Afati i fundit për pronat, radhë dhe kaos pranë zyrave të ATP
Me dhjetëra qytetarë kanë pushtuar ambientet modeste të Agjencisë së Trajtimit të Pronave në ditën e fundit të dorëzimit të kërkesave për kompensim të vendosur nga ligji i ri i pronave.
“Përse nuk e shtyjnë afatin? Të gjithë kanë nevojë të sqarojnë problemet e tyre personale”, tha një qytetare.
“Po nuk u shty afati, ku do të shkojnë këta njerëz? Gjithë atë punë e ato shpenzime që kanë bërë do të humbasin”, u ankua një tjetër.
Ajo çfarë shkaktoi këtë kaos ishte edhe paqartësia nëse brenda këtij afati duhet të paraqiteshin vetëm qytetarët që bëjnë kërkesë për herë të parë, apo ata që kanë aplikuar më parë për kompensimin e pronës.
“Kush është për herë të parë të rrijë, ose ta dërgojë kërkesën me postë”, sqaroi një prej specialistëve pranë sportelit.
Drejtoresha e Trajtimit të Pronave, Sonila Qato sqaron se nuk mund të ketë shtyrje të afatit, por sportelet do të qëndrojnë të hapura deri në qytetarin e fundit.
“Ky është një afat në kuptimin e ligjit prekluziv, që do të thotë se afati nuk mund të shtyhet më. Sportelet e ATP do të jenë të hapura deri në orët e fundit të ditës. Data 23 maj 2016 ka qenë një afat për aplikimin e tyre në mënyrë administrative, ndërkohë që e drejta e pronës është një e drejtë kushtetuese e cila nuk i mohohet asnjë individi, nëse ai ka dokumentat bazë që mund t’i provojë gjykatës se është një pronar”, deklaron Qato.