Ban kërkon përgjysmimin e numrit të refugjatëve deri më 2030
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, u ka bërë thirrje liderëve botërorë dhe grupeve të ndihmës që të angazhohen për të përgjysmuar numrin e të zhvendosurve brendapërbrenda vendeve të tyre.
“Ju inkurajoj që të angazhoheni për përgjysmimin e numrit të të zhvendosurve brendapërbrenda deri në vitin 2030 dhe të gjeni zgjidhje më të mira afatgjate për refugjatët dhe të zhvendosurit, duke u bazuar në një ndarje më të barabartë të përgjegjësive”, ka thënë Ban.
Ai i ka bërë këto komente në hapje të Samitit Humanitar Botëror në Stamboll, i cili sponsorohet nga Kombet e Bashkuara.
Rreth 60 udhëheqës botërorë po ndjekin ngjarjen dyditëshe.
Janë rreth 60 milionë njerëz të zhvendosur në gjithë botën dhe së paku 125 milionë kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje.
Të gjithë pjesëmarrësit pajtohen se nevoja e veprimit është më urgjente se kurrë.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shfrytëzuar këtë takim për të nxjerrë në pah edhe kontributet e vendit të tij, i cili strehon mbi 2.7 milionë refugjatë nga konflikti i Sirisë.
“Edhe nëse dyndja e migrantëve vazhdon, qofshin ata sirianë, irakianë ose kushdo tjetër, ne nuk do t’i mbyllim kurrë dyert për njerëzit që ikin nga bombat fuçi dhe janë nën kërcënim serioz”, ka thënë Erdogan.