetit në Olimpin e shkencave shqiptare.Përdorimi i metodave staliniste të votimit, trajtimi i personaliteteve më të larta të shkencës shqiptare sikur të jenë një tufëz bagëtish, është një atentat i tmerrshëm që i bëhet dinjitetit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.” vijon më tej deklarata e selisë blu.

Partia Demokratike bën me dije se nuk janë respektuar kriteret statutore të njoftimit dhe përfshirjes së komunitetit shkencor. Gjithashtu sipas PD-së, nuk janë njoftuar universitetet dhe personalitetet me kontribute në fushën e dijes lidhur me procesin zgjedhor të Akademisë së Shkencave.

“Jo vetëm nuk janë respektuar kriteret statutore të njoftimit dhe përfshirjes së komunitetit shkencor, jo vetëm nuk janë njoftuar universitetet dhe personalitetet me kontribute në fushën e dijes. Ajo që ka ndodhur është kolektivizimi i votës, është kërkesa për votim me zarfe dhe me postë për kryesinë e Akademisë së Shkencave, ajo që ka ndodhur është shkelja e kuorumit dhe e të drejtës së çdo pjesëtari të komunitetit shkencor për të qenë i informuar, prezent dhe pjesëmarrës në përcaktimin e fateve të drejtimit të shkencës shqiptare.

Ajo që pritet ti shkaktohet Akademisë së Shkencave, ndodh në vazhdën e atentateve ndaj lirisë së vetëadministrimit të institucioneve universitare. Nëse “klubi stalinist” që synon të shkatërrojë demokracinë akademike ia arrin me sukses qëllimit të tij, atëherë çfarë mund ti kërkojmë ne votuesit të zakonshëm shqiptar? Nëse korruptohen proçeset demokratike në majën më të lartë intelektuale shqiptare, si mund të jetë e mendueshme dhe e imagjinueshme që zgjedhjet vendore dhe kombëtare të mos cënohen?” thekson Partia Demokratike.

PD kërkon nga KLSH të nisë procedurën për verifikimin e kritereve statutore për kryesimin e Akademisë së Shkencave.

“Kërkojmë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të nisë procedurën për verifikimin e kritereve statutore për kryesimin e Akademisë së Shkencave. I bëjmë thirrje të gjithë komunitetit akademik, të gjithë mendimit intelektual dhe qytetar të mbështesë të gjithë zërat e lirë që kërkojnë të ruajnë lirinë dhe pavarësinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Larg përdorimit të kësaj kauze për çfarëdolloj përfitimi politik, u bëj thirrje qytetarëve të lirë të këtij vendi të mos pranojnë përjetësimin e stalinizmit, diktaturës dhe klientelizmit në institucionin më të lartë shqiptar të shkencës. Ju sigurojmë se çdo vendimmarrje e padrejtë, antistatutore dhe e jashtëligjshme që synon kontrollin antidemokratik të Akademisë së Shkencave do të marrë nga Partia Demokratike përgjigjen e duhur në mënyrën e duhur.” përfundon deklarata e PD-së.

Please follow and like us: