10 teknologjitë më të fundit të ushtrisë amerikane
Institucioni amerikan teknologjik që i solli njerëzimit GPS dhe internetin, paraqiti projektet më të fundit. Ja disa nga më interesantet.
1 – Shpejtësia e dronëve ushtarakë është rritur shumë dhe predhat e tyre mund të lëshohen me shpejtësi tri herë më të lartë se ajo e zërit. Një dron eksperimental, X-51 WaveRider, ka arritur 6125 km/orë.
2 – Marina amerikane planifikon të shpërndajë dronë nënujorë nëpër oqeanet e botës, të armatosur me predha, të cilët do të rrinë të fshehur dhe do të “zgjohen” automatikisht me të diktuar prani të mjeteve ushtarake armike.
3 – Sistemi i quajtur “Rrjeti i Luftëtarit” prodhon një mekanizëm gjysmë-robotik që vendoset në këmbë dhe i bën ushtarët të mos ndiejnë lodhje kur ngjiten në pjerrësi, as kur janë të ngarkuar me pesha të rënda.
4 – Anije me pilotë automatikë, pa njerëz në bord, mund të ndjekin nëndetëset me shpejtësi të lartë dhe t’i asgjësojnë nëpërmjet telekomandimit.
5 – Një tjetër projekt quhet “Z-Man”, një pajisje që kapet fort pas sipërfaqeve të mureve dhe që i lejon ushtarët të ngjiten nëpër ndërtesa sikur të ishin Njeriu Merimangë.
6 – Zyra bio-teknologjike e DARPA-s po punon për të vendosur impiante në tru, të cilat japin goditje elektrike aty ku duhet dhe u kthen kujtesën personave që kanë pësuar dëmtime nga aksidente ose sëmundjet.
7 – Një projekt që u shërben si civilëve, ashtu dhe ushtarakëve, është prodhimi i gjymtyrëve robotike që komandohen nëpërmjet trurit dhe që po arrin të japë një përdorim pothuajse të natyrshëm.
8 – Në bashkëpunim me Nvidia, DARPA ka ndërtuar sisteme që mund të gjenerojnë pamje 3D të dhomave që nuk shihen me sy të lirë. Duke vendosur disa kamera, një ushtar mund të shohë se çfarë ndodhet pas një qosheje apo një kthese që ai nuk e sheh dot me sy të lirë.
9 – DARPA ka mirëpritur hakera të njohur në këtë vizitë, dhe i ka ftuar të përpiqen të “hakojnë” rrjetin e tyre, të cilin e konsiderojnë të padepërtueshëm.
10 – Një program përkthimi i ngjashëm me Google Translate është testuar në prani të gazetarëve dhe ka dhënë rezultate të shkëlqyera në gjuhën arabe, sipas të dërguarve të Tech Insider.